NGA ILIR HASHORVA-New York/
Duke përdorur një shprehje matematike, mund të themi se korrupsioni dhe morali kanë korrelacion negativ: kur ulet njëri, ngrihet tjetri: kur ulet morali, korrupsioni ngrihet.
Në universitetin Luigj Gurakuqi të Shkodrës një pedagog i fakultetit juridik, për të kaluar një student në dy provime, kërkoi dhe mori prej tij 500 euro. Një turp i shumëfishtë, së pari, se pedagogu ishte jurist dhe, së dyti, sepse ishte arsimtar. Në një vend normal, në çast ministri i Drejtësisë do të ndiente përgjegjësi dhe do të jepte dorëheqjen dhe, po ashtu, edhe ministri i Arsimit. Por vendi ynë nuk është normal dhe të dy ministrat vazhduan punën, sikur të mos kishte ndodhur gjë. Po ashtu, opinioni publik, që mund të dëgjohet përmes shtypit, heshti. Heshti, ose sepse skandale të tilla tashmë konsiderohen si ngjarje të rëndomta prej të cilave jemi imunizuar dhe nuk na bëjnë përshtypje, ose sepse nuk arrimë të kuptojë pasojat e tyre.
Pedagogu i universitetit të Shkodrës mund të jetë një jurist i përkryer, një profesionist i mbaruar, por profesionalizmi i tij, edhe në qoftë se e ka, gjë që unë nuk besoj, me sjelljen që bën, jo vetëm që nuk shërben, por dëmton. Një pedagog i drejtësisë që shet provimin bën dy herë krim: së pari, sepse i prish moralin një studenti, një njeriu të së ardhshmes dhe, së dyti, sepse ai student, që nesër do të bëhet jurist dhe do të gjykojë të tjerët, edhe sikur të dojë, do të jetë krejt i paaftë për të gjykuar mirë e drejtë.
Me rastin e ardhjes në Tiranë të shahistit Gari Kasparov ca kohë më parë, i cili u prit me nderime të mëdha nga zyrtarë të lartë të qeverisë, duke përfshirë edhe kryeministrin, Edi Rama, dhe ministren e tij të Arsimit, Lindita Nikolla, dhe, siç e kemi zakon kur entuziazmohemi, bëjmë deklarata të bujshme të cilat i harrojmë që të nesërmen, aty për aty vendosën që lojën e shahut ta vinin në programet shkollore. Për këtë ngjarje bëra një shkrim në të cilin theksoja se në shkollat tona, për kushtet ku ndodhemi, duhen vënë, përveç të tjerave, jo shahu, por lëndë të tilla si edukata morale dhe ajo qytetare. Shkrimi u përkrah, por edhe u kritikua. Një ndër kritikuesit, shkruante: “Cfare kujton autori (domethënë, unë) se ne Korene e Jugut nxenesve u mesojne rregullat e miresjelljes ne restorant, apo si te kuptojne pikturat e Pikassos dhe muziken e Stravinskit? Jo or jo, u mesojne matematike, fizike, kimi, elektronike, programim kompjuterash etj kesisoji dhe po u teproi kohe, ose vete nxenesit sipas prirjeve dhe deshirave perfshihen ne kurrikula opsionale per formimin e pergjithshem kulturor”. Ky është sot mendim dominues në shoqërinë tonë: “të ngrihemi profesionalisht”, sepse “ashtu përparojmë dhe përfitojmë”, të tjerat nuk kanë rëndësi. Por, siç thotë Ajnshtajni, pa moral, nuk ngrihemi dot as profesionalisht, sepse “Cilësitë morale të personaliteteve të shquara janë shumë më të rëndësishme, sesa arritjet e tyre intelektuale. Madje edhe arritjet intelektuale janë të varura më shumë nga ç’mendohet nga karakteri i personit”.
Sot, me që kemi një rast të pastër korrupsioni, si pasojë e një morali të dobët shoqëror, po sqaroj sepse mendoj se edukimi moral i njerëzve është i një rëndësie të dorës së parë sidomos, duke pasur parasysh edhe se vendet më të pastra moralisht, vendet më pak të korruptuara, janë edhe vendet më të zhvilluara dhe më të lumtura të botës dhe se vendet më të korruptuara janë edhe vendet më të prapambetura dhe më të zymta të botës.
