
DR. ALBERT KURTI/
Dobësimi i Perandorisë Osmane, lakmia për territore që kishin vendet fqinjë ndaj territoreve shqiptare, luftërat ballkanike, vuri në pikpyetje ekzistencën e kombit shqiptar. Në këtë situatë, shqiptarët nuk ngelen duarkryq, por ishin gjithmonë në këmbë për të mbrojtur atdheun me çdo kusht.
Peqini, duke qenë një krahinë me histori të gjatë: me vendbanimin e vjetër të njohur si Klaudiana, me rrugën Egnatia (ndërtuar gjatë Perandorisë Romake), Kalaja e ndërtuar gjatë periudhës Osmane, tregon se Peqini kishte vijëmësi të jetës në periudhat e ndryshme historike. Duke patur këtë trashëgimi, Peqini shquhet për atdhetarizëm, duke nxjerrë shumë figura të rëndësishme, që shquheshin për trimëri, mençuri dhe kulturën që demostronin.
Më shumë figurat patriotike nga krahina e Peqinit, sidomos nga qyteti, do të shfaqeshin në periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, ku dallohej fisi Gjinishi me përfaqësuesit e hershëm Adem Gjinishi dhe vëllai i tij sheh Tahsimin.
Duke qenë më aktiv në vitet e para të pavarësisë, xhonturqit u konfrontuan me Gjinishët, pasi 2 vëllezërit kishin filluar iniciativat për hapjen e shkollave shqipe në qytet.
Xhonturqit pasi e kapën sheh Tahsimin, u përpoqën që ta internojnë në Manastir. Më pas teqja e sheheve Gjinishas u bë një vend i rëndësishëm për takimin e patriotëve dhe atdhetarëve të Peqinit. Jo vetëm kaq, në këtë teqe vinin edhe atdhetarët e shquar si Aqif Pashë Elbasani, Haxhi Zeka, Haxhi Aliu, Abdyl e Eshref Frashëri, etj.
Pas kordinimit që kishin patriotët peqinas me këto atdhetarët e shquar të kombit shqiptar, më 26 nëntor të vitit 1912 u ngrit flamuri shqiptar në Peqin: aty ku ndodhet Xhamia.
Me këtë rast iu dërgua një telegram në Vlorë, Kuvendit dhe delegatëve. Këtu qe deleguar dhe Mahmud Kaziu (nënprefekti i Peqinit) si përfaqësues e delegat i Peqinit, nënshkrues i Deklaratës për Pavarësi në Vlorë.
Në Peqin, nga Adem Gjinishi e drejtues të tjerë u përgatitën rreth 100 veta për të mbrojtur Kuvendin e Vlorës. Kështu nga peqinasit u shoqërua karvani i Ismail Qemalit nga Boshtova (pranë Kavajës) gjer në Vlorë. Merrnin pjesë në shoqërim patriotë peqinas si Adem Gjinishi, Ramazan Cani, Osman Çanaku, Muharrem Spahiu, Arif Sufali, Adem Lluca, Ahmet Ashiku etj. Krahas entuziazmit dhe dëshirës së peqinasve për ngritjen e flamurit në qytetin e tyre, pati njëkohësisht dhe kujdes, vëmendje dhe ankth për rreziqet që po i kanoseshin vendit.
Le t’i referohemi konkretisht telegramit :
Telegram i popullit të Peqinit – 27 Nëntor 1912
Drejtuar Ismail Qemalit dhe delegatëve të Kuvendit – Vlorë.
“Ju bëjmë të ditur se me dëshirën e krejt popullit, mbrëmë në orën 6 Nënprefektura e Peqinit e shpalli pavarësinë në anë të Shqipnisë dhe ngriti flamurin tonë nëpër godinat zyrtare dhe tash jemi duke u marrë me emërimin e nëpunësve të nevojshëm. Veç se jemi informuar se ushtarët e ushtrisë serbe po i afrohen Qukësit dhe, po të jetë se nuk merren masa penguese, ka mundësi që të shkelë tokën tonë e prandaj ju lutemi të demarshoni me ngutësi pranë Fuqive të Mëdha e të kërkoni garantimin e Pavarësisë së Vendit tonë.
Urdhëri është i juaji.
Firmat: Adem Gjinishi, Ahmet Kaziu, Sulejman Kuqi, etj.
(A.Q.SH. Fondi 245. Viti 1912. Dosja I – 5. Fleta 31).
Foto nr. 1. Adem Gjinishi Foto nr. 2. Mahmud Kaziu
Pas shpalljes së pavarësisë, Shqipërisë i’u shtua rreziku për copëtim, për shkak të futjes së ushtrive të vendeve fqinjë në trojet e banuar nga shqiptarët. Me politikat e tyre shoviniste, Serbia, Mali i Zi dhe Greqia kërkonin me çdo mënyrë të aneksonin sa më shumë territore të banuar nga shqiptarë.
