Dr. Etleva Lala
Budapest
Kërkimet shkencore janë shumë interesante për studiues, veçanërisht për mesjeten, sepse të papriturat dhe sfidat janë shumë befasuese. Jo rrallë ka ndodhur që të shpenzohen orë, ditë e muaj të tërë, pa pasur ndonjë rrezultat konkret, për një temë a personalitet të caktuar. Një gjë e tillë, nuk ndodh kur fillon të bësh kërkime ose hulumtime shkencoreme për disa nga familjet fisnike shqiptare, të cilat ishin mjaft të fuqishme dhe kishin ndikim në zhvillimet e përgjithëshme politike, kulturore, ekonomike, ushtarake… etj, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe më gjërë. Për familjen e Kastriotëve, tashmë është e njohur se ata përmenden për herë të parë në vitin 1368, në një diplomë – origjinali i së cilës ruhet në Dubrovnik dhe janë shkruar shumë studime, libra, artikuj, etj. Familje tjetër me shumë interes për historiografinë në përgjithësi dhe mesjetën shqipatre në veçanti, është ajo e Engjëllorëve të Drishtit. Burime të shkruara, dorëshkrime, dokumenta dhe libra pak të njohur ose fare të panjohur, ruhen në shumë arkiva e biblioteka të ndryshme të Italisë, Kroacisë, Spanjës, Austrisë, Francës, Rusisë, Shkodrës, [te disa pinjollë të kësaj familje, si psh. Kamsi], etj. Deri me sot, nuk është bërë një punë sistematike, hulumtuese-studiuese, identifikuese për gjithçka ruhet për këtë familje. Është folur e shkruar shumë për disa nga dorëshkrimet e njohura të familjes Engjëllore nga Drishti, të cilat ruhen në biblioteka shtetërore dhe private. Një pjesë fare e vogël e tyre janë botuar, ndërsa pjesa më e madhe vetëm janë zbuluar dhe ende nuk janë botuar, presin studime dhe analiza të gjithanshme kritike të specialistëve nga fushat përkatëse për të bërë një vlerësim sa më real dhe të preçiz si për të dhënat që ofrojnë ato ashtu edhe për saktësinë e trajtimit të tyre, origjinalitetin, autenticitetin dhe vlershmërinë historike. Dorëshkrimet e pabotuara që na janë ruajtur nga familja fisnike Engjëllori prej Drishtit, përveç se janë të pabotuara, kanë si elemente të përbashkëta, [katër prej tyre, ato nga Vatikani (dy doërshkrime), Firenca dhe Venediku] faktin se janë shkruar nga e njejta dorë në fund të shekullit XV ose fillim të shekullit XVI.
Ka shumë gjëra që duhen sqaruar, parë me sy kritik, rivlerësuar, ballafaquar me burime dhe dokumente të tjera, të drejtëpërdrejta apo të tërthorta, për të nxjerrë përfundime të sakta, të qëndrueshme dhe të vlershme, qoftë për familjen, qoftë për pjesëtarët e kësaj familje, të cilët kishin ndikime të jashtëzakonshme në shumë zhvillime të kohës në shekujt XV-XVII. Pothuasje të gjitha dorëshkrimet [ato që janë më shumë se disa faqe] të cilat sot ruhen në origjinal dhe janë shkruar nga pjesëtarë të kësaj familje të madhe ose për këtë familje, mendojmë ne, duhen botuar. Botimi i tyre është me shumë vlera dhe interes, sepse aty ka të dhëna të shumta nga fusha të ndryshme, për të cilat njohuritë tona janë të pamjaftueshme për kohën kur ato u krijuan apo për kohën kur ato flasin.
Për shkak të peshës së tyre, nuk do të flasim në këtë shkrim për librat e botuar që kanë për autorë disa nga anëtarët e familjes Engjëllori, nuk do flasim as për ato libra, botimin e të cilëve e kanë mundësuar ata si mecenë, por do të fokusohemi në publikimin e një dokumenti nga Arkivi Sekret i Vatikanit dhe informacionin e plotë për dorëshkrimin e Laurenzianës së Firencës, dorëshkrime këto që siç thamë i lidh e njejta dorë që i ka shkruar.
