
-Në 30 vjetorin e vizitës në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nesër – në 30 Gusht 2020, në Prishtinë përurohet busti i Senatorit Bob Dole/

-Para 30 vitesh, në fund të muajit Gusht 1990, në Kosovë erdhi një delegacion i Senatorëve dhe Kongresistëve Amerikanë në krye me Senatorin Bob Dole. Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, atëherë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në takim i kërkoi që ta mbështesin Pavarësinë e Kosovës si të vetmen zgjidhje për paqe në Ballkan/

-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, takim në Shkup, derisa konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999, u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.Vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë…/

-Në 7 Nëntor 2002: Presidenti Rugova emëroi Senatorin Amerikan Bob Dole Ambasador Nderi i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
-Në 24 Shkurt 2020 fotografia e shtatores i është dorëzuar Senatorit Amerikan Bob Dole/

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 29 Gusht 2020/ Me rastin e 30 vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga Senatori Bob Dole, nesër – në 30 Gusht 2020, në Prishtinë përurohet busti i Senatorit Dole.

Zbulimi i bustit të Senatorit Bob Dole nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë bëhet në në një ceremoni në orën 13:30 te Udhëkryqi i rrugëve Bob Dole dhe Bill Clinton në lgjane Dardania në Prishtinë.

Në ceremoni do flasin Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Ambasadori i SHBA në Kosovë Philip Kosnett dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka.

Gjatë veprimtarive të ditës së nesërme të 30 vjetorit të vizitës në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla në ora 11:00 do të bëjë zbulimin e pllakës përkujtimore për nder të këtij përvjetori në Sheshin Nënë Tereza.

