
Visar Zhiti/
Ku? Në Arco, në Riva del Garda? Në Italinë e Veriut?
“Franz Kafka ka qëndruar në Sanatoriumin e Dr. von Hartungen, e dokumentuar në ditarët/letërkëmbimet e tij dhe në burime muzeore/komunale”, – lexoj. Pra, këtej ku po endemi dhe ne pas një shekulli e më shumë. Një herë ai erdhi si turist rreth vitit 1909, – sipas biografëve, – dhe pastaj në 1913…
– Të gjitha këto ngrehina kanë qenë sanatoriume, – na tregon Gjergji, që udhëheq vizitën tonë. – Këtu kanë ardhur Franz Kafka… po edhe Gustaf Klimt, Gëte…
Ndjej dhimbje, kap nga krahu Edën time. Shohim liqenin, malet përreth, që i ka kundruar dhe Kafka sigurisht. Ç’do ketë menduar? Gjej një foto të tij si të këtejshme… Ecim nga ku mund të ketë ecur dhe ai. Gjithkush ka një rrugë dhimbjeje të veten…
Kur Franz Kafka vizitonte Riva del Garda a Arcon, qyteti nuk ishte pjesë e Italisë, por i përkiste Perandorisë Austro-Hungareze, Tiroli i Jugut / Welschtirol (Trentino), provincë e Perandorisë Habsburge. Pra, kur Kafka vinte këtej, ai udhëtonte brenda kufijve të perandorisë së tij, jo në Itali.
Çudi, e njëjta gjë dhe jo. Dhe shtetet kanë metamorfozat e tyre si njerëzit, ndonjëherë po aq kafkiane…
TRILL SHQIPTAR ME KAFKËN
E pse të mos guxonte? Po e risjell pikturën e George K., që më mahnit, Franz Kafka me qeleshe shqiptare dhe ja, ç’kisha shkruar dikur:
…s’është fjala për ndonjë personazh të Kafkës, George K., por për piktorin e mrekullueshëm, mikun tim, Gjergj Kola, që është këtu me ne.
Më ngazëllen vërtet dhe më godet ajo pikturë, me një si pikëllim timin, gati rutinë, që më jep një lloj lehtësimi për gjithçka kafkiane.
Kur rri para këtij kompozimi-ëndërr, edhe buzëqesh lehtë a fshehurazi, as unë s’e di si…
Çfarë e shtyu për këtë vepër? Ç’zë ia tha, kush ia kërkoi? Apo fantazma e Kafkës këtej?
…me qeleshe shqiptare mbi krye, jo me kippa-n hebraike dhe sikur të mos mjaftonte kjo, me qeleshe dhe tjetri pranë tij, ngjan me mua. E pse të mos jem unë?
Kafka shikon thellë, që nga brenda vetes, pak pjerrët si për të çarë terrin para nesh dhe të ardhmes. Mos po më priste këtu, në Riva? Çfarë të tha ty, Gjergj?
Në pikturën postkafkiane unë kam venë nën mjekërr dorën e djathtë, me të cilën shkruaj. Dhe kam një fillim buzêqeshjeje gjithë adhurim për Kafkën, kjo sikur më jep më dritë dhe sikur dua të kryqëzoj vështrimin tim me të tijin. Kam një si makth a peng a të dyja bashkë.
Ç’dalldi e shenjtë a demon e shtyu Gjergj Kolën ta shqiptarizonte Kafkën duke më vënë pranë tij? Apo të atyre situatave jemi, gjithë terr dhe alienim dhe i kalojmë aq lehtë e ai, Kafka, duke na i lënë të shkruara siç zbulonte veç ai, (bekur qoftë Max Brod që nuk e zbatoi testamentin!), na ndih të jemi… çfarë? – postkafkianë në postdiktaturë… Të tregojmë dhe ne Kafkën që kemi në kokë.
…ta ketë nxitur kjo dhe piktorin tonë, që të hedhë ato ngjyrat gëzimerrëta? Kisha druajtje ta nxirrja atë tablo, mëdyshesha. Të ishte një ngushëllim artistik siç dhe fillon arti?
Misteri vazhdon, madje përthellohet. Po midis nesh, më afër meje, cili është ai, në një si largësi të vegimtë, por dhe ngjitur, në të ardhmen e shkuar a në të shkuarën e ardhme? Vetëm me të Kafkës unë i përziej kohët dhe e di vetëm unë se cili është ai pranë meje, që më vështron symbyllur si një alter ego e re, me ato duar të kuqerremta si me gjak britme të heshtur…
Por jo, nuk thuhen dot të gjitha dhe le të vazhdojmë shëtitjen buzë liqenit Garda, një endje dhe në kohë… dhe brenda vetes…