Nga ASV, botojmë gjithashtu edhe një stemë të Engjëllorëve dhe një të Kastriotëve; ndërsa nga Bilbioteka Laurenziane e Firencës, informacionin e plotë për dorëshkrimin e Kodikut të Pal Engjëllit, të ashquajturin “Dorëshkrimi i Formulës së Pagëzimit.” Natyrisht, që nuk dëshirojmë të bëjmë një klasifikim, duke pohuar se dorëshkrimet dhe dokumentat e tjera janë më pak të rëndësishme, përkundrazi, ato janë me shumë vlera dhe numri i tyre është shumë më i madh se sa mendohej apo është shkruar në shtyp deri tani.
Familjet fisnike shqiptare në mesjetë, ashtu si edhe familjet e tjera europiane kishin jo vetëm tituj të lartë fisnikërie, por gëzonin edhe privilegje të caktuara, të cilat herë pas herë i konfirmonin dhe i rikonfirmonin sipas nevojës me diploma përkatëse të lëshuara nga autoritetet më të larta të kohës siç ishin perandorët bizantinë dhe më vonë papati, përkatësisht Selia e Shenjtë. E tillë është një diplomë [bulë] solemne për familjen e Engjëllorëve, përkatësisht për Ndre Engjëllin, lëshuar nga papa Piu V [1566-1572].
Diploma e lëshuar nga papa Piu V në vitin 1567 përmbledh në vetvete disa diploma që janë lëshuar nga perandorët dhe princët që nga perandori Leone deri tek Michaeli. Arsyeja se përse ato gjenden të gjitha në të njejtin vend, është njohja që u bën atyre papa Piu V, dhe në bazë të kësaj njohjeje bëhet edhe konfirmimi i tyre dhe i privilegjeve që ato përshkruajnë. Dokumenti i parë i përmendur në këtë bulë është lëshuar më 25 prill 1293 nga Androniku II Paleolog, perandor i Konstantinopojës. I konsideruar si një instrument publik i së Drejtës Kanonike papa Piu V i konfirmon Andrea Engjëllit, fisnikut, dukës, princit dhe kontit të Drishtit, Durrësit, Pultit të Ulët, lidhjet e tij të gjakut me perandorët romakë si dhe me perandorët e Konstantinopojës.
Lëshuar dhe rikonformuar rishtas ato janë bërë të vlefshme nga papa Piu V, [1566-1572], në vitin 1567, sikurse edhe nga paraardhësit e tij, përkatësisht papët Kaliksti III, [1455-1458], Piu II, [1458-1464], Pali II, [1464-1471], Siksti IV, [1471-1484], Inocenti VIII, [1484-1492], Pali III, [1534-1549], Juli III, [1550-1555], dhe papa Piu IV, [1559-1565], në emër dhe për llogari të Andreas Angelus [Ndre Engjëllit], nga Vincentium de Hippolitis Pistoriensem ac Gasparem de Mercado Romanum Jures.
Bula në fjalë ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe daton nga viti 1567, dhe në të ndodhen edhe dy stema të mirëmbajtura, që në tërësinë e tyre paraqesin elemente heraldike të familjeve fisnike shqiptare.
