Pamflet nga Rafael Floqi
Mirëseerdhët në Republikën e Pafajësisë Shqiptare , ku krimi burokratik vdes nga dashuria ligjore, jo nga drejtësia!
Të nderuar qytetarë dhe të nderuar zyrtarë të lartë (sidomos ata me valixhe gati për t’u arratisur), kemi kënaqësinë të shpallim Kodin e Ri Penal Socialist, më i dashur, më mbrojtës, më shpëtimtar se kurrë më parë!
Nëse jeni zyrtar dhe keni bërë “gabimisht” ndonjë tender për hallën, dajën, kushëririn e dytë apo për xhepin tuaj – mos u shqetësoni! Sipas versionit të ri, nuk mjafton të keni vjedhur me dorë të lirë. Jo! Prokuroria tani duhet t’ju lexojë mendjen për të vërtetuar se kishit qëllim kriminal. Po kush ka më kohë të provojë qëllime, në një vend ku edhe gjyqtarët i kanë qëllimet në pushime?
Arben Ahmetaj, shembulli më edukativ i këtij realiteti – arratisur larg, i qetë dhe i lirë – është prova që kodi penal mund të jetë më i butë se një çaj kamomili në ditë proteste. Një vendim gjykate nuk u zbatua? Dëm me miliona? Asnjë problem. S’e provoi dot njeri që Arbeni donte të dëmtonte me vetëdije. Ndoshta i rrëshqiti gishti në dëm.
Tenderët? Barazi? Mos e përmendni më!
Kodi i vjetër thoshte se mjaftonte të shkelje rregullat e tenderit dhe përfundoje në burg. Kodi i ri thotë: vetëm nëse vërtetohet që doje të përfitoje! A gjeni se çfarë po mendon Lali tani ? Dhe ajo çështja Partizani duket si kot me këtë Kod, ta kenë menduar vallë?
Po nëse flet me sarkazëm dhe fsheh përfitimin? Thjesht, je njeri i kujdesshëm – jo kriminel. Ligji të duartroket, jo të ndëshkon.
“Ligji i gjatë, dënimi i shkurtër” – Formulë e re juridike me aromë partishmërie
Kodi i vjetër kishte 71 fjalë për abuzimin me detyrën. Kodi i ri ka 162 fjalë, me më shumë kthesa se rruga e Qafë-Thanës, por që në fund nuk të çojnë askund, veçse në rrugën e lirimit.
Nëse dikur mjaftonte një mosveprim për të të dënuar, tani duhet një sinjal nga telepatia për të vërtetuar qëllimin kriminal. Ose më thjesht: nëse nuk e thua me gojë “po, dua të vjedh”, je i pafajshëm.
Dënime për qytetarët që guxojnë të flasin… por jo për hajdutët që vjedhin me stil
Kodi i ri Penal nuk është veç një letër amnistie për zyrtarët në hall, por edhe një kërcënim për çdo qytetar që guxon të qeshë me Begajn, Ramën apo ndonjë tjetër të përkryer institucional. Të tallesh me autoritetet? Burg! Të vjedhësh tenderin? Vetëm nëse e bëre me qëllim (dhe s’të kapën kamerat).
Qeveria? Jo, s’është autori – vetëm qëllimi ishte i mirë!
Një grup “ekspertësh anonimë” – të cilët ende s’i kemi parë me sy – kanë shkruar këtë kryevepër gjuhësore që s’e kupton as vetë drejtësia. Profesori Fuga thotë që gjuha e ligjit duket si llastik. Po, llastik që zgjatet aq sa të nxjerrë të pafajshëm gjithë kupolën.
Përfundimi?
Nëse ke vjedhur, falsifikuar, abuzuar me detyrën apo prishur barazinë në tenderë, mos ki frikë!
Thjesht thirr një avokat me përvojë në interpretim “llastiku”, e me ndihmën e kodit të ri, ti do të jesh sërish në krye të detyrës… apo në Dubai, sipas dëshirës.
Kodi Penal i Rilindjes: më i butë se qymyri politik, më elastik se flamuri i drejtësisë.
Sepse në Shqipëri,
Drejtësia është për të vegjlit, kurse kodi është për të mëdhenjtë.