KLITHMËLINDJE*/
Si kalimtar i përditshëm klithmëlindjet e jetës/
i përjetoj në çdo stinë./
Kur ndjeni që mushkëritë ju çliren,/
një oksigjen i ri, jetëson/
gjithësinë…/
Dhe shoh si dheu barin e kon/
me frymën shpërthyese të lulesythnajës/
dhe tërë bota bleron./
Dua të jem klithmë-lindje …/
Çdo ditë me lindjet njerëzore,/
Çdo ditë me klithmë-dehjen e agimeve pranverore .
Kurrë nuk do t’u ndahem klithmave.
Edhe dhimbjeve,
gjithsesi.
Kur nuk do të më ndjeni,o njerëz,
kërkomëni,
dhe do të më gjeni:
me një trëndafil Përmeti në dorë…
dhe, herë-herë,
…edhe me lot’ në sy…
Me lindje është mbushur plot-përplot zemra ime:
me mall, me këngë dhe me ëndërrime….
Kam një dhimbje njerëzore, që më mundon:
“Pse , moj Vesë-parfumeri-agimesh
Më tretesh pa gjurmë dhe,
…më avullon?!…
Përse, moj Vesë-parfumeri-agimesh, pse ?!
Jetën kaq të shkurtër e ke ?!”…
ME NJË ENDËR E LIDH DITËN
Pas një vargu naimian,
shpirtshtegtuar dritëDiellit,
i thaj lotët e mërgimit
me agimet e Përmetit….
Sa dal portës, në oborr
shpirt e këngë bilbilkënduar;
Pas një lule trëndafili
paqem, gazem lulëruar!
Me një endërr e lidh ditën,
shpresëruar me besë e zot;
Si zotin kam Amerikën,
kombvëlla si dje, si sot!
Kënga visesh më shtegton,
ku e ardhmja shpresëron!
VALËZAMBAKËRISHT
Liqeni val bregut
të tijat buzëvalë;
Tufat e zambakëve
i përkund pa fjalë.
Syre, syre pihen
pas zambakërisë;
Shpirtër-a që krihen
qeshur vajzërisë.
Lulebardhët puthin
faqeujësinë;
Vajzëria shtiz
pritjedashurinë.
Era merr liqenin
në ditët katran;
zambakëve majëthikash
fytyrëgjakur qan.
I urti liqen
gjizambakëruar;
Shpirtbardhë si lulja
rrathë-rrathë shkruar.
Si dashuria ime
ëndërrlëmshëzuar;
Me mall të vendlindjes
mërgimit pikuar!
Syprinës rrathëprerë
Valëzambakërisht;
Vargu im këndon
Ditën djalërisht!
KTHE, O SHPIRTMËRGUAR
Dita përmes zërash kthjell veç zëbilbilin,
bahçes krehur, larë me erë kamomili;
Ajri ajkëzënë me ajkë nektari,
rrugëve nga shkon bleta harliset behari.
Bleta e mjalt ditën në zgavër të lisit,
që jeta të zërë farë lumturimi;
Në të shenjtin vend ku ndrin hij’ e fisit
kthe, o shpirtmërguar g’zoju paqësimit!
LOTI DHËMB SI NJË FRYMOR
Loti dhëmb si një frymor,
sepse shpirti i tij vaj:
I nxehtë si dalë nga furra,
moshëfoshnjë i pafaj.
Qiell’n e syrit lan me qarje
kripen dhe gurët pa zë;
Këputet nga buzë e syrit
njolla e lotit ngrin e fle…
Kur një shpirt loton plaguar,
vështron urtë si vetë zoti,
sa njeriu shpirtlënduar,
nuk arrin të fshijë lotin.
Lot’n e pafaj qelq të larë,
mos e pafshim që të bjerë;
Të fiket dashurivrarë,
tek vetja dhe tek të tjerë!
FARËZIMI I GRURIT
Si një foshnjëz pa pelena,
brazdës në bukëvaltin shtrat,
nis një jetë e madhërishme,
farë e vogël ngrihet lart…
Rrënjëzon kjo jetë e re,
thith nektarë e nënës- tokë,
farëzon e shtohet jeta,
ndrit një yll i art’ në botë…
Ja një kokërr shtohet, rritet,
pushton fushën tejpërtej…
Farëzon një kokërr fare,
dhe pavdekësinë mbjell…
KUMBULLA IME
Kaq të bardha, kaq të paqme,
i çel lulet kumbull-o;
Të mbolla as njëvjeçare
edhe pse mërguar-o!
Kaq e paqme, kaq e bardha,
velloveshur kumbull-o;
Sa zili të ka dhe dardha,
sythfjetur, vonuar-o.
Sa gëzuar bletët rendin,
se ti kumbull çel e para;
Lulegjinjtë nektar u falin,
të ëmblave këngëmjalta!
S’dua që bletët të trëmben,
kur një degëz e shkund era;
Bleta shtegtare dhe unë,
rrugëve, në kërkim përhera…
Ah, moj kumbull që të pres
Çdo pranverë, si lajmëtare,
bardhësia jote më jep
pasaportën përmetare …
TË MOS THAHEM I MËRGUAR
Det mendimi e kthjell vargun,
të pastër, të ngrohtë, të dashur;
Dhe një shpirt që shkon frymëmardhur
e ngre gjallë, të papërmbajtur.
Me të shpirtit ajkëkuar,
ditënatë shqipëroj;
Të mos thahem i mërguar,
vargun vesh e pranveroj!
Me vargun çmend edhe detin,
kur hoven hiret e fjalës;
Dashurin’ e dashurive
shkruaj tantellave të valës!
* Cikël me poezi nga libri “Klithmëlindje”, 2013/
Bardha Pali says
Poezi të mrekullueshme të shqiptarit përmetar të mërguar, i rritur me mjaltin e bletëve punëtore, mendja i punon për pasqyrimin e tokës hyjnore-arbërore.