-Ambasadorët e BE informohen mbi përmbushjen e tetë rekomandimeve për liberalizim të vizave/
PRISHTINË, 3 Shkurt 2016/ Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, informoi sot ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së mbi përmbushjen e tetë rekomandimeve të fundit në procesin e liberalizimit të vizave. Ai është takuar me ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, me ftesë të Zyrës së BE-së në Kosovë.
“Gjatë këtij takimi ministri Çollaku, ka informuar ambasadorët, rreth përmbushjes së tetë rekomandimeve të fundit në procesin e liberalizimit të vizave dhe hapave të radhës që priten, në javët e ardhshme”, deklaroi Ministria kosovare.
Ndërsa, siç bëhet e ditur, “ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së, kanë vlerësuar përkushtimin e institucioneve kosovare përgjatë gjithë procesit duke konfirmuar mbështetjen e shteteve të tyre përkatëse në këtë drejtim”.
Në 15 janar 2016, ministri kosovar i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i ka dorëzuar Bashkimit Evropian inputin e fundit për plotësimin e tetë rekomandimeve për liberalizimin e vizave.
“Ky input përmban rezultate dhe të arritura konkrete përgjatë tre muajve të fundit, të cilat pritet të vlerësohen pozitivisht nga institucionet e BE-së”, theksonte njoftimi i dërguar nga Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës.
Njëkohësisht, qeveria e Republikës së Kosovës pret që në bazë të zotimit dhe dinamikës së prezantuar nga Komisioni Evropian, me rastin e publikimit të fundit të raportit të tyre me datë 18 dhjetor 2015, të realizohet vizita e komisionerit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, për të konfirmuar së bashku zbatimin e rekomandimeve.
“Kjo do t’i hapë rrugë Komisionit Evropian për t’i propozuar Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, theksonte njoftimi./b.j/