Sipas Transparency International, korrupsioni është një problem për të gjitha vendet, ndonëse jo njëlloj për të gjitha, madje me ndryshime të mëdha, dhe ka të bëjë me ryshfetin, me mosdënimin e të korruptuarve, me marrëveshjet e fshehta midis atyre që kanë në dorë fatet e vendit etj. Korrupsioni jo vetëm që shkakton vjedhjen e të ardhurave të pjesës më të lëndueshme të popullsisë, por minon drejtësinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit si dhe dëmton besimin publik mbi qeverinë dhe udhëheqësit e saj. Po sipas Transparency International, në vitin 2014, ndër 174 vende të botës, vendet e para për mungesë korrupsioni i zinin këto 7 shtete: Danimarka, Zelanda e Re, Finlanda, Suedia, Norvegjia, Zvicra, Singapori. Këto janë njëkohësisht edhe nga vendet më të zhvilluara, më të pasura dhe më të lumtura të botës. Shqipëria në atë renditje zinte vendin e njëqind e dhjetë, pra shumë poshtë mesatares botërore.
Për moralin në Korenë e Jugut, vend të cilin e përmend edhe kritikuesi i shkrimit tim, si dhe për atë në Japoni, po them se, para se të bëheshin vende të zhvilluara, patën kujdes ngritjen morale të popullsisë së tyre dhe për këtë po tregoj dy ngjarje domethënëse e tepër të çuditshme, sidomos për ne, që kanë lidhje me moralin.
Në Korënë e Jugut (sipas gazetës “Finacial Times, 29.12.1997 dhe sipas BBC, 15.1.1998)
Koreja e Jugut është një shtet që në 50 vitet e fundit, ka arritur të shtojë rreth 17 herë të ardhurat për frymë, duke arritur një nivel të lartë jetese si dhe një prodhim global të konsiderueshëm. Në disa degë prodhimi ajo është udhëheqëse botërore. Kohët e fundit, për shkak të disa të metave të politikës së saj ekonomike e financiare (është fjala për vitet 1997-1998), sidomos në investimet e huaja në ekonominë e saj, politikë e cila pasi i siguroi Koresë një prodhim, bollëk dhe fitim të jashtëzakonshëm për gjysmë shekulli, e hodhi sot në një krizë të përgjithshme monetare. Koreja e Jugut iu drejtuar disa organizmave financiare botërore si FMN dhe BB për ndihmë. Por, ja se ç’ndodhi:
Populli korean e ndjeu veten të fyer që qeveria e tij iu drejtua organizmave ndërkombëtare për ndihmë financiare. Ai e konsideroi këtë si një turp kombëtar i cili duhej shlyer me kontributin e të gjithë popullit. Kështu, populli vendosi të ndihmonte shtetin e tij me çdo gjë të çmuar që kishte. U hapën kudo qendra të pranimit të kontributeve të qytetarëve. Njerëzit zunë radhën në këto qendra për të dorëzuar te shteti, tek i cili, natyrisht, kishin besim të plotë, sendet e vyera që kishin: gratë e vajzat dorëzuan bizhuteritë, sendet e zbukurimit, apo ato që marrin vlera të shenjta kur kalojnë nga një brez te tjetri, apo kur dhurohen nga një njeri i dashur; sportistë dorëzuan kupat e arta, medaljet e arta, trofetë dhe suveniret e ndryshme; biznesmenët e të moshuarit dorëzuan çelësat e artë, simbole koreane të suksesit ose të jetëgjatësisë.
Sa popull krenar! Për një vend tjetër, sigurimi i huave nga FMN-ja apo nga BB-ja do t’i paraqitej popullit si një sukses i qeverisë dhe populli do të kënaqej për këtë.
