-Ministri I jashtem Enver Hoxhaj: Bashkëpunimi rajonal pa Kosovën është i pakompletuar-/
Nga B.Jashari/.-Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, mori pjesë sot në punimet e takimit të dytë jo formal të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).
Nga Bukureshti, MPJ kosovare në njoftimin e dërguar bën të ditur se, para ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të kësaj organizate të rëndësishme, ministri Hoxhaj ka folur për relevancen e SEECP-s për rajonin si dhe argumentet pse Kosova duhet të anëtarësohet në këtë organizatë.
Ministri Hoxhaj tha se ky takim është një mundësi e mirë për të diskutuar perspektivat dhe shqetësimet lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, duke shtuar se prezantimi kredibël në këtë takim dëshmon se SEECP do të mbetet një platformë serioze e avancimit të bashkëpunimit në rajon.
“Ne ndajmë të njëjtat pikëpamje se projekti evropian është i bazuar në bashkëpunim, si një mjet për fuqizimin e pajtimit, zhvillimit ekonomik dhe progresit të mëtejshëm. Prandaj, angazhimi për bashkëpunim rajonal është në të njëjtë kohë nevojë dhe instrument efektiv për integrime evropiane”, tha Hoxhaj, duke shtuar se SEECP-ja mund të jetë një forum serioz në fuqizimin e bashkëpunimit dhe axhendës integruese.
Hoxhaj shpreh përkushtimin e Kosovës për të punuar bashkërisht për të shmangur perceptimin e Ballkanit si një model i ndarjes, dezintegrimit dhe dhunës. “Përpjekjet tona të përbashkëta mund të transformojnë Ballkanin në një rajon që gjeneron paqe, stabilitet dhe prosperitet”, tha ai.
Lidhur me përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat rajonale, ministri Hoxhaj tha se në gjashtë vjetët e fundit Kosova ka pasur dy fokuse kryesore, shtetndërtimi i brendshëm, ku ne arritëm të ndërtojmë një shtet multietnik, demokratik dhe sekular, dhe fokusi i dytë ishte fuqizimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Që nga viti 2008, Kosova i ka provuar bashkësisë ndërkombëtare se është një faktor i sigurisë dhe stabilitetit në rajon, dhe kemi dëshmuar vullnetin për të fuqizuar bashkëpunimin me të gjithë fqinjët dhe vendet e rajonit.
Duke iu referuar edhe marrëveshjes së arritur në mars 2012 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë lidhur me përfaqësimin dhe pjesëmarrjen rajonale, për këtë çështje dhe sfidave me të cilat është ballafaquar Kosova që atëherë për anëtarësimin në këto organizata, Hoxhaj theksoi rezultatet që janë arritur si dhe pengesat që janë hasur në këtë drejtim si pasojë e politikave përjashtuese dhe pozitave bllokuese të Serbisë.
“Bashkëpunimi rajonal pa Kosovën është i pakompletuar”, tha Hoxhaj, duke shprehur përkushtimin e plotë të Kosovës për të qenë pjesë e të gjitha institucioneve dhe organizatave në rajon.