Heraldika si shkencë që merret me studimin dhe prejardhjen e simboleve dhe elementeve të ndryshme, origjina e të cilave është e shumëllojshme, në Shqipëri i gjen fillimet e saj që në fund të shekullit XII, për të vazhduar deri në ditët e sotme, si pjesë përbërëse e heraldikës evropiane me të gjitha zhvillimet, ndryshimet dhe arritjet e saj. Stemat më të hershme i gjejmë në fillimet e Principatës së Arbërit, e më pas në një vazhdimësi të pandërprerë pothuajse në të gjitha dinastitë dhe familjet patronomike shqiptare mesjetare si: Albani, Araniti, Balsha, Beçikemi, Bogdani, Dukagjini, Dushmani, Engjëllorët, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Kastrioti, Komneni, Maneshi, Matranga, Muzaka, Shpata, Skura, Spani, Topia, Zaharia etj, për të mos vazhduar me familjet e tjera shqiptare nga shekujt në vijim, përkatësisht deri në fundin e shek. XIX apo fillimin e shek. XX.
Diploma është e shkruar në pergamen dhe është zbukuruar me flori. Në të tre anët, pa pjesën e poshtme ku është përthyerja dhe ka qenë vula e papës Piu V, e cila për fat të keq ka humbur, dokumenti ka një bordurë të zbukuruar me gjerësi që varion anash 5.6 cm dhe lart 6.3 cm. Zbukurimet janë kryesisht me motive floreale. Në të dy anët e bordurës fillojnë me nga një figurë që i ngjan kupës (simbol i kalistit) nga ku dalin lule që ngjiten lart dhe kanë fruta prej ari. Lart kurorëzohen me nga një kokë engjëlli, sipër të cilëve qëndrojnë tre stema. Dy stemat anësore të vendosura sipër dy kokave të engjëjve, respektivisht ajo në të djathtë dhe në të majtë, janë stema të familjeve fisnike shqiptare që kishin lidhje gjaku me Engjëlloret, ndërsa ajo e mesit është stema e Republikës së Raguzës (Dubrovnikut të sotëm).
Ngjyra dominuese e dekorimeve është e kuqja. Lart, motivet duket sikur dalin nga dy figura engjëjsh që janë në dy meset e bordurës kur ajo ndahet në mes. Engjëjt janë në këmbë dhe në të dy duart mbajnë dy si shpata me maja të ngulura në tokë, por që tek doreza shpërthejnë egërsisht në degë dhe lule që kanë fryte më të mëdha se ato anash dhe që janë të lara me flori. Dimensionet e diplomës janë 51.5 x 72.2 cm.
Stema e parë e cila ndodhet në anën e majtë të diplomës, është në formë të rrumbullakët dhe ka dimensione 7.5 x 7.5 cm. Stemat e vendosura në trupin e shqiponjës janë katër të ndara në dy shqyte sipër të cilave është kurora mbretërore. Secila nga stemat ndahen në disa kuadrate të cilat kanë simbolet e tyre, përkatësisht paraqesin stemat e familjeve fisnike shqiptare të Topiajve, Muzakajve, Arianitëve, dhe Balshajve. Të gjitha elementet heraldike që ndodhen në këto stema janë të njohura dhe paraqesin traditën dhe lidhjet e ndryshme në mes të këtyre familjeve me familjen Engjëllore, të gërshetuara përmes një simbolike interesante dhe shumë përmbajtësore.
Ndërsa stema tjetër e cila ka dimensione 7.5 x 7.5 cm, dhe është në anën e djathtë të diplomës, gjithashtu është e vendosur në një reth, por me më shumë elemente dekorative të zakonshme për kohën kur u krijua stema. Brenda rrethit janë të vendosura dy stema të ndara në katër fusha identike në të cilat dominon stema e Kastrioteve dhe ajo e Topiasve. Stema e Kastrioteve është një shqiponjë dykrerëshe me krahë të ngritur lart dhe sfond të verdhë, e cila është e njëjtë me stemat e tjera të Gjergj Kastriotit Skenderbeut të njohura nga dorëshkrime të tjera, qoftë nga Arkivi Sekret i Vatikanit, Biblioteka Apostolike e Vatikanit apo edhe nga bibliotekat e Venedikut.