Poashtu në Shesh, në ora 11:10, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të hapë ekspozitën e fotografit Hazir Reka, me fotografi unike nga vizita e delegacionit të Senatit amerikan në 29 Gusht të vitit 1990.
Para 30 vitesh, në fund të muajit Gusht 1990, në Kosovë erdhi një delegacion i Senatorëve dhe Kongresistëve Amerikanë në krye me Senatorin Bob Dole. Në rrethana të okupimit të Kosovës nga Serbia, policia serbe me masa represive e me gaz lotsjellës nuk lejoi tubimin e shqiptarëve për të përshëndetur delagacionin nga Amerika, madje mezi lejoi ardhjen e delegacionit nga Aeroporti deri në hotelin Grand.
Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, atëherë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në takim i kërkoi delegacionit Amerikan me në krye Senatorin Dole që ta mbështesin Pavarësinë e Kosovës si të vetmen zgjidhje për paqe në Ballkan. Ndërsa, nga fundi i Shtatorit 1990 Rugova vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës…
KOSOVA PARA 21 VITEVE: CLINTON-RUGOVA-DOLE, PARALAJMËRIM LIRIE…
E para 21 viteve, në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me Senatorin Amerikan Bob Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.
Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999, u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.
Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991 me votim 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…
Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i Ditës së Lirisë – 12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë, në vendin që në 2020-tën festoi 21 vjetorin e lirisë e 12 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.
Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Presidenti Rugova pas takimit. Ndërsa, Presidenti Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s…
Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksonte në atë ditë e orë historike Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s…
Njëmbëdhjet vite pas takimit në Uashington, në 1 Nëntor 2009 në Kosovën e lirë Presidenti Amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.
Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…
7 NËNTOR, 2002: PRESIDENTI RUGOVA EMËRON SENATORIN AMERIKAN BOB DOLE AMBASADOR NDERI I KOSOVËS NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Në 7 Nëntor 2002 Presidenti Ibrahim Rugova ka emëruar Senatorin shumëvjeçar Amerikan, Bob Dole Përfaqësues të Lartë të Kosovës me titull Ambasador Nderi i Kosovës në Shtetet e Bashkuara.
Edhe më atë rast, Presidenti historik Rugova ka thënë se Bob Dole është mik i madh i Kosovës dhe më shumë se një dekadë e ka përkrahur çështjen e Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.
Në njoftimin e Presidencës theksohej se, tani Zyra e Senatorit Dole do t’i përfaqësojë interesat e Kosvës në Uashington, pranë Administratës, Kongresit, Senatit dhe komunitetit të biznesit amerikan.
Presidenti Rugova ka theksuar se ky ishte një moment i rëndësishëm për te dhe për popullin e Kosovës.
24 SHKURT 2020: FOTOGRAFIA E SHTATORES I ËSHTË DORËZUAR SENATORIT AMERIKAN BOB DOLE
Në 24 Shkurt 2020 Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i ka dorëzuar Senatorit Amerikan Bob Dole një fotografi të shtatores që do të vendoset në Prishtinë.
“Ishte kënaqësi që t’ia dorëzoja personalisht një foto të shtatores së Senatorit Bob Dole e krijuar nga Luan Mulliqi, e cila do të zbulohet së shpejti në Prishtinë. Njeri i mrekullueshëm”, ka shkruar Ambasadori Kosnett me atë rast.
Vendimi për ndërtimin e një shtatore për një prej miqve më të mëdhenj të Kosovës ishte marrë më 22 Korrik 2019 me rastin e ditëlindjes së Senatorit Dole.
Media ka raportuar se Senatori Dole ishte ndjerë jashtëzakonisht i lumtur për lajmin që e kishte marrë rreth ndërtimit të shtatores në Prishtinë.
22 KORRIK 2019: PËR SENATORIN AMERIKAN BOB DOLE SHËNIMI I DITËLINDJES DHE INICIMI I NDËRTIMIT TË BUSTIT NË PRISHTINË
Në 22 Korrik 2019 atëherë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për Senatorin Amerikan Bob Dole në Prishtinë ka përkujtuar vizitën historike të Gushtit 1990.
“Përderisa Senatori Dole ishte në hotelin ‘Grand’ duke bashkëbiseduar me udhëheqësin e atëhershëm të shqiptarëve, presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova, policia, regjimi i Millosheviçit kishte filluar keqtrajtimin e qytetarëve jashtë. Kjo vizitë ishte kthesë, kjo vizitë ishte një nismë për së mbari e Kosovës dhe kështu u vazhdua nga të gjithë ata që na nderuan me vizita më pastaj në Kosovë dhe kështu u vazhdua me përkrahjen e vitit ’99, me ndërprerjen e tragjedisë dhe kthimin e jetës në Kosovë dhe mendoj se sot i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe këtë miqësi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se janë të gëzuar që populli i Kosovës i drejtohet me një nderim dhe në shenjë falënderimi për kontributin e tij jetësor për Kosovën, Senatorit Bob Dole.
“Falënderojmë presidentin Trump për kujdesin për Kosovën dhe njëkohësisht urojmë që miqësia jonë Kosovë-Amerikë të jetë e përjetshme. Zoti e Bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Amerikën!”, tha Haradinaj.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, falënderoi për mundësinë e këtij çasti frymëzuese, duke thënë se bashkë me bashkëshorten e tij janë të nderuar që janë dëshmitarë të vënies së gurthemelit dhe po ashtu edhe Senatori Bob Dole është prekur nga ky nderim.
“Gjatë tërë jetës së tij në shërbim, fillimisht si hero i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kandidat për President të SHBA-ve dhe tani si njëri ndër burrështetasit më të respektuar, Bob Dole i ka prirë gjithmonë shtytjes përpara të kauzës së lirisë në tërë botën. Andaj, nuk ishte fare befasi që ai u bë mbështetës i pazëvendësueshëm i Kosovës, duke qëndruar përkrahë popullit të këtij vendi në përpjekjet tuaja për ta ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, tha Ambasadori Amerikan Kosnett.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se nuk ka mënyrë më të mirë sesa kjo e sotmja që t’i urojmë senatorit Bob Dole ditëlindjen e tij, e në të njëjtën kohë nuk ka ditë më të mirë se kjo e sotmja që bashkërisht të konfirmojmë përjetësimin e kujtesës për gjithë rolin dhe kontributin që Senatori Bob Dole ka pasur në Kosovë.