
Prof. Dr. Zenun Elezaj/
Kisha kënaqësinë që, bashkë me kryesuesin e Kuvendit të Komunës, Fadil Gashi, të mirëpresim në takim bashkëvendasin tonë Marjan Cubi, i cili jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë këtij takimi, me Marjanin nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin dhe vendosjen e shtatores së ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Kjo shtatore do të vendoset në sheshin që tashmë mban emrin e tij në qytetin tonë.
Presidenti Rugova mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Ai ishte një lider që me politikën e tij paqësore e ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe siguroi mbështetjen e fuqishme të shteteve perëndimore për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Shtatorja e tij, që pritet të ngrihet shumë shpejt, do të jetë jo vetëm një simbol krenarie, por edhe një shtesë e hijeshisë dhe identitetit të qytetit tonë.