Në fund të tekstit, në anën e majtë të diplomës, është shenja dhe firma dalluese e noterit. Poshtë është një yll në formë freskoreje me tetë cepa të vijëzuar nga qendra. Mbi yll gjendet një kryq dhe poshtë yllit në dy anët janë inicialet e noterit R. B. Poshtë tyre vjen një shirit i hapur, por me anët pak të kthyera nga brenda, brenda të cilit shkruhet “o[mn]ia morte cadunt.”
*****
Që nga viti 1915, kur N. Jorga, për herë të parë e bëri publik lajmin për zbulimin e Kodikut të Pal Engjëllit, nga Biblioteka Laurenziane e Firencës, është shkruar e debatuar shumë për të. Si informacion ky gjendet në të gjitha tekstet e Historisë së Letersisë, Historisë së Popullit Shqiptar, në monografi të specializuara, në botime të veçanta të Akademive e Instituteve të Gjuhësisë si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, në bibliografi, studime dhe artikuj qofshin ata të mirfilltë shkencor, qofshin popullarizues. Natyrisht, të gjithë deri në një, thirren në atë informacion që e ka dhënë N. Jorga, duke botuar edhe të shumtën e rasteve, një faksimile fotomontazhe [gjë kjo e palejuar në raste të tilla], që me sa duket e ka burimin që në botimet e para. E vërteta është, se deri me sot, Kodiku i Pal Engjëllit, të cilin e zbuloi N. Jorga, nuk është botuar kurrë i tëri! Kjo duket e pabesueshme, por është shumë e vërtetë. Të paktën, para dy vitesh, u botua njëri nga 15 dokumentat [më parë është phuar se janë 13 dokumenta (sic!) që përmban ky Kodik, në gjuhën shqipe [K. Frasheri, Dokumente…, 2005], por që përkthimi lë shumë për të dëshiruar.
Numri i autorëve që janë marrë me Kodikun si tërësi, është i vogël dhe përmblidhet përafërsisht në këto punime: “1. G. Valentini. Il manoscritto ASHB 1167 della Laurenziana. Shpirti Shqiptar. Torino. Viti I, nr. 3, janar – mars 1955, f. 15-23; 2. Willy Kamsi, “Dorëshkrimi ASHB 1167 i Laurencianes” në revistën: Phoenix. Shkodër. 1999, nr. 9/1, artikulli 3; që është përkthim i studimit të G. Valentinit të cituar më lart; 3. Namik Resuli, I piu antichi testi albanesi. Shpirti Shqiptar. Torino. Viti I, nr. 2, tetor – dhjetor 1954, f. 13-14, referenca nr. 1; 4. Aurel Plasari, Mbi Skenderbeun “mbret” sipas Ashburnhamit. Gazeta55. Tiranë, 9 mars 2003, f. 12-13; 5. Musa Ahmeti. Ja dokumenti që sfidon Formulën e Pagëzimti. Ballkan. Tiranë. 21 shkurt 2004, viti III, nr. 2732 /6232/, f. 29; 6. i njëjti: Pal Engjëll, personalitet i madh i kohës së Skënderbeut. /Monumenta albanica/. Ekskluzive. Prishitnë. Qershor 2003, nr. 38, f. 84-87.” Përkundër faktit, se autorët e lartëcekur, në disa raste edhe ndonjë tjetër, kanë provuar të merren me përmbajtjen e Kodikut, ajo është me plotë mangësi, pasaktësi dhe lëshime. Duke dashur që kjo rrëmujë të jetë sa më e vogël, ne fillimish po përshkruajmë fizikisht Kodikun e Pal Engjëllit, për të vazhduar pastaj dhe sipas lëndës, duke ndjekur metodat më bashkëkohore-kritike për raste të tilla.
