NGA DALIP GRECA/
Kosova në Kurth. Ka rënë në kurthin e vetëvetes. Me ndihmën e aleatëve të mëdhenj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Europës (Kjo e fundit e penduar për padrejtësitë historike ndaj Kombit Shqiptar), fitoi luftën, por tash, 16 vite pas fitores, 7 vite pas shpalljes së Pavarësisë, e dehur nga Liria, ka rënë në kurthin e vetëvetes, po humbet Paqën.
Kryearkitekti amerikan i betejës finale, që udhëhoqi kualicionin(defacto) Presidenti Bill Clinton, në agimin e Lirisë së Kosovës, ua pat lënë një mesazh kuptimplot shqiptarëve të Kosovës:”Ne e fituam Luftën, por dëgjoni-Paqen mund ta fitoni vetëm Ju”!
Shkrimtari Ismail Kadare shkroi 12 vite pas lufte se: “Fraza e famshme e Presidentit Amerikan Clinton, të fitojmë Luftën, por të mos humbim Paqën, u tha pikërisht për Kosovën. Më shumë se një parandjenjë e keqe, ka qenë një paralajmërim, fatkeqsisht, i saktë”!
Përse nuk e dëgjoi Kosova këtë këshillë? Përse nuk e mori në sy këtë paralajmërim që vinte nga Atdheu i Presidentit Willson?
Duket se liderët e Kosovës, klasa politike, me naivitetin e saj, me padurimin e saj të skajshëm, me ngrefosjen burracake, me mllefin për kundërshtarin politik deri në urrejtje, po i bënë gropën lirisë në Kosovë, po e minon Paqen, duke e bërë të pasigurtë të tashmen e duke rrezikuar të ardhmen.
Harresa është vetëvrasje. Duket se Kosova e harroi shpejt pushtuesin serb që për një shekull e robëroi dhe ia vrau lirinë. Tek përgatiste opinionin publik botëror që ta pranonte luftën e kualicionit SHBA- EUROPE; të pranonte bombardimet e NATO-s mbi Serbi, Presidenti Clinton, u qante hallin shqiptarëve dhe kësisoj bëhej avokat i popullit martir të Kosovës, që po kanosej nga një katastrofë shfarosëse, ku popullsia kishte marrë arratinë, kishte lënë shtëpitë dhe endej natë e ditë maleve, pyjeve, ku fëmijë, pleq, gra, mbanin mbi kokë rrezikun e vdekjes, dhe Presidenti jepte shpresa:”…Ata do të kthehen…dhe kur të kthehen do të jenë të sigurtë. Do të kenë mundësi t’i rihapin shkollat e tyre, të flasin gjuhën e tyre, të ushtrojnë fenë e tyre, të zgjedhin liderët e tyre(ndoshta jo këta që kanë sot-shënimi im dg) dhe farkëtojnë fatin e tyre. Nuk do të ketë më ditë të mbushura me kërkime ushqimesh në mes të ftohtit të maleve e të pyjeve; nuk do të ketë më net fshehjesh nëpër qilare, duke vrarë mendjen nëse e nesërmja do të sjellë vdekje apo shpëtim. Ata do të mësojnë se ushtria e Millosheviçit dhe forcat e tij paramilitare do të largohen; fushata e tij 10 vjeçare e shtypjes do të marrë fund…”. Presidenti Bill Clinton dhe Amerika e mbajtën fjalën, Millosheviçi me ushtrinë e tij vrasëse u përzunë nga Kosova, po ku është Liria? Atë po e vret përditë, pa mëshirë klasa e vet politike, që i mungon atdhedashuria dhe inteligjienca.
Përdorimi i mjetëve luftarake në Tempullin e Drejtësisë, ku hartohen Ligje për Paqen është dhunuar në ekstrem. Vendi është buzë greminës, ndërsa klasa politike, kërkon ta fundosë i t’i japë rrokullimën. Nuk mund të zgjidhen mospajtimet me akte terroriste në Parlamentin e Republikës. Klasa politike është e barrikaduar ekstremisht në mënyrë të papajtushme, pa lënë vend për mjetet demokratike siç është dialogu.
