
Veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes, i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri, për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin e saj me shtetin e pavarur shqiptar. Lindi në Vushtrri të Kosovës më 27 prill 1873. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës “Mylkije’ në Stamboll. U zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman, ku mbrojti të drejtat kombëtare të shqiptarëve (1908-1912). Në fillim të vitit 1912, së bashku me Ismail Qemal Vlorën ishte ndër nismëtarët e organizimit të Kryengritjes së Përgjithshme kundërosmane dhe udhëheqës kryesor i saj. Përkrahu Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ishte ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Ishte ndër organizatorët e Kryengritjes kundërserbe të shtatorit të vitit 1913. Gjatë periudhës mars-shtator 1914 mbështeti Vilhelm Vidin dhe për disa muaj (15.03-20.05.1914) mori pjesë në qeverinë e T. Përmetit si ministër i Postë-Telegrafave. Gjatë vitit 1915 qëndroi në ilegalitet në Malësinë e Gjakovës, ku u mor me organizimin e qëndresës në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara nga ushtritë serbe e malazeze. Në periudhën 1916-1918 bashkëpunoi me autoritetet austriake të pushtimit duke shpresuar se me këtë rrugë mund të realizohej pas luftës bashkimi përfundimtar i Kosovës me shtetin Shqiptar.
Në dhjetor të vitit 1919 kryesoi delegacionin që Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dërgoi në Konferencën e Paqes në Paris për të kërkuar bashkimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të përfshira në Jugosllavi me shtetin shqiptar. Në prill të vitit 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Këshillin Kombëtar. Gjatë krizës politike të dhjetorit u ngarkua nga Këshilli i Lartë të formonte qeverinë më 7 dhjetor 1921, por dha dorëheqjen më 12 dhjetor në interes të stabilitetit të vendit. Gjatë viteve 1922-1924 u shqua si një nga figurat e opozitës në Shqipëri. Krahas veprimtarisë si udhëheqës e organizator i Lëvizjes së armatosur kaçake në Kosovë kundër sundimit serb, mori pjesë edhe në përgatitjen në Shqipëri të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, që solli në pushtet qeverinë e Fan Nolit. Shoqëroi F. Nolin në Lidhjen e Kombeve. Gjatë tërë jetës si mërgimtar politik në vitet 1925-1933, punoi pareshtur për të siguruar përkrahjen e opinionit publik botëror, të forumeve ndërkombëtare dhe të kancelarive të Fuqive të Mëdha për çështjen e Kosovës. Hasan Prishtina ishte përfaqësues i krahut radikal të mërgatës politike shqiptare. Çlirimin e Kosovës e shihte të lidhur me ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Ai punoi për bashkërendimin e luftës së popujve të robëruar të Ballkanit dhe shpresonte se me krijimin e shteteve kombëtare dhe me ndërprerjen e çdo forme hegjemonie mbi popujt e Ballkanit do të krijoheshin kushtet për bashkëpunim ndërmjet tyre. Në bashkëpunim me anëtarët e organizatës “Bashkimi Kombëtar” mori pjesë në pregatitjen e atentatit që u krye në Vjenë kundër Ahmet Zogut në vitin 1931. Hasan Prishtinës iu bënë katër atentate nga kundërshtarët politikë; u burgos dy herë nga pushtuesit serbë e bullgarë dhe u dënua gjashtë herë me vdekje (nga xhonturqit, nga Esat Toptani, nga qeveria serbe dhe tri herë nga qeveria e A. Zogut). Ai ka shkruar një varg artikujsh dhe një përmbledhje kujtimesh për Kryengritjen kundërosmane të vitit 1912, me vlera të mirëfillta historike. U vra në Selanik me atentat më 14 gusht të vitit 1933, për organizimin e të cilit u akuzuan A. Zogu dhe qeveria jugosllave. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës u rivarrosën në Kukës. Në maj 2014, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, vlerëson atdhetarin e shquar Hasan Prishtina me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Marrë nga: Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”