![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2022/02/1-a-Eugjen-Merlika.jpeg)
Nga FRANCO VENTURINI – “Corriere della Sera”, 24 janar 2022 – Përktheu: Eugjen Merlika/
Koreano-veriori Kim Jong Un nuk është vetëm një tiran i llojit më të keq, është edhe një kampion i tersllëkut. Ai besonte se për t’I rrëmbyer SHBA lëshime e ndihma (ekonomia është një tragjedi dhe COVIDI nuk ndihmon) mjaftonte të organizohej një karneval lëshimesh raketash. E ka bërë katër herë që nga një janari, raketa të llojeve e rrezeve të ndryshme veprimi, përfshirë edhe ato raketa ipersonike që është mjaft e vështirë të kapen. A nuk kishte vepruar në të njëjtën mënyrë me Donald Trump-in, duke fituar një negociatë pastaj të dështuar? Po, por tersllëku është se Bideni nuk është Trump-i.
Bideni ka në zhvillim dy negociata strategjike të një rëndësie të jashtzakonëshme, njërën me Putinin për t’a bindur të mos mësyejë Ukrainën (ndoshta do të mjaftonte të nënvizonte se Kievi nuk ka kushtet për të hyrë në NATO) dhe një tjetër me Iranin në Vjenë, për të rivendosur kushtin kundërbërthamor të marrëveshjes së 2015, të minuar nga Trump-i e pastaj të dhunuar bollshëm nga Teherani. Për të mos folur për provën e forcës me Kinën.
Shkurt, Bideni ka punë, është shumë i ngarkuar nëse mendohet edhe për problemet e tij të brëndëshme, e prandaj Kimi që tërheq vazhdimisht këmbëzën, mund të presë. Telashi i mëtejshëm është se Kimi nuk mund të presë, e nuk mund të pësojë sanksionet e SHBA (ato nisen pothuaj automatikisht). Nuk mundet sepse Vëndi i tij është pothuaj në gjëndje urije, nuk mundet sepse ndihmat e domosdoshme kineze janë pakësuar pa masë për shkak të masave kundër-COVID, e veçanërisht nuk mundet sepse me kalimin e kohës pushteti i tij do të kërcënohej.
Atëherë, me që raketat “normale”nuk mjaftojnë për të tërhequr vëmëndjen e Bidenit, në Phenian po pregatiten rifillimi i provave bërthamore dhe lëshimi i raketave ndërkontinentale ICBM. Mbi këtë Trump-i kishte arritur një pezullim, por Kimi ka vendosur t’a fshijë. Nënkuptimi është i qartë: nëse tregoj se jam i aftë të godas territorin tënd, i dashur Biden, a do të vazhdosh të mos më përfillësh? Dua të flas me ty, jo me vartësit e tu. Ndoshta, por kur njëri është ters….
“Corriere della Sera”, 24 janar 2022 Përktheu: Eugjen Merlika