Kodiku ka kopertina të forta lëkure, ngjyrë kafe. Të dy kopertinat kanë dekorime floreale që janë karakteristika të kohës. Në kurriz të kodikut ka të shënuar numrin: 1167 /lartë/ dhe 1167 /poshtë në një etiketë të kuqe, që është zverdhur nga koha/. Sapo e hap kopertinën ka këto shënime: fillimisht është një letër e bardhë në të cilën janë të shënuara nga e majta, lart: 7/; [ky numër është shënuar me laps plumbi] pak më poshtë: 40, [ky numër është shenuar me pendë, me ngjyrë kafe]; menjëherë në vazhdim: C. L. 1167 [është e shkruar me laps plumbi]; më poshtë është e shënuar: Durrazzo–Codel Geul [është e shkruar me laps plumbi]. Në faqen në vazhdim, që i bie faqja e parë është e shënuar, lart në të majtë me laps plumbi: 1167, ndërsa më poshtë, në të djathtë: me pendë, ngjyrë e zezë: Laur. Ashb. 1167 dhe menjëherë poshtë këtij shënimi është një vulë e rrumbullakët me ngjyrë të kuqe e Bibliotekës së Laurencianës; krejt poshtë, në të djathtë është shënuar numri një [I] romak. Faqja në vijim nuk ka asnjë shenjë, është krejt e pastër. Paginimi fillon me numrin 1, dhe faqja është në pergamen. Në f. 1r lart në të majtë është shënuar me pendë me ngjyrë të zezë: Laur. Ashb. 1167. Fjala Ashb. është e nënvizuar me dy vija me ngjyrë të zezë me pendë. Poshtë është vula e rrumbullakët e vogël e bibliotekës së Laurencianës, në vazhdim f. 1v, nuk ka asgjë, është e pastër.
Dimensionet e dorëshkrimit janë 14.2 x 21.8 cm. Trashësia e dorëshkrimit është 1 cm, ndërsa dimensionet e tekstit të shkruar në pergamen janë: 9.2 x 15. cm. Në f. 2r, fillon dorëshkrimi i Kodikut me: “Paulis Angelus, Miseratione divina…” dhe poshtë në të majtë, ka vulën e Bibliotekës së Laurencianës dhe përfundon në f. 37r, përfundon dorëshkrimi me fjalët: “Quatro Jdus Martij Imperij uero nŕi Anno Decimo.”
Në f. 33r ka një vulë të biliotekës së Laurencianës, të rrumbullakët, me ngjyrë të kuqe, në të majtë, poshtë tekstit, po ashtu në f. 37r ka një tjetër vulë të biliotekës së Laurencianës, të njëjtë me atë të f. 33r, po ashtu poshtë tekstit. Në të djathtë të vulës është shënuar numri: 216601, me laps plumbi. Në vijim faqet: 37v, 38r, 38v, 39r, 39v, 40r, 40v, janë krejt të pastra pa asnjë shënim, derisa në f. 40v ka një vulë të bibliotekës së Laurencianës, në të majtë poshtë. Faqja në vijim e cila është letër e bardhë e thjeshtë, në të djathtë, poshtë ka të shënuar: Ashb. 1167; poshtë nën këtë shënim ka të shënuar: constat ff. 40r-v. Poshtë numrit 40r-v është hequr një vijë me pendë me ngjyrë të zezë. Faqja në vijim ka vetëm një rrumbullak të bërë me pendë me ngjyrë të zezë, në mes të faqes. Kjo faqe është letër e thjeshtë e bardhë, por e zverdhur nga koha. Faqja e kopertinës, e cila është prej letre të thjeshtë të bardhë dhe e zverdhur nga koha, ka një dëmtim në të djathtë, poshtë. Lart, në të majtë, me laps plumbi ka të shënuar: 007; L 3 13.6; poshtë këtyre numrave është tërhequr një vijë me laps plumbi; menjëherë poshtë ka këtë shenim: 3/ II/ 32, me laps plumbi poshtë, është tërhequr një vijë, dhe menjëherë poshtë ka këtë shënim: (279), me laps plumbi e vënë në kllapa. Pak më djathtas këtij shenimi, me laps plumbi është shënuar grafema: “k” me një vijë të drejtë, të shkurtër. Faqet: 3r-v, 20r-v, 26r-v, 31r-v, 36r-v, janë pergamen më i trashë se sa faqet e tjera, të cilat janë fine dhe më të holla. Ndërsa f. 20v, është e shkruar nga një dorë tjetër, përderisa në f. 33r, rreshti i fundit, është shkruar me dorë tjetër nga ajo e tërë dorëshkrimi dhe është dorë tjetër edhe nga f. 20v. Dorëshkrimi i Kodikut është në gjendje shumë të mirë, përveç f. 5r-v, e cila është e dëmtuar në fund, djathtas, dhe i është shqyer një copë e vogël me dimensione: 8 x 9 mm.
