-Kuvendi i Republikës së Kosovës zhvilloi seancë të veçantë për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer/
-Lidhjet e shumëfishta miqësore me Austrinë për Kosovën paraqesin një vlerë kombëtare-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 29 Tetor 2015/ Kuvendi i Republikës së Kosovës zhvilloi sot seancë të veçantë solemne për nder të presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, i cili theksoi se, ndër shtetet e para kemi qenë si Austri që e kemi pranuar shtetin e Kosovës.
“Dhe, në një kohë të mëhershme kemi zhvilluar dhe kontribuar për studimet e ndryshme dhe njohjen e vendit të Kosovës si shtet por edhe për investime në fushën ekonomike, dhe për një zhvillim ekonomik i cili e jep mundësinë për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe besoj shumë që kjo do të shërbejë edhe më tej në raportin e mirë dhe miqësor në mes Kosovës dhe Austrisë dhe e cila do të kontribuojë në rend të parë për Kosovën dhe ne si Austri jemi të angazhuar që marrëveshjet të cilat arrihen në fillim të këtij viti, që miku im Ahtisari nga Finlanda ka qenë aktiv në shtetndërtimin tuaj dhe këto marrëveshje të realizohen në mënyrë paqësore dhe të bëhen ashtu siç janë parashikuar”, u shpreh presidenti austriak Fischer.
“Ne do të mundohemi që edhe në vitet e ardhshme të kemi marrëdhënie të mëtejshme, t’i thellojmë dhe intensifikojmë bashkëpunimin ekonomik dhe kjo është një çështje për politikën e jashtme thelbësore si rrugë për të qenë pjesë e BE-së dhe integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Pra, është i kuptim plotë se integrimi në Evropë nuk është asgjë tjetër veç se një mësim nga historia”, theksoi Fischer.
“Kisha paraparë 15 minuta të flas dhe të ju drejtohem juve për t’u përgjigjur ftesës tuaj që të shpalosë disa mendime për demokracinë, për pluralizmin dhe Evropën”, u shpreh presidenti austriak.
“Edhe një herë dua të falënderohem përzemërsisht për ftesën tuaj dhe e di që kjo nuk është përditshme dhe këtë e vlerësoj shumë dhe falënderoj shumë për vëmendjen tuaj dhe të Parlamentit në këtë vend, demokracisë së vendit, Qeverisë e po ashtu opozitës çdo të mirë dhe përshëndetemi nga ju me dëshirat më të mira për zonjën presidente dhe të ardhmen e vendit tuaj. Faleminderit!”, ka përfunduar presidenti Fisher, i përcjellë me duartrokitje, sikurse edhe në momentin e hyrjes në sallën e sencave të Kuvendit të Kosovës.
“Në emër të Kuvendit të Kosovës, dua t’i shpreh gjithë mirënjohjen shtetit dhe popullit austriak për ndihmën e vazhdueshme dhënë popullit tonë, në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme, në ditët e vështira që ne kaluam nga koha e çlirimit deri tek pavarësia”, tha kryeparlamentari kosovar, Kadri veseli, duke iu drejtuar presidentit të Austrisë Heinz Fischer.
“Zotëri President, lidhjet e shumëfishta miqësore që vendi ynë ka me vendin tuaj për ne paraqesin një vlerë kombëtare. Ne do të vazhdojmë t’i kultivojmë këto lidhje në funksion të paqes, stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të plotë të Ballkanit perëndimor, që tani është në rrugën e përbashkët të integrimit në familjen e madhe të demokracive evropiane”, ka theksuar Veseli, duke i uruar mirëseardhje presidentit Fischer edhe në gjermanisht dhe duke e ftuar që t’i drejtohet Parlamentit të Kosovës.
Ai theksoi se, fjalimi i presidentit austriak “shprehë më se miri frymën e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona, shprehë përkushtimin e shtetit austriak për t’i qëndruar pranë vendit tonë, në rrugëtimin e tij të konsolidimit demokratik, zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian”.
Adresimi i Presidentit të Austrisë, Heinz Fischer, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte pika e vetme e axhendës, ndërsa sot ishte seanca e parë e sesionit vjeshtor pa bllokatën e opozitës së bashkuar të tre partive, e cila është shprehur se adresimi i presidentit austriak është nder për Parlamentin.
Liderët e opozitës kanë pasur një takim ku megjithë rezervat e shprehura për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, se “ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera”, është konfirmuar se “opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në”.
Presidenti austrik dje në takim me presidenten kosovare është shprehur se “ne po i vëzhgojmë me interes edhe ngritjen dhe forcimin e sistemit demokratik në Kosovë, bashkëpunimin midis qeverisë dhe opozitës, gjë që në të gjitha demokracitë është një problem, që mund të jetë problem i vështirë dhe në të cilin mund të ketë momente të vështira”.
“Mirëpo, me vullnet të mirë, këto vështirësi mund të tejkalohen. Këtë e kanë kaluar edhe shtete të tjera demokratike. Edhe për Kosovën do të ketë një sistem të mirë dhe solid demokratik dhe një bazë të mirë ligjore, e cila shërben edhe për zgjidhjen e problemeve”, theksoi presidenti Fischer.
Ndërsa, në takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli, duke folur për gjendjen aktuale të krijuar në Kuvendin e Kosovës, presidenti Fischer theksoi se, “ne në Austri, sidomos në përvojën shumë të mirë të Republikës së Dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, besojmë se problemet dhe çështjet, edhe kur janë të dhimbshme, duhet të trajtohen e zgjidhen në mënyrë paqësore dhe demokratike”.
Presidenti i Austrisë, Heinz Fischer sot, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë e nisi me takimin në mëngjes me kryeministrin Isa Mustafa.
Në vazhdim të axhendës, sot, presidenti Fischer dhe presidentja Jahjaga marrin pjesë në Forumin Ekonomik Kosovar-Austriak në Prishtinë dhe vizitojnë Prizrenin, Kishën Katolike dhe Xhaminë e Sinan Pashës në qytetin më të madh jugor të Kosovës.