-mbresa të kaltra-
Nga Eda & Visar Zhiti
Nuk është vetëm gëzim i beftë që në metropolin e madh botëror, në Çikagon mahnitëse, në “downtown”, ku grataçielet shkojnë deri lart midis reve, me arkitekturë atraktive, ndryshe nga njëra-tjetra, objekt studimi për arkitektët kudo, – arkitekte është dhe vajza për të cilën do të flasim, – me rrugët e mbivendosura si në një “fantashencë”, ja, liqeni qetësues, më i madh se Adriatiku dhe Joni bashkë, afër tij, përmes asaj dritnaje marramendëse, në një lokal të vogël, të ndriçuar mirë, Art Studio & Art Galery, W Armitage Ave, do të gjenim imazhe nga Shqipëria jonë.
Ishte hapur ekspozita e fotografisë artistike, eksperimenale, me një titull të gjetur “Dritë dielli dhe Mëndja” (Sunlight & The Mind). Rilindasit tanë fotografisë i thoshin “dritëshkronjë”
Njëra anë e paretit të sallonit të artit ishte mbushur me fotografitë e vajzës shqiptare, Katra Seferi, imazhe të kapura prej saj, por dhe të bashkuara me fantazi duke krijuar kompozime me kuptim nga vendet ku ajo ka qenë, në Amerikë dhe Europë.
Ja, kolazhi fantastik i Shqipërisë së saj, male dhe det dhe perëndim dielli “si një minierë floriri” më kujtoi vargun e një poezie, dallgë dhe gjire si guacka të hapura dhe re, ku është kjo pamje kështu, Zvërneci dhe jo vetëm, pranë amfiteatri antik i Butrintit, më pas ndërtesa të reja, të pambaruara, beton agresiv, blerime qetësuese më tej dhe lule të verdha sikur t’u jetë thërrmuar dielli mesdhetar përsipër dhe një siluetë njerëzore në majë mali, Mos harroni njeriun!
Nga është vajza me emrin shqiptar Kaltra, pyesin të pranishmit. Dhe lexojmë në korrnizën e varur në anë të eksponateve të saj:
…ka lindur në Shqipëri, po me edukim artistik multidisiplinor në Çikago, Duke qenë dhe në Shqipëri dhe në Romë, Kaltra hyri në mjediset kulturore, ku gjeti piktakimet frymëzuese dhe pasionin për mjeshtërinë artistike. Së fundmi Kaltra është fokusuar në zhvillimin teknik professional përmes mediumeve të ndryshme. Ka kryer studimet Bachelor në shkencën e arkitekturës në Universitetin e Çikagos në Illinois në 2019. Gjatë studimeve të saj ajo mësoi të dizenjojë peizazhe të qytetit duke përdorur fotografinë, pikturën, vizatimet dhe modelet dixhitale 3D. Pas diplomimit Kaltra ekspoloroi artin e hapësirës përmes lenteve të brendshme dhe të jashtme si arkitekte projektuese, dizenjuese e fasadave me alumin, etj.
Salla mbushet me të rinj e të reja, me fëmijë e të rritur, mes tyre është dhe autorja, Kaltra Seferi, e bukur, me luledielli në duar. Po kjo qenka mami, duket si shoqja jote, dëgjojmë, babi ky, dashamir i artit tënd.
Dalin dhe hyjnë të tjerë, raca të ndryshme që këtu s’kanë pse të bëjnë përshtypje, qeshin bashkë, miqëisht njëlloj, marrin nga gotë vere a birre, bisedojnë, bëjnë foto të fotove, ja, disa nga temat e Kaltrës, “Treni në botën tjetër”, “Perëndim i egër, i egër”, “Zvërnc i ripërfytyruar”, “Italia” me kupolat e Romës dhe Firences e të famshmen “Ponte Vechio”, “Barcelona”, “Park city”, “Chicago”, ku kontrastet janë në një plan, në një barazi shqetësuese.
Në paretin tjetër të “Art Space”, përballë atyre të Kaltrës janë fotografitë, të gjitha blu, të një djali fare të ri, Sam Bulleit, i lindur në 1998, lexojmë biografinë e tij në kornizë, artist shumëdisiplinor, është nga Louisville, CY, jeton në Çikago, ndjek Bachelor në artet, punon me fotografinë në media dhe libra, ai sikur endet në një botë konfuze, shpesh me ironinë dhe cinizmin e imazhit. I mbyllur nga pandemia e Covid-19, me fotot në këto dy vite, ai i iku kufijve të apartamentit të tij duke u bërë pjesë e së përbashkëtës. Dhe kishte sjellë pamjet nga një video game për “playStation 4”, ku elaboronte një hartë të botës reale të Japonisë, me operime të inteligjencës artificiale, fotogarfi rrëmbyese, duke të bërë, sit ë thuash pjesë e tyre, e ndjesisë etj, etj.
Menaxherja e sallonit të artit u jep fjalën dy të rinjve, Kaltrës dhe Samit, flasin shkurt dhe mençur, të sinqertë dhe duartrokiten po aq sinqerisht nga të pranishmit.
Kur dolëm në Çikagon fantastike të natës, me atë pluskim të pambarimtë dritash që përzjeheshin me yjet, si të ishin ndërkohë dhe vazhdim i ekspozitës, që porsa pamë, bota e të rinjve, po thoshim, tërheqëse në thellësitë e pasionit dhe mendimit të ri, shpesh e kuptueshme nga ne, më kurajoze, më e pastër dhe më turbulluese, ku përvoja jonë u bëhet mbështetje, por më shumë dashuria jonë dhe prej tyre ne marim vrull dhe ide, aq sa të vjen të thuash: na merrni dhe ne, të vijmë pas jush me kohën, të mos mbetemi pas…
Gjithsesi faleminderit për sonte, Sam, edhe ty, Kaltra, që solle dhe kaltërsi Shqipërie në metopolin e madh, në qendër, në Çikago, si për të ma thënë që vendlindjen e mbartim me vete, ajo nuk na pengon, përkundrazi e bëjmë pjesë të botës siç dhe është, që më shumë se sa me artin, nuk bëhet me tjetër…
Po afronte mesnata. Në atdhe ka zbardhur dita e re…