-Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti koordinohen për takimin në Uashington/
-Sot në Kuvend: Raportim i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debat parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi/
PRISHTINË, 23 Qershor 2020-Gazeta DIELLI/Para udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti janë takuar sot dhe i kanë harmonizuar qëndrimet për një përfaqësim sa më të mirë të Republikës së Kosovës në takim të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë vizion të qartë dhe pajtueshmëri të plotë për një përfaqësim shtetëror sa më dinjitoz në rifillimin e dialogut, i cili pritet të jetë i vështirë.
Republika e Kosovës është e bekuar më mbështetjen e partnerëve të saj strategjikë dhe krerët shtetërorë janë shprehur optimistë se ky proces do ta përmbyllë kapitullin e hidhur të luftës dhe do ta forcojë paqen në gjithë rajonin tonë, thekson deklarata dërguar nga Presidenca.
Kuvendi i Kosovës mblidhet sot pasdite në një seancë plenare, ku në axhendë janë edhe këto dy pika: Interpelancë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z, Avdullah Hoti; Raportim i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debat parlamentar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Kryeministri Hoti të enjten pritet të udhëtojë në Bruksel për takime me krerë të Bashkimit Evropian e prej atje shkon Uashnigton, ku së bashku me presidentin Thaçi të shtunën do të kenë takim të dialogut Kosovë-Serbi.