Shkruan:MSC. Albert HABAZAJ/ studiues/
Ne Foto:Shkolla e pare Shqipe ne Vlore/
Historia e arsimit në qarkun e Vlorës është pjesë përbërëse me rëndësi e historisë sonë kombëtare. Si në mbarë Shqipërinë, sidomos në qytetet kryesore të vendit, edhe në Vlorë, arsimi lindi mbi një shtresë të pasur monumentesh të kulturës materiale dhe jomateriale (shpirtërore), si një vepër e gjenisë krijuese të popullit të krahinës së Vlorës, që, duke kaluar përmes furtunash shkombëtarizuese për mijëra vjet me radhë, diti të ruajë e të gdhendë më tej fizionominë e kulturës dhe të arsimit shqip me dinjitet kombëtar. Vlora ka dhënë një kontribut me vlerë historike përgjatë shekujve, ka krijuar dhe ka ruajtur visare të rralla monumentale në shërbim të edukimit dhe të arsimit shqip. Arsimi dhe edukimi në Vlorë ka një diagramë zhvillimi të dukshëm pozitivisht në hapësirë dhe në kohë. Një enciklopedi antologjike të mendimit kulturor për arsimin dhe edukimin në Vlorë i ka dhënë kësaj treve emërmadhe për historinë e arsimit kombëtar Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, me monografitë e tij shkencore, me artikujt, punimet, kërkimet e studimet e shumta diturore. Për mbi 40 vjet, Bardhosh Gaçe, krahas punës titanike në fushën e etnokulturës dhe të albanologjisë, po jep një ndihmesë të rëndësishme për arsimin, me pishtarët e dijes, fillimtarët dhe vijuesit dritërues në qytet dhe në fshatrat e Vlorës, të etur për dije dhe liri. Botim pas botimi, vit pas viti e dekadë pas dekade, profesor Gaçe po e lartëson profilin e tij pedagogjiko- shkencor në përmasat e një personaliteti kombëtar. Disa nga monografitë e tij më të spikatura në fushën e arsimit janë : “Rapsodi Xhemil Veli Duka”, kushtuar luftëtarit për liri, arsim dhe këngë Xhemil Duka, 2000; “Dallgët joniane të jetës”, kushtuar atdhetarit, mësuesit dhe folkoristit Musa Muho, 2000; “Blerimi i mësuesit Besim F. Xhebraj”, 2007; “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”, 2009; “Mbrëmje vere me Muço Delon”, 2011; “Mësuesi i Popullit Ibrahim Kushta”, 2012, etj. Veprimtaria kërkimore – shkencore e B. Gaçes ravijëzohet në këto piketa metologjike: dokumenta origjinale, monografi, dëshmi e botime, ekspedita vetiake dhe ekspedita kolektive, në grup, trajtuar në rrafshin kronologjik, si një vështrim në mënyrë të krahasuar. Ai është një eksplorator vigan, që di, si ai, të gërshetojë dobishëm vëzhgimin e palodhur në terren me punën këmbëngulëse në biblioteka e arkiva, brenda dhe jashtë vendit, duke iu referuar burimeve të mëparshme të botuara nga autorë shqiptarë dhe studiues të huaj. Nxjerrja në dritë të bardhë e arsimit në Vlorë, sidomos për periudhën, që kulmon me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, më 28 Nëntor 1912, është pothuaj meritë tërësore e studiuesit Bardhosh Gaçe, i cili, ndërkohë, u është mirënjohës autorëve të mëparshëm të historisë së arsimit në Vlorë, historianit Neil Shehu dhe Prof. As. Dr. Zeko Brako, të cilët botuan aq sa mundën dhe, për kohën, duhen falënderuar. Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm, studiuesi Gaçe njihet dhe vlerësohet si kryemjeshtër i monografive të atdhetarëve të arsimit dhe të historisë së tij në rrjedhat e kohës. Pa hulumtimet e tij, Himara arsimore e shekujve XVI-XVIII do të na vinte e cunguar, me tjetër rrjedhë apo (larg qoftë) e tharë, aq më tepër nga fakti që portat e Mesjetës, për ne, nuk hapeshin dot, sepse ishin të blinduara nga barbarët dhe shumë të rënda. Misionarët bazilianë të Italisë, që punuan edhe për Shqipen në trevën e Himarës, gjatë asaj periudhe historike të tranzicionit të vështirë kulturor dhe fetar, ringjallen me veprën e tyre të jashtëzakonshme, falë ndihmës së këtyre emrave dritërues: Nilo Borgia e Matteo Mandalà, Jup Kastrati e Petro Marko, Bardhosh Gaçe e Shaban Sinani, Pëllumb Xhufi e Mimoza Hysa. Studiuesi B. Gaçe, me rigorozitet shkencor, në një nga monografitë e tij, na sjell tërë pamjen e një historie të papërsëritur për njeriun, mësuesin dhe këngëtarin e paharruar Xhemil Duka, që i përkiste njerëzve të shquar që bënë Shqipërinë, si Sh. Gjeçovi, F. Noli, L. Gurakuqi, J. Minga, H. Xhelo, H. Lumi, A. Rustemi dhe shumë mëmëdhetarëve të tjerë si këta. Me jetën e tij, Xhemil Duka u bë shembull i gjallë për të përparuarit e arsimit kombëtar, shkruan Profesori. Ndërsa për pionierin tjetër të arsimit kombëtar, Musa Muho, ai ndërton një përmendore të bardhë me shkronja drite. Atdhetari, mësuesi dhe folkloristi Musa Muho vjen në penën e autorit si një pishtar i shqipes, qysh në vitin 1913 (kur u hapën 10 shkollat e para shqipe në trevën e Vlorës) dhe bëhet shembul i mësuesit të talentuar deri sa mbylli sytë më 3 Nëntor 1981, si personalitet i arsimit në Vlorë. Në Vlorë dhe në Labëri flitet shpesh për figura të ndritura të historisë, kulturës dhe arsimit kombëtar, gjurmët e të cilëve shkrepëtijnë në qiellin e kohës sonë. Shpirti i tyre duket sikur bie një frymë shenjtërimi për brezat e rinj. Njëri prej lisave të blertë të Vlorës dhe të Labërisë ëshët mësuesi atdhetar Besim Feim Xhebraj, jeta e të cilit është një frymëzim kombëtar. Zjarri i tij u ndez qysh në shoqërinë “Shtizat e Qytetërimit” dhe “Mbrojtja Shkollore”, në demonstratën antimperialiste të Vlorës, 28 Nëntor 1919, në Epopenë e Njëzetës, me shoqërinë “Bashkimi”, në Paris, në Kuçovë, udhëve të dritës si mësues vizionar, si veprimtar i palodhur i arsimit kombëtar, me përkushtim idealisti. Me këtë profil na vjen ky personazhi i nderuar i monografisë “Blerimi i mësuesit” i autorit B. Gaçe. Me dashuri dhe vërtetësi shkruan autori monografinë e shkëlqyer “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Abdullahu”. Sipas tij, ekzistencën e shqiptarëve si komb, Ibrahim Abdullahu e shikonte edhe tek përhapja e gjuhës shqipe, ndaj shërbeu si mësues shëtitës në Vlorë dhe në trevat e saj. Ishte ndër iniciatorët e çeljes së shkollës shqipe të Muradies më 1908, përkrahës i flaktë i Kongresit të Manastirit, si dhe i përhapjes së librave shqipe të rilindasve tanë. “Pa u kulturuar dhe pa mësuar gjuhën shqipe – thoshte Ibrahim Kushta, – nuk mund të fitohet qytetërimi i shqiptarëve”. “Mësuesi i Popullit Ibrahim Kushta” është një tjetër monografi e studiuesit të talentuar Bardhosh Gaçe, kushtuar mësuesit me kulturë të thellë dhe mendimit të tij pedagogjik, sepse I. Kushta përfaqëson një figurë emblematike të traditës së arsimit në