PRISHTINË, 11 Gusht 2015/ Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe Ethel Sennhauser, Udhëheqëse Globale për Bujqësi në Bankën Botërore, në një takim sot në Prishtinë u pajtuan që të vazhdojnë komunikimin në mënyrë që në të ardhmen e afërt të konkretizojnë hapat e bashkëpunimit në projekte të rëndësishme dhe strukturore për bujqësinë.
Sennhauser shprehi gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen, duke e vlerësuar programin e ministrisë në mbështetje direkte për fermerët. Ajo në veçanti vlerësoi të arriturat e deritanishme në bujqësi dhe rritjen e efikasitetit.
MBPZHR-ja dhe Banka Botërore kanë bashkëpunim të ngushtë në sektorin e bujqësisë në disa projekte, dhe mundësitë e reja për bashkëpunim ishin temë e këtij takimi.
Ministri Krasniqi prezantoi të arriturat dhe sfidat gjatë këtij viti në këtë sektor, duke shtuar se ka një avancim në shumë procese. Ai foli për mundësitë e reja që kanë qenë këtë vit në bujqësi dhe mbështetjen që po e jep MBPZHR-ja. Krasniqi tha se edhe në të ardhmen do të rritet dhe zgjerohet mbështetja, duke pasur në fokus rritjen e prodhimit dhe cilësinë e tij. Në këtë drejtim ai falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen që i ka dhënë bujqësisë në Kosovë, në vazhdimësi.
“Këtë vit ne do të ndajmë grante shumë të vlefshme për fermerët dhe që janë mjaftë premtuese për rritjen e prodhimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Në implementimin e këtyre politikave dhe programeve prioritet kryesor mbetet rritja e efikasitetit”, tha Krasniqi.
“Por natyrisht, përkundër investimeve të shumta të ministrisë, sfidë për ne mbetet sistemi i ujitjes, shtrirja e tij në gjithë Kosovën, konsolidimi i tokave dhe përmirësimi i dukshëm i infrastrukturës rurale, për të cilat besoj me një angazhim dhe bashkëpunim me të gjithë partnerët do të bëjmë avancime”, tha ai./b.j