Shaban Murati/
Unë e kuptoj nevojën e regjimit të kaluar për të hiperbolizuar luftërat dhe betejat me pushtuesit gjermanë në çdo qytet të Shqipërisë. Në këtë dalldi nisi shumë vonë fushata dhe mania e festimeve të çlirimit të gjithë qyteteve shqiptare, të mëdha e të vogla, nga pushtuesi gjerman.
Një narrativë historiko-euforike e pavërtetë. Me përjashtim ndoshta të Tiranës. Datat e çlirimit të qyteteve shqiptare, që po festohen me vrull gjithandej, janë data të hyrjes së partizanëve në qytetet shqiptare, ku nuk kishte këmbë gjermani. Asnjë gjerman nuk kishte nëpër qytete se ata kishin marrë urdhërin të largoheshin të gjithë nga Shqipëria. Nuk pati asnjë betejë dhe asnjë luftë për çlirimin e qyteteve pa pushtues. Nuk pati asnjë dëshmor në ditën e çlirimit të qyteteve.
E vërteta historike duhet thënë siç ka qenë dhe jo siç e ka vulosur historiografia e realizmit socialist. Kjo nuk e zbeh rëndësinë luftës nacional- çlirimtare të popullit shqiptar kundër pushtuesve fashistë e nazistë.
Por fare mirë mund të thuhet se po festojmë ditën e hyrjes së partizanëve në qytete, se sa të mashtrojmë fëmijët me çlirimet e pandodhura të qyteteve tona.