Gjendja duket e pashpresë- Opozita i ka dekonspiru mjetet e saj; bllokadë dhe protesta , në kundërshtim me katër marrëveshjet e 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Nga ana e saj, Qeveria e ka deklaruar publikisht se nuk tërhiqet nga marrëveshjet me argumentin se në to nuk ka tradhëti Kombëtare dhe se janë nënshkruar në konsulencë me faktorin ndërkombëtar? Cila është e vërteta dhe cila e pavërteta? Ose Qeveria ka tradhëtuar Kosovën dhe i ka dhuruar tokat shqiptare Malit të Zi, përveç Asoscionit në komunat serbe, ose opozita ia fut kot duke manipuluar opinion publik, edhe me ndihmën e mediave. Natyrisht, njëra nga të dyja gënjen, ose qeveria ose opozita. Po cila është zgjidhja në këtë situatë kaosi? Gazilotsjellës? Dhuna? Natyrisht jo, demokracia ka mjetet e saj, ka foltoren e Kuvendit, ku debatohet, në asnjë mënyrë nuk janë mjetet e terrorizmit ato që çojnë në zgjidhjen e problemit, përkundrazi, ato vënë në kërcënim Paqën.
Personazhet e rebelimit duket se vuajnë ca nga mllefi, ca nga padurimi, por ca edhe nga harresa. Ka ndodhë ajo që konstatonte shkrimtari Kadare tek ”Mbi Krimin në Ballkan”. Është harruar e djeshmja, nuk u zbardhën krimet, nuk u vunë para drejtësisë kriminelët. U harrua pushtuesi. Krimi mbeti i pandëshkuar. Kosova nuk arriti të bëjë transparencën e krimit dhe ai, krimi dhe kriminelët mbetën të pandëshkuar deri në fund. Tani krimi është në sulm. Serbët po përfitojnë. Beogradi po fërkon duart duke i tundur gishtin Amerikës dhe Europës: Ju thamë, ata(shqiptarët) nuk dijnë të bëjnë shtet….Mos e pranoni Kosovën në UNESCO se kosovarët po shkatërrojnë Parlamentin e tyre, e jo të ruajnë kishat tona!…
Ramush Haradinaj, që duket inatçor, pasi fitoi Gjyqin e Hagës, nuk po fiton gjyqin e arsyes, gjyqin e paqës. Zoti Haradinaj duhet të çojë ndërmend edhe amanetin e dëshmorëve, që dhanë jetën për liri, jo për karriget e pushtetit. Dhuna revolucionare përbën aksion komunist, ndërsa gazi lotsjellës në Parlament, nuk është më pak se sa akt terrorist, i dënushëm nga ligjet që ka hartuar Parlamenti, ku është deputet edhe Ramushi, dhe Albini dhe Ftamir Limaj e Co!
Kosova nuk e ka kryer detyrën në zbardhjen e krimit shtetëror serb dhe tash po kriminon veten. Opinioni Botëror, siç konstaton Ismail Kadare, pikërisht ai që kishte nxitë qeveritë dhe ushtritë e vendeve të tyre të ngrinin avionët për të bombarduar Serbinë, pas mbarimit të luftës e pritën me padurim që të kryhej dëshmia shqiptare kundër krimit, por ajo vonoi, edhe sot nuk është realizuar, sepse vetë Kosova ka rënë në kurthin e armikut pushtues, në kurthin e harresës dhe të inkriminimit të vetes.Inteligjencia e saj, akademikët, historianët, jo vetëm nuk kanë kryer detyrën, por përkundrazi, kanë pranuar edhe mënjanimin publik nga arena e ngjarjeve politike dhe kombtare!
Eshtë pozitiv fakti që në Kosovë kemi në krye të shtetit një grua, zonjën Atifete Jahjaga, (edhe pse burrat e opozitës nuk ia dëgjojnë fjalën). Po ashtu, përfshirja e disa femrave në radhët e Kuvendit, përbën shenjë emancipimi për shoqërinë konservatore kosovare, mirëpo ka ndër ato gra që tentojnë të bëjnë punët e burrave. Është një deputete grua në parlamentin e Kosovës, Deputetja e AAK-së Donika Kadaj Bujupi, më e zellshmja në punët e burarve të fortë, të atyre që hedhin lëndë plasëse në Kuvend, që duket se i kaluar limitet e gjinisë. Është pritë tjetër gjë nga Donika apo dhe nga koelget e saj femra në Kuvend: Në mos mundeshin që të ngrinin dinjitetin e femrave në Kosovë edhe përmes Faltores së Parlamentit, të paktën të bëheshin avokate te femrave të përdhunuara në kohën e luftës nga kriminelët serbë, krime të pandëshkuar, edhe për faj të Kosovës. Një nga krimet më monstruoze të shekullit që shkoi, që ka tronditë botën e civilizuar. Si mund të ndjehet e qetë kjo deputete dhe koleget e saj, kur krimi serb i përdhunimit të rreth 20 mijë femrave Kosovare mbetet i padenocuar,i pa dënuar, i pazbardhur ? Ç’i duhet kësaj gruaje me lëndët plasëse dhe punët e rambove të Kuvendit? Kanë shumë halle femrat Kosovare, që mund t’i zbusnin sado pak Donika me deputete femra të Kuvendit të Kosovës.
