Foto: Vetëm disa qindra metra larg Vilës Gorica, ku janë mbajtur takimet e Thaçit, janë mbledhur qindra protestues me flamuj të Serbisë dhe Rusisë./
Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi Igor Llukshiq, kanë vlerësuar se marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Podgoricës janë të mira dhe miqësore dhe se disa çështje të pazgjidhura së shpejti do të tejkalohen.
Thaçi po qëndron për vizitë zyrtare në Mal të Zi, për herë të parë në këtë shtet.
“Miqësia e popullit të Kosovës dhe e malazezëve është shumë e gjatë dhe e mirë. Është një miqësi më e vjetër se shtetet tona dhe paraqet model edhe për vendet e tjera. Unë jam sot këtu për të punuar, për të thelluar këtë bashkëpunim ndër-institucional midis Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.
Edhe homologu i tij malazez është shpehur në të njëjtën frymë, duke thënë se marrëdhëniet midis dy vendeve janë përmbajtjësore.
Llukshiq ka kujtuar se, vitin e kaluar, janë nënshkruar nëntë marrëveshje midis Malit të Zi dhe Kosovës.
“Në këtë kontekst, këtë vit duhet të ndikojmë që në nivelin e ekspertëve, sa më shpejt të përfundojë puna e demarkacionit të kufirit dhe të përgatisim gjithçka për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje gjatë vitit 2015”, ka thënë Llukshiq.
Në aneksin VIII, artikullin 3, të Planit të të dërguarit të posaçëm të Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, thuhet se territori i Kosovës “do të definohet nga kufijtë e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në kuadër të Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, ashtu siç ishin përcaktuar më 31 dhjetor të vitit 1988, përveç ndryshimit me marrëveshjen për demarkacion të kufirit ndërmjet Republikës Federale të Jugosllavisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, më 23 shkurt 2001”.
Thaçi në Podgoricë është pritur me protesta të personave të zhvendosur nga Kosova dhe të një pjesë të opozitës pro-serbe.
Vetëm disa qindra metra larg Vilës Gorica, ku janë mbajtur takimet e Thaçit, janë mbledhur qindra protestues me flamuj të Serbisë dhe Rusisë.
Të tubuarve u është drejtuar kryetari i Asociacionit të të Zhvendosurve nga Kosova, Millenko Jovanoviq, i cili ka akuzuar autoritetet e Malit të Zi, se me vizitën e Thaçit, po bëjnë përpjekje “të legalizojnë spastrimin etnik në Kosovë”.
Jovanoviq i është drejtuar me fjalë fyese Thaçit, duke e quajtar, siç ka thënë ai, “kasap të Drenicës”.
Ai po ashtu ka akuzuar Thaçin për, siç është shprehur, “trafikim të organeve” të pengjeve serbe.
Masa ka brohoritur edhe mesazhe si “Vrisni shqiptarët”.
Protesta është përcjellë nga një numër i madh i forcave të sigurisë, të cilat kanë bllokuar rrugët përreth.
I pyetur të komentojë protestat kundër vizitës së tij dhe akuzat që e lidhin me krime lufte, Thaçi ka thënë se duhet të respektohen mendimet e njerëzve.
“Ne jetojmë në shoqëri demokratike. Mali i zi është shtet i tillë, në të cilin respektohen opinionet e ndryshme. Njerëzit kanë të drejtë të shprehin mendimet e tyre dhe ne duhet t’i respektojmë”.
Duke iu përgjigjur së njëjtës pyetje, Llukshiq ka thënë se Thaçi është i mirëseardhur dhe se me të ka pasur bisedime mjaft konstruktive.(Kortezi:Valona Tela)
SAMI says
PO TROJET SHQIPTARE DUHEN MEU CAKTUA GJITHA VISET SHQIPTARE KUFIT QË JAN DHAN DUHEN MEU KTHYE PA KUSHT ATHER MUNDEMI MEU STABILIZU SI RAJON .