Në Peqin pati përplasje të ashpra ndërmjet ushtrisë serbe dhe banorëve. Serbët kryen masakra tek kalaja e Peqinit (në bodrumet e saj). Për banorët e zonës dhe jo vetëm është e njohur dhe akti heroik i gruas Xheme Gramshit nga krahina e Peqinit, që me një hekur të nxehtë (hell) vrau tre serbë.
Përveç mbrojtes së qytetit të tyre, patriotët peqinas nisën vullnetarë për të ndihmuar Shkodrën në vitin 1913 në luftën ndaj Malit të Zi. Trimëria e “taborrit” prej 300 luftëtarë peqinas kundër malazezëve qe e dukshme, aq sa populli i ngriti këngën:
“Plasi lufta në zall të Kirit
Aferim taborrit Peqinit”
Krahas luftëtarëve e patriotëve si A. Gjinishi, Xhaf e Riza Çeka, A. Kruja, A. Sufali, M. Ashiku, Xh. Ballhysa, O. Çanaku etj. u dallua veçanërisht peqinasi Ismail Kadiu ushtarak, oficer i lartë që kishte studiuar në Stamboll e Vjenë. Ky mori pjesë në luftime kundër malazezëve, si dhe u konfliktua me Esat Pashën që tradhtoi interesat shqiptare (e që më vonë u vra pabesisht).
Patriotët demokratë peqinas dolën hapur kundër tradhtisë së Esat Pashës ndaj interesave të vendit e njerëzve të tij. Kështu në gazetën “Rilindja e Shqipërisë 6/19 Nëntor të vitit 1913 gjërësisht shkruhej “Një nëpunës karakteristik i Esat Pashës – një letër nga Peqini: Mbi ligësitë e Kadri beut (K. Bonati), njeri i zgjedhur i Esat Pashës”.
Në këtë kohë shikohet dhe qëndrimi përparimtar i peqinasve kundër Qeverisë reaksionare të Durrësit. Gazeta “Besa e shqiptarëve” – 24 Dhjetor 1914 theksonte: “Kryengritja e tiranasve dhe elbasanasve perfshijnë edhe Peqinin dhe Beratin. Dobësia e qeverisë së Durrësit ndihet kudo”.
Në vitet ‘20 u ndje fryma demokratike e kohës. Kështu në teqen e sheheve Gjinishas realizoheshin mbledhje të patriotëve vendas dhe të simpatizantëve me influenca e ide demokratike. Këtu mblidheshin dhe kuvendonin: Demir Godelli, Mehmet Peza, Ramazan Teqja, Xhaferr Çeka, Daut Elezi, Gud Kruja, Latif Kumbara, S. Kuqi, M. Kaziu, Ahmet Kaziu, Asllan Ballhysa, nga Dehimtë, Minoltë, Cantë, Gripshtë, Bedalltë, Dervishtë, Salitë, Biçtë, etj.
Në përfundim të kuvendimit patriotët peqinas zgjodhën Adem Gjinishi si delegat në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920, Si demokrat i orëve të para, ai u vra më 1923 nga njerëzit e Vërlacit e Zogut.
Në qytetin e Peqinit dominonte krahu demokrat. Ata kishin ngritur dhe nëndegën e shoqatës “Bashkimi” dhe interesoheshin gjerësisht për probleme të qytetit e të krahinës, apo organizonin popullin për fushata e ndihma financiare në dobi të vendit.
Kështu p.sh. në Fletoren zyrtare viti 1922, Nr. 46. 12 Tetor shkruhej në një artikull:
“Ministria e Arsimit”: “Falenderojmë popullsinë e Peqinit për ndihmat në ndërtimin e Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë “.
Banorët dalloheshin për; harmoni, patriotizëm, solidaritet reciprok e unik. Në nëndegën e shoqatës “Bashkimi” kishte intelektualë, tregtarë, pjesëtarë të besimeve të ndryshme fetare, etj.
Revolucioni demokratiko-borgjez në vitin 1924 pati ndikim shumë të madh edhe në Peqin. Figura e Fan Nolit pëlqehej dhe mbështetej këtu. Fjalët e Nolit për unitet e bashkim për përparimin shoqëror kundër ndarjes dhe sherreve mes shqiptarëve për periudhën e vështirë që kalonte vendi, gjetën përkrahje edhe në Peqin.
Për realizimin e këtij artikulli, falenderoj profesor Astrit Kaziun për bashkëpunimin e tij të vyer.