Nga Anton ÇEFA/*
“Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë” – një dëshmi e gjallë e një ndergjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht.
Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar. Tingëllon si një kushtrim kundër përçarjes: “Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!”
Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek shqiptarët idealin e qytetërimit, në emër të përparimit. “Të përhapim mes shqiptarëve të Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale!”
Është kjo responsible, me të cilën Konica shpirtësoi tek shqiptarët shpirtin e demokracisë në emër të së ardhmes. Është kjo dëshmia që shkëlqen me virtytin e moralit, moralit të veprimit, veprimit të detyrës, detyrës së ngadhnjimit.
Është kjo resposible, që e bënte Konicën luftëtarin më të zjarrtë të evropianizimit të shpirtit shqiptar, që tingllon aq aktual në ditët tona.
Fjalët e Tij, mësimet Tij, kanë qenë dhe mbeten profetike. Ja një nga profecitë: Shqipëria “U-ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët.” A nuk po e vrasin sot politikanët kuqalosha!
Vatra e shpalli këtë vit, Vitin Tënd. Do të jesh gjatë këtij viti i pranishëm në mendjet e në zemrat e gjithë shqiptarëve të vërtetë, atyre shqiptarëve që e duan Shqipërin siç e ke dashur Ti.
Do të dritësohemi duke kujtuar fjalët tua, do të ngrohemi në flakët e zjarrit të dashurisë suaj për Atdheun, do të përpiqemi të ecim në gjurmët e tua.
* * *
Përkrah Nolit, me bashkëluftëtarë të përkushtuar si Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llambi Chikozi, Elia Tromara, Kosta Vasil, bashkove shoqatat e fshatrave dhe themelove Vatrën, këtë Kështjellë Kombëtare, Vatrën e dritës dhe të ngrohtësisë, dritës së shpirtit, ngrohtësisë së zemrës; Vatrën që edhe sot e kësaj dite edhe pse e plakur në moshë, është më e re se kurrë.
Në nyjën e parë të Kanunores së Vatrës, shënove si detyrë të parë të sajën: “Të ritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës në mes të tyre edhe të dashurisë për kombësin’ e tyre . . .”
Në farkën e Vatrës u kalitën vargane pas varganesh luftëtarë të rinj si Kosta Kotta, Naum Cere, G.Konda Gjoleka, Efthim Natsi, Ilo Zografi, Vani Çekani, Thoma Nassi, etj., brezni pas breznie, deri në ditët tona.
Vëllezër, të mos i harrojmë këto emra, por t’i kujtojmë e t’i mbajmë në shpirt se na ndriçojnë, t’i ruajmë në zemër se na ngrohin. Këto emra janë të madhërishëm, t’u përulemi; janë të shkëlqyeshëm, të ndriçohemi, janë të përjetshëm, t’i ndjekim !
* Marrë nga libri në proces botimi i autorit Anton ÇEFA, (ish Editor i Diellit) që do të botohet në Vitin e Konicës, shpallë nga VATRA
THANAS GJIKA says
Urime z. Cefa duke risjelle mesimet e Konices per bashkim, ndihme e dashuri ne kohen tone kur ato jane dobesuar se tepermi dhe kemi nevoje t’i gjallerojme.
Suksese per vepren tuaj,
Thanas L. Gjika.
Andrea says
Sa bukur! Thirrje nga shpirti te zotit Cefa ne emer te Konices se Madh: te bashkohemi, te ndriçohemi, te perulemi gjithe nderim per rilindasit tane te vertete.
falenderime dhe respekte autorit te nderuar te ketij shkrimi te qendisur
fotaq