Burrat e politikës së Kosovës duket se kanë harruar të djeshmen dhe vazhdojnë ta harrojnë çdo ditë. Paslufta i ka gjetë ata të etur për pushtet, për para dhe Lavdi. Ngrehosja se do t’ia përmbysin karrigen kundërshtarit me çdo mjet, i ka verbuar para fateve të shtetit të brishtë, që ende nuk ka njohjen e domosdoshme nga Kombet e Bashkuara.
Burra dhe gra të Kosovës: Largojuni dhunës, kthejuni Demokracisë! Dialog, vetëm dilaogu të çon tek zgjidhja e problemit. Kjo aksiomë është vlerë e Demokracisë dhe klasa politike e Kosovës duhet ta përvetësojë dhe ta praktikojë. Jo më dhunë!
Mire Shume, z. Greca…por ne Shqiptaret nuk kemi armiq, vetem tradhtaria!
Z.Dalip Greca,jeni tepër naiv kur mendoni se populli i kosovës (sepse unë kur flas i referohem vetëm popujve dhe askujt tjetër)po humbet paqen, ndërkohë që paqja e vërtetë nuk ekziston në asnjë vend të botës.Sepse paqe do të thotë eleminimi i plotë i çdo lloj lufte për sundim.Populli i kosovës ka shpëtuar vetëm nga sundimi politik dhe ushtarak i Serbisë, por nuk ka shpëtuar as nga sundimi politik partiak vendas, as nga sundimi shpirtëror i institucioneve fetare të të gjitha feve që ekzistojnë në Kosovë dhe as nga sundimi ekonomik i vendeve më të zhvilluara që operojnë në tregun e Kosovës.Komentuesi i mësipërm që mban emrin tim të shkurtuar ka të drejtë kur flet për tradhëti, sepse unë jam në gjëndje ta argumentoj katërcipërisht tradhëtinë e madhe që po i bëjnë shqiptarët interesave më madhore të kombit shqiptar në këto momente historike kaq të rëndësishme për të gjithë njerëzimin, kur njerëzimi ka mbërritur në prag të kalimit nga epoka primitive, në epokën moderne të organizimit dhe veprimtarisë njerëzore.Kur të gjej kohën e mjaftueshme do t`ju shkruaj më konkretisht në lidhje më këtë temë në adresën: (gazetadielli@gmail.com)ose nëse dëshironi mund të më dërgoni ndonjë adresë tjetër tuajën personale.Duke ju referuar vetëm fjalive të fundit të shkrimit tuaj unë dëshiroj t`ju bëj të ditur se:
Kombet e Bashkuara nuk kanë të drejtë as ta njohin dhe as të mos e njohin shtetin e kosovës, të palestinës apo të çdo shteti tjetër.Klasa politike e Kosovës nuk ka se si t`i kthehet demokracisë kur e gjithë bota jeton në kapitalizëm.Pozita dhe opozita janë dy pole politike me shenjë të njëjtë brenda një fushe të caktuar siç është politika, dhe nuk mund të bëjnë ndryshe nga ajo që bëjnë dy pole magnetike me shenjë të njëjtë, apo dy ngarkesa elektrike me shenjë të njëjtë kur vendosen brenda një fushe të caktuar. Dialogu, apo konsensusi politik, është mashtrimi më i madh që ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë Perëndimi, për t`i hedhur hi syve, popujve të tyre dhe të gjithë njerëzimit.Vetëm njësimi bipolar i politikës në të gjitha vendet e botës, është zgjidhja e vetme e drejtë në fushën e politikës.
I dashur Komentues
Nuk po ndalem gjate ne opinionin tuaj per shkak se jemi te pabarabarte ne debat; une jam dalipi, me emer dhe mbiemer, ju jeni anonim. Se dyti, ju perdorni”filizofin” si pseudonim, nderkohe qe ne pak shenim percillni koncepte te kunderta, vecanerisht kur i referoheni paqes. Gjithesesi, une kam percjelle nje shqetesim si shqiptar dhe vazhdoj t’i mbroj mendimet e mia se Kosova ne administrimin e Paqes po gabon dhe eshte ne udhekryq.Metodat qe po perdoren per demokratizim jane antidemokratike. Thyeresit e permbysesit e makinave nuk i perkasin ketij shekulli ashtu si edhe gazilotsjelles nuk eshte mjet demokratik. Faleminderit!