Në vazhdim po japin titullin për secilin dokument veç e veç të përkthyer nga origjinali në gjuhën shqipe. Kur nuk ka titull, japim fillimin e dokumentit ose rreshtin e parë dhe në kllapa katrore sjellimin formën e citimeve të bëra nga autorët shqiptarë deri me tani].
- f. 2r-11r, Pal Engjelli kryeipeshkv i Durrësit dhe i krahinës së Ilirisë falë mëshirës hyjnore, në kujtim të përhershëm të çështjes. Në këtë dokument gjendet edhe Formula e pagëzimit, në fillim të f. 4r. [Vendimet, urdhëresat dhe rregulloret e Kuvendit të Matit të shpallura nga Pal Ëngjëlli më 8 nëntor 1462 dhe Çështje të liturgjisë kishtare nga Pal Ëngjëlli].
- f. 11r-13r, Nga libri i artë i lashtësive të arkivit të qytetit të Durrësit. [Fragmente nga “Libri i Artë i Lashtësive” i arkivit të qytetit të Durrësit, që nga antika ilire].
- f. 13r-v, Përveç kësaj kemi shtesën e bërë me urdhërin e shumë të nderuarit dhe shumë të ndriturit kardinalit të kishës së shenjtë romake dhe kryeipeshkvit të Durrësit, zotërisë, zot Pal Engjëllit në vitin e mishërimit të Zotit më 18 dhjetor 1463. [Asnjë nga autorët e cekur nuk e shënon titullin e këtij dokumenti].
- f. 13v-20r, Dekret i përgjithshëm i shenjtërisë, zotit tonë papës Piu II, papë për provani hyjnore, i lëshuar me kërkesën e shumë të nderuarit dhe shumë të ndriturit kardinalit të Kishës së Shenjtë Romane dhe zotit kryeipeshkëv të Durrësit, zotit Pal Engjëllit dhe kundër sektit Muhamedan dhe në të mirë të mbretit të pathyeshëm të Arbërisë, zotit Skenderbe, kushëririt të shumë të ndriturit zotit Pal dhe sikurse duket sheshit nga vula e vënë poshtë. [Bula papale e Piut II, lëshuar në Romë, më 4 nëntor 1463 që i është drejtuar “kardinalit” (?) të Durrësit Pal Ëngjëllit; në po të njëjtin dokument Skenderbeu quhet “mbret i pamposhtur i Arbërisë” (?)].
- f. 20v, Në arkivin e qytetit Driadens që sot quhet Drisht gjendet në rubrikën X, në faqe C, të Librit të Artë të burrave të shquar të Lashtësisë të vitit 841 prej themelimit të Romës, d.m.th. në 5 të kalendave të majit (27 prilll). [Ekstrakt (me shkroja gotike) prej “Librit të Artë të Lashtësive të burrave të ndritshëm” i Arkivit të qytetit të Drîshtit, në lidhje me nji rrasë guri e cila qe gjetë aty në kohën e njifarë Filip Engjëllit dukë i Drîshtit, e cila e ngjitte familjen e Engjëllorëve te viti 841 i Romës dhe te familjet perandorake romake nëpër njifarë Isak Engjëllit dukë e kont i Drîshtit, bir i Palit patric e vëlla i Pal Emilit konsull (!). Këtë shënime e ka vetëm N. Resuli].
