-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takim me komunitet pakicë: Para një dekade e gjysmë ishim vend që kishte filluar rindërtimin nga diskriminimi dhe nga lufta ndëretnike. Nuk është ende as një dekadë që jemi bërë shtet i pavarur, por kemi arritur të ecim më shpejt se çdo vend tjetër në rajon drejt ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët/
-Këshilli Konsultativ për Komunitete është formuar formalisht në vitin historik 2008, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. E më herët, ka filluar me punë në vitin 2005 si trup joformal i bashkangjitur delegacionit kosovar në bisedimet për statusin dhe është i formuar prej përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 11 Maj 2016/ Kosova është model se si të ndërtohet një shoqëri multikulturore, tha sot Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në takim me Këshillit Konsultativ për Komunitete, ku është diskutuar për gjendjen e komuniteteve në përgjithësi në Kosovë, për të arriturat e deritashme dhe për punën që duhet bërë në të ardhmen, ndërsa në mesditë do ta vizitojë komunitetin kroat në Janjevë, duke nisur nga Kisha e këtij fshati.
Presidenti Thaçi tha se Kosova sot nuk merr shembuj nga rajoni, por është bërë shembull për rajonin. Kosova, vijoi ai, është shembull se si duhet të promovohet dialogu dhe se si duhet të ndërtohet një shtet që është shtëpi e të gjitha komuniteteve, me një shoqëri multikulturore, ku të gjithë, pa dallim përkatësie etnike, do të mund ta ruajnë dhe ta kultivojnë identitetin dhe kulturën e tyre.“Para një dekade e gjysmë ishim vend që kishte filluar rindërtimin nga diskriminimi dhe nga lufta ndëretnike. Nuk është ende as një dekadë që jemi bërë shtet i pavarur. Por, në këto pak vite kemi arritur të ecim më shpejt se çdo vend tjetër në rajon drejt ndërtimit të shtetit tonë të përbashkët”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai theksoi se rruga që kemi bërë nuk ka qenë e lehtë, sepse transformimet nëpër të cilat është dashur të kalojmë si shoqëri kanë qenë të mëdha.“Në negociatat për ndërtimin e shtetit të Kosovës treguam pjekuri dhe vizion politik, duke pranuar provizione që akomodonin të gjitha komunitetet. Kemi ndërtuar mekanizma për të inkurajuar pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, pa marrë parasysh numrin e tyre, në jetën publike e institucionale në Kosovë. Mekanizma për të ruajtur dhe për të promovuar identitetin e tyre”, tha presidenti Thaçi.Ai u shpreh se janë vënë themele të forta dhe të qëndrueshme, por ka ende shumë punë për të bërë. “Edhe këtu jemi të bashkuar. Hallet tona, ambiciet tona, synimet tona nuk na ndajnë, por na bashkojnë”, theksoi Thaçi.Për punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete, presidenti Thaçi tha se është qenësore për të zhvilluar një debat të mirëfilltë, kur është në pyetje mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve në Kosovë.“Askush nuk mund të thotë që Kosova është e përsosur dhe nuk përballemi me sfida. Muret që na kanë ndarë në të kaluarën ende nuk i kemi shembur të gjitha. Por, me rëndësi është që kemi gjetur çelësin për këto probleme, dialogun mes nesh. Këtu roli juaj është i pazëvendësueshëm”, iu tha presidenti Thaçi anëtarëve të Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Presidenti Thaçi tha se lista e sukseseve të shtetit të Kosovës do të rritet, duke na bërë krenarë që jemi qytetarët e shtetit më të ri, porse tani mbetet që së bashku të punojmë për të realizuar aspiratën tonë për Kosovën euroatlantike.“Do të keni përkrahjen dhe bashkëpunimin tim gjithmonë”, siguroi presidenti Thaçi. Në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjes President i Republikës në 7 prill, Thaçi është shprehur se do të jetë faktor unifikues politik dhe qytetar, përfaqësues i të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, feje, race dhe gjinie.Këshilli Konsultativ për Komunitete në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është formuar formalisht me dekret të Presidentit në vitin historik të Pavarësisë 2008 në 15 shtator dhe ka mbajtur seancën inauguruese në 23 dhjetor.
E më herët, ka filluar me punë në vitin 2005 si trup joformal i bashkangjitur delegacionit kosovar në bisedimet për statusin dhe është i formuar prej përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë.Këshilli ka formuar kornizën për mbrojtën e të drejtave të komuniteteve në Kosovë e cila ka mundësuar dhe zhvilluar sistemin e akteve kushtetuese dhe ligjore për të siguruar mbrojtjen e plotë të drejtave individuale dhe të drejtave të komuniteteve për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë.
Korniza është prezantuar gjatë bisedimeve për statusin dhe më vonë ka shërbyer për hartimin e Ligjit për avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre, të miratuar ne vitin 2008 (Ligji për Komunitete).
Mandati i Këshillit Konsultativ për Komunitete përfshinë sigurimin e mekanizmit për shkëmbimin e mendimeve në mes të komuniteteve dhe qeverisë së Kosovës. Mes tjerash, u ndihmon organizatave dhe bën artikulimin e qëndrimeve të komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesve të tyre kur janë ne pyetje legjislacioni, politikat publike dhe programet më rendësi të veçantë për komunitetet.
SIPAS REGJISTRIMIT TË POPULLSISË TË PRANVERËS 2011: KOSOVA 92.93 % SHQIPTARË. PJESA TJETËR E PËRQINDJEVE IU TAKON KOMUNITETEVE PAKICË
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Edhe në veriun me shumicë serbe pritet regjistrimi i popullsisë në vjeshtën e këtij viti, pasi qeveria në prill ka miratuar Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave në Komunat e Kosovës që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.