Në Japoni (sipas gazetës Corriere della Sera, 14. 12. 1997):
Ky vend, i ngritur mbi katër ishuj relativisht të vegjël shkëmborë, pa asnjë pasuri natyrore, me një dendësi të madhe popullsie, zë vendin e dytë (sot të tretin) në botë për prodhim të përgjithshëm dhe është udhëheqës botëror në shumë degë të teknologjisë e të kërkimit shkencor. Popullsia e tij është tepër nacionaliste e tradicionaliste. Ai vend vetëm në shekullin e kaluar u hap ndaj botës. Tregimi që po japim dëshmon për një veçanti në moral që mund të jetë shkak për një mori të tjera dallimesh me rëndësi kundrejt popujve të tjerë, që ndikojnë pastaj në zhvillimin e atij vendi dhe të atij populli. Ky tregim i vërtetë dëshmon për një popull që nuk e njeh dhe nuk e pranon hilen, mashtrimin, dredhinë, frikën, egoizmin, madje i lufton rreptë ato.
Në vitin 1939, vdiq në Japoni me zemër të thyer, tepër i dëshpëruar nga përbuzja dhe braktisja Masabuni Hosono. Ishte i vetmi burrë japonez që u ndodh në të famshmin “Titanik” dhe shpëtoi nga vdekja natën e vitit 1912, kur bashkë me anijen, u mbytën dhe rreth 1500 pasagjerë.
Në një nga varkat e fundit të shpëtimit që lëshoi Titaniku, pasi zunë vend gratë dhe fëmijët, ngelën edhe dy vende bosh. Marinari që drejtonte varkën kërkoi që të ziheshin edhe ato dy vende. Një burrë u hodh i pari dhe zuri një nga vendet. Hosono, japonezi, u hodh i dyti dhe zuri vendin e fundit të lirë. Japonezi shpëtoi së bashku me 705 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë. Një gazetë amerikane e kohës shkroi për këtë ngjarje një artikull me titull “Japonezi me fat”. Ai japonez u bë në Japoni një nga më fatzinjtë. Sipas moralit japonez, ai vërtet shpëtoi jetën, por humbi nderin dhe jeta pa nder nuk i duhej kujt. Hosono nuk iu shmang dot për gjithë jetën përbuzjes së popullit dhe të afërme të tij. Ata nuk e falën kurrë atë, sepse, duke qenë burrë, kishte shpëtuar jetën e tij e cila u takonte vetëm grave dhe fëmijëve. Ai kishte tradhtuar sensin japonez të nderit. Ai për ta ishte bërë shembull i gjallë i një sjellje të poshtër, një sjellje frikacaku e egoisti të cilën nuk do ta pranonte asnjë japonez tjetër. Me shpëtimin që siguroi duke u hedhur në varkën e shpëtimit, ai tradhtoi shpirtin e vetësakrifikimit që dallonte një “samurai japonez” dhe që i jepte atij një vend nderi mbi atë të një njeriu të zakonshëm. Kur Hosono vdiq në vitin 1939, ishte kthyer në një njeri krejtësisht të dërmuar. Edhe familja e tij ndjehej e turpëruar për atë që kishte bërë ai: për mbijetesën e tij “të turpshme”.
E, pra, me popuj të edukuar në masë me moral, etikë e atdhedashuri si këta që përmendëm, vendi mund të bëjë çudira. Janë rregulla të shkruara e të pashkruara, por të zbatuara, etike e morale, të vendosura nga filozofë, moralistë e nga vetë shteti që përpunojnë moralisht mendësinë e njerëzve dhe që bëhen shkak më pas për shumë veprime të tjera me rëndësi të dorës së parë në zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të një populli dhe që e bëjnë atë që të zërë një vend nderi midis popujve të tjerë të botës.
Kur unë sugjeroja që në shkollat tona të rivihej si lëndë mësimore morali, ashtu siç kishte qenë dikur, dhe duhet të pranojmë që të parët tanë kanë qenë me moral shumë më të ngritur se ne, fëmijët e tyre, nuk pretendoja se ai do të ndryshonte gjendjen plotësisht dhe menjëherë. Ajo lëndë do të ndihmonte natyrisht, por janë edhe plot mekanizma të tjerë që ka në dorë shoqëria dhe shteti të cilat duhen venë në lëvizje, në mënyrë që gjendja të ndryshojë. Por vendosja e asaj lënde, do të tregonte, të paktën, se kemi një problem dhe se duam të ndryshojmë, se duam të bëhemi më të mirë, se duam të bëhemi më të moralshëm, se duam të dimë të dallojmë të mirën nga e keqja, gjë që sot edhe këtë e kemi vështirë ta bëjmë.
Nju Jork, 15.10.2015 Ilir Hashorva