Vlorë. Mesazhi që përcillet nga studimi i monografive për pishtarët e arsimit në Shqipërinë Jugperëndimore mund të përmblidhet me shprehjen: “Mësuesi ka në dorë fatin e shtetit dhe fytyrën e ardhme të Atdheut”. Në librin “Mbrëmje vere me Muço Delon”, na shpaloset mësuesi i diturisë dhe lufëtari i lirisë, shkruar me pasion e dashuri nga autori B. Gaçe, i cili ka patur fatin e madh ta njohë shumë mirë heroin e librit, të bisedojë gjatë me të, ta zbërthejë deri në detaje dhe të na e japë portretin e tij me fakte e dokumente në një monografi përfaqësuese, që ndriçon historinë dhe kulturën e Labërisë dhe më gjerë. Vlora dhe Labëria është një hapësirë me yje të ndezur, se nuk mund të jetë një hapësirë me yje të shuar, sepse në ato vise, ndër të tjera, trimëria e dituria binjake ishin të dyja, sepse pushka dhe pena prunë dritë përmbi bedenat e kështjellës së trimave për liri, pavarësi dhe përparim. Memoria arsimore në Vlorë emrin e Bardhosh Gaçes e ka të ngulitur thellë, sepse ai ka gdhendur me shkronja floriri apostujt e shkollës shqipe dhe kombëtarisë në Vlorë. Opusi monografik i B. Gaçes është i pari monument i historisë së arsimit në Vlorë dhe çmueshmëria e tij vlerësohet më tepër për faktin se e përmendi nga harresa letargjike, e riformatoi vërtetësisht dhe bëri pronë të botës shkencore shqiptare. Shkrimtaria kërkimore- shkencore e Prof. Gaçes përbën një tren në fushën e historisë së arsimit. Duke udhëtuar me trenin e tij të shkrimtarisë arsimore, na shfaqet në horizont ndriçimi i traditës së mëparshme të shkollës shqipe në Vlorë, tradita shkollore në Himarë, ruajtja e frymës rilindase ndër banorët e këtyre trevave. Fokuson në tej përhapja e abetares, e shkronjave shqipe, floririt e kaluar floririt për shqiptarët, që nga koha e Rilindjes e deri ë vitet 1920, me artikujt në gazetën ‘Mësuesi”, në revistën “Arsimi” etj. Ravijëzohen marrëdhëniet e Vlorës, Himarës, Kurveleshit, Mesaplikut, Dukatit e Topalltisë me shoqëritë patriotike të kohës deri në Sofje, në Bukuresht, në Stamboll etj, po ashtu artikujt e spikatur për Jani Mingën si orator e filolog. Dom Mark Vasa, Musa Çakërri, Murat Tërbaçi, Gani Iliazi, Peço Doko, Beqir Velo Kanina, etj., që shquhen si mësuesit e parë në fillimshekullin XX në Vlorë, vijnë të gjallë me mesazhet e tyre rilindase përpëmjet punimeve shkencore të studiuesit skrupuloz B. Gaçe. Nevoja për të nxjerrë monografi për këto figura komplekse për gjurmët arsimore, sidomos nga shek. XX e në vijim gjetën në penën e Gaçes harmoninë e admirueshme të koherencës me emocionin e fuqishëm. Gjimnazi i Janinës e i Shën Mitër Koronës qenë vatrat e përgatitjes së mësuesve të parë të Shqipes. Të gjithë mësuesit që bënë dritë për arsimin u arsimuan jashtë, në Janinë, në Kalabri… Kjo del edhe nga monografië për I. Kushtën, M. Delon, Xh. Dukën, B. Xhebron, M. Muhon, më marrëdhëniet e tij me H. Xhelon, J. Mingën etj. Nxjerrja në dritë e statusit të shoqërive kulturore – arsimore e letrare, si e shoqërisë “Opinga”, “Mbrojtja Kombëtare”, “Mbrojtja Shkollore”, ‘Shtizat e Qytetërimit”, “Lidhja e Djelmoshave” dhe “Shoqëria Letrare e Vlorës”, të cilat u krijuan dhe vepruan në vitet 1918 -1920, ka qenë një merak dhe