-Kuvendi: Realizuam gjithë programin legjislativ të cilin qeveria e Kosovës e ka proceduar deri më tani/
-Po bëhet një vit që nga zgjedhja e qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Dhjetor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës, në një deklaratë të dërguar sot bën të ditur se, deri më tani, gjatë këtij viti, ka miratuar 68 projektligje.Qeveria e Kosovës thekson se, do të punojë me përkushtim maksimal deri më datë 31 dhjetor 2015, në mënyrë që të kompletohet axhenda legjislative e saj dhe që projektligjet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës. Përpos ligjeve të miratuara, sipas evidencave të qeverisë janë edhe 32 projektligje që duhet të kalojnë procedurat në Kuvend, meqë qeveria i ka miratuar dhe proceduar. Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh të nevojshme krijimin e kushteve dhe kontributin e të gjitha subjekteve politike në Kuvend, në pozitë dhe opozitë, në mënyrë që të përmbushet axhenda legjislative, e cila ka rëndësi themelore për vendin, si dhe që këto akte, pas shqyrtimeve dhe debatit kualitativ në Kuvend, të jenë sa më të kompletuara dhe në interes të qytetarëve dhe shtetit. Qeveria e Kosovës e konsideron të nevojshme dhe të domosdoshme miratimin sa më të shpejt të këtyre akteve ligjore, të cilat kanë rëndësi parësore për zhvillimin ekonomik, proceset integruese evropiane, arsimin, sigurinë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e shumë proceseve të tjera të rëndësishme për të ardhmen e vendit, përfundohet në deklaratë. Në 1 dhjetor, Kuvendi i Kosovës deklaronte se me seancën e 30 nëntorit të Kuvendit, në të cilën u shqyrtuan 16 projektligje, u ratifikuan dy marrëveshje ekonomike ndërkombëtare dhe u shqyrtuan një numër raportesh mbi punën e agjencive të ndryshme shtetërore, gjithsej 35 pika të rendit të ditës, realizoi të gjithë programin legjislativ të cilin qeveria e Kosovës e ka proceduar deri me tani në Kuvend. Me miratimin e Ligjit të Buxhetit të Kosovës për vitin 2016, Kuvendi më nuk ka asnjë projektligj të dërguar nga qeveria për shqyrtim e miratim në Kuvend. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, qeveria është instanca që sponsorizon projektligjet në Kuvendin e Kosovës.Po bëhet një vit që nga zgjedhja e qeverisë së re kosovare në Kuvendin e Kosovës në 9 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit. Pas zgjedhjes, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, për vitin 2015 kishte paraparë të përgatisë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend rreth 100 ligje.