- f. 21r-22r, Privilegj apo konfirmim i privilegjeve të zotërve kontë të qytetit të Drishtit. [Fragment nga kronika e: “Librit të Artë të lashtësisve të burrave të ndritshëm”, nga arkivi i qytetit të Drishtit. Ku kemi dëshminë e Perandorit bizantin Mihail për venomet e qytetit të Drishtit, lëshuar më 25 prill 1292, që bëhet fjalë për M. Engjëllin që ishte kont i Drishtit, dhe birit të tij Ndreut si trashëgimtar].
- f. 22v-25r, Konventat dhe paktet e bëra me zotin Françesk Kuirinon nga bujarët drishtianë që po i nënshtrohen atij nën emrin e shumë të ndriturit zotërimit të Venedikut. [Marrëveshja e Venedikut me bashkësinë e Drishtit më 9 maj 1443, e cila pothuajse në tërsi është e ruajtur edhe në Statutin e Qytetit të Drishtit].
- f. 25r-27v, Konventat dhe paktet e bëra midis të ndriturit dhe të fuqishmit dukës, zotit Gjergj Topisë, sunduesit të Durrësit dhe zotit Saracen Dandulit në emër të shumë të ndriturit zotërimit të Venedikut nga kështjella e Durrësit. [Marrëveshja e Gjergj Topisë dhe Anton Venierit, dogj i Venedikut, për dorëzimin e kështjellës së Durrësit, datë 18 gusht 1392. Pjesërisht e botuar edhe në “Acta Albaniae…” të M. Sufflay, vëll. II].
- f. 27v-32r, Mbi breznitë e të ndriturve djem të Isakut patricit e senatorit romak dhe fatet e ndryshme të tij dhe të mbiemrit të tij. [Gjenealogjia e detajuar e Ëngjëllorëve të Drishtit, datuar më 21 nëntor 1460].
- f. 32r–v, Bajlit dhe kapitenit të Durrësit. [Një dekret i bailit [kapedanit] të Durrësit për Pal Ëngjëllin, datuar më 3 qershor 1461].
- f. 32v-33v, Këshilli me kolegjin, datë 8 qershor 1461. Të nderuarit në Krisht, Atit dhe zotit Pal, me hir të Zotit dhe të Selisë Apostolike kryeipeshkëv i Durrësit, të dashurit mik Paskual Maripetro, me hir të Zotit dogjë i Venedikut etj. [Letër e Pasquale Mariperos, dogji i Venedikut, drejtuar Pal Ëngjëllit më 9 qershor 1461].
- f. 33v-34v, Besim për veprimet që bëri shumë i nderuari dhe shumë i ndrituri kardinali i kishës së shenjtë romane Pal Engjëlli, kryeipeshkëv i Durrësit për nder të fesë së krishterë dhe të shumë të ndriturit zotërimit të Venedikut me shpenzimet e veta personale. [Letër e Gabriel Trevizanit, dogj i Venendikut drejtuar Pal Ëngjëllit, datuar më 25 korrik 1465, në Tivar. Edhe këtu e gjemë të shënuar Pal Ëngjëllin si “Kardinal”. (?) Këtu bëhet fjalë për pajtimin e Skenderbeut me Lekë Dukagjinin].
- f. 34v-35v, Zotimet që shumë i shkëlqyeri Këshilli i të Dhjetëve i bën të lartit zot Lekë Spanit, për t’i dhënë atij dhe trashëgimtarëve të tij 400 dukatë në vit nga provizioni. [Vendim i Këshillit të të Dhjetëve të Venedikut për një provizion për Lekë Spanin. Fillimisht datohet më: 4 janar 1470, pastaj ka edhe datime të mëvonshme si: 1484, 1495 dhe 1503].
- f. 35v, Më datë 27 qershor 1484 në Këshillin e të Dhjetëve u mor vendim që të gjitha zotimet e bëra për marrjen e qyteteve të provincës së Shqipërisë të respektohen në të gjitha detajet etj. [Asnjë nga autorët e cekur nuk e shënon titullin e këtij dokumenti].