realizim dokumentar, sipas kritereve shkencore në laboratorin e “Punëtorit të madh të kulturës së kombit”, siç e quan arbëreshi i shquar Antonio Bellushi studiuesin Bardhosh Gaçe. Një objekt i rëndësishëm i punës studimore të Profesorit ka qenë e ngelen elementët pedagogjikë. Ai veçon “Abetaret dhe Këndimet për Shkollën Fillore” të Jani Mingës dhe thekson se, askush tjetër përveç J. Mingës nuk bëri abetare e këndime në vitet ‘20 – ’30, kur njerëzit ende ishin analfabetë apo dinin vetëm turqishja (turçe, thuhej në popull). Abetaret dhe këndimet e J. Mingës patën përhapje jo vetëm në krahinat jugperëndimore të vendit, por në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Për të shkruar këto monografi të çmuara autori ka përfituar nga dijetarët e mëdhenj të vendit, se rrinte me ta, i dëgjonte, i respektonte dhe mësonte prej tyre. Konkretisht ai ka patur kontakte me Musa Krajën, Shefik Osmanin, Koli Xoxen, Shaban Demirajn, Musa Vyshkën, Ali Xhikun, Zihni Sakon, Fatmir Agalliun, Vangjel Gjikondin (Mësues i Popullit, nga Lekli), Kozma Vasilin, Dhimitër Grillon, Nasho Jorgaqin, Jup Kastratin, Bedri Dedjen, Hamit Boriçin, Iljaz Gogën, sidomos në fushën e zhvillimit të arsimit, psikologjisë, pedagogjisë, metodologjisë. Kur Bardhoshi ishte mësues në Kukës, në vitet 1977-1980, i shkon për inspektim një ekip nga Ministria e Arsimit dhe nga Akademia e Shkencave, me Bedri Dedjen (sekretar i Akademsë së Shkencave dhe zëvendës ministër i Arsimit për kohën) dhe Prof. Sotir Temo. Panë një orë mësimi që Bardhoshi po zhvillonte në Morinë. Panë dhe fletoret e nxënësve të klasave të shtata e të teta, të cilët kishin mbledhur folkor. Model! Në konkluzionet, që bënë për Seksionin e Arsimit Kukës, zhvilluar në sallën e gjimnazit të qytetit, Profesor Bedri Dedja tha: “Tashmë, me mësues të rinj, të përgatitur në Universitetin e Tiranës, siç është dhe mësuesi i Morinës Bardhosh Gaçe, ku gjatë vëzhgimeve tona, kemi vënë re disa orë mësimi Gjuhe dhe Letërsie të nivelit të lartë metodologjik e arsimor, mund të marrin përvojë edhe shkollat e kryeqytetit” (edhe pse Morina qe një fshat i largët i verilindjes malore). Edhe në auditoret e Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, ku jep mësim, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe kujton me nderim pedagogët dhe dijetarët e mëdhenj E. Çabej, Sh. Demiraj, M. Domi, A. Kostallari, A. Uçi, V. Bala, Z. Sako, N. Jorgaqi, J. Xoxa, F. Arapi, me të cilët organizonin debate dhe diskutime të hapura, që bënin me auditorët e Universitetit për Letërsinë dhe Gjuhën, si dhe për marrëdhëniet e Shqipes me gjuhët e tjera të Ballkanit. Bardhosh Gaçe thekson mendimin, si tek artikujt për J. Mingën dhe monografia për I. Kushtën, se arsimi shqiptar ka tendencë oksidentale dhe shpërfaqet mendimi për prirjen e arsimit kombëtar e të shkollës shqiptare sipas modeleve gjermano – austriake dhe franceze. E kush më mirë se shpirti i florinjtë i akademikut (ende të pashpallur vetëm zyrtarisht) Bardhosh Gaçe do të na sillte të gjallë zgjimin e kujtesës kombëtare të shkruar përmes monografive shkencore për pionierët e arsimit dhe njëkohësisht luftëtarë të paepur të lirisë?!
Vlorë, e martë, 10.03.2015