Nga B.Jashari/.-Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u takua sot me presidentin e AKR-së, Behxhet Pacolli, ku ka përsëritur se është e domosdoshme që të ketë pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike për të përcaktuar dinamikën e punëve, si dhe për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat duhet të mbahen brenda pjesës se parë të këtij viti.
“Mustafa dhe Pacolli janë pajtuar për finalizimin e reformës zgjedhore. Po ashtu, ata kanë biseduar edhe për dinamikën e veprimeve të tjera, me qëllim që të gjitha subjektet politike, së bashku me institucionet, të angazhohen për të përgatitur zgjedhje të rregullta dhe demokratike”, bëhet e ditur në njoftimin e dërguar nga LDK.
Theksohet se, për të biseduar për këto çështje, deri më tani Mustafa është takuar edhe me kryetarin e PDK-së dhe me atë të AAK-së, ndërsa në ditët në vijim do të takohet edhe me liderët e subjekteve të tjera politike, me qëllim të koordinimit të të gjitha veprimeve.