Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 27 Gusht 2021/ Kosova në 17 Tetor 2021 mbanë zgjedhe lokale, të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999. Në një njoftim dërguar korrespondentit në Kosovë të Gazetës DIELLI bëhet e ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. Në këtë mbledhje, KQZ filloi procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen më 17 Tetor 2021. KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 48 subjekteve politike (18 parti politike; 1 koalicion; 17 iniciativa qytetare; 12 kandidatë të pavarur) dhe 552 kandidatëve të tyre. Numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kryetar Komune është 26, ndërsa numri i kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvende Komunale është 526 kandidatë. Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për moscertifikim të dy kandidatëve të pavarur, pasi të njëjtit nuk janë në përputhje me nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. KQZ do të vazhdojë procesin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre në mbledhjet e radhës, thekson njoftimi dërguar nga Valmir Elezi -Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Para 4 viteve, të dielën e 22 Tetorit 2017, Kosova votoni në zgjedhjet lokale për kryetarët dhe asambleistët e komunave. Garojnin gjithësej 91 subjekte politike, prej tyre 35 parti, 30 iniciativa qytetare, 25 kandidatë të pavarur dhe 1 koalicion, ndërsa fushata elektorale njëmuajshe kishte nisur në 21 Shtator. “Për komunën tënde. Voto” ishte sllogani i Zgjedhjeve Lokale 2017, i miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve… Kosova ka gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës. Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së. Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj. Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. Zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017 u mbajtën në afat të rregullt, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 Nëntorin 2013, ndërsa në 2017-tën në Kosovë kishte edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në 11 Qershor, 3 vjet pas atyre të 8 Qershorit 2014. Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000, ndërsa zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017 ishin të shtatat. Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008. Ndërsa, zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare-në 17 Nëntor.Kosova në në 2017-tën mbajti edhe zgjedhje parlamentare, të parakohshme, të gjashtat në liri, të tretat pas shpalljes së pavarësisë. Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj. Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit. Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.