- f. 36r-37r, Atit e zotit të shenjtë në Krisht, zotit Celestin III, papë me hirin e zotit dhe të kishës së shenjtë romane. Isak Engjëlli, perandor i Konstantinopojes dhe gjithmonë cezar august i gatshëm për nderim me çdo nënshtrim etj. [Letër e perandorit bizantin Isak Ëngjëllit drejtuar, papë Çelestinit më 14 mars 1194].
Përkundër faktit se autorët që kanë shkruar për këtë Kodik, janë emra të njohur në fushat e historisë dhe albanologjisë, të gjithë pa përjashtim kanë bërë gabimet më elementare duke ngatërruar faqet e dokumentave, duke mos dhënë titujt e saktë, duke i dhënë abstrakte në vend të titujve dhe duke i renditur ato në forma të ndryshme. Edhepse ne disponojmë të dhëna të sakta se dorëshkrimin origjinal disa nga ata e kanë shfrytëzuar në Bibliotekën Laureziana të Firencës, [si: N. Resuli, W. Kamsi, M. Ahmeti], përsëri ka gabime. Një gjë e tillë nuk duhej t’u ndodhte, për vetë rëndësinë e që ka Kodiku, sepse në këtë mënyrë kanë ngatërruar më shumë edhe të tjerët që kanë cituar ata.
Nikolae Jorga duke bërë kërkime shkencore në bibliotekën Laurentiana të Firencës, në vitin 1915, zbuloi dorëshkrimin e Kodikut të Pal Engjëllit, Ashb. 1167, i cili është i shhkruar i tëri në pergamen dhe ka 37 fletë [74 faqe]. Në këtë kodik, ruhen 15 dokumenta të ndryshme, ndër to edhe e ashtuquajtura “Formula e Pagëzimti”, të cilën ai e botoi në veprën e tij: “Notes et extratis pour servir a l’Histoire des Croisades au XVe Siècle. Quatrième série (1453-1476). [Academia Român. Publicaţiunile Fondului “Princesa Alina Ştirbei” No. IX]. Bucarest, 1915.
Po kush është zbuluesi i këtij Kodiku? Nikolae Jorga lindi në vitin 1871, ishte historian, shkrimtar publicist, politikan, akademik, profesor i Universitetit të Bukureshtit dhe i disa akademive dhe Instituteve të ndryshme të historisë. Si specialist i formuar punonte në shumë gjuhë të huaja si në latinisht, në greqishten e vjetër, frëngjisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, portugalisht, aglisht, suedisht, danisht, holandisht dhe sllavisht. Gjatë veprimtarisë së tij shkencore burimeve arkivore në arkivat e bibliotekave të Prespës, Munihut, Nurenmbergut, Insbrukut, Venedikut, Milanos, Firences, Dubrovnikut, Barcelonës, Parisit, Gjenovës, etj. Krijimtaria e tij e jashtëzakonshme përfshin rreth 1.250 vëllime qoftë si autor ose si editor dhe mbi 25.000 artikuj shkencorë. Sipas një përllogaritje të thjeshtë matematikore, gjatë 69 vjetëve të jetës së tij, N. Jorga ka shkruar gjithsejt 26.350 zëra bibliografikë. Nëse llogarisim se ka shkruar që në moshën 18 vjeçare, kemi një rezultat të çuditshëm, sepse del që N. Jogra ka shkruar 430 zëra bibliografikë, /punime, studime ose libra/ në vit. Këto të thëna edhe pse në dukje të parë të pabesueshme i gjemë në të gjitha enciklopeditë dhe biografitë e N. Jorgës. Si pasojë e botëkuptimeve antifashiste vritet nga legjionarët më 1940, në një pyll afër Plojeshtit, duke mos arritur të përfundojë shumë projekte dhe dorëshkrime nga fusha të ndryshme.