-Qeveria e Kosovës themelon Këshillin Organizativ/*
-Më 17 Shkurt 2008, në ditën më të madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, në seancën solemne u shpalos edhe Flamuri Shtetëror i Republikës së Kosovës, për herë të parë/
-Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës me shifren “Europa”, në konkurrencën e 134 propozimeve, u miratua në Kuvendin e Kosovës në 11 qershor 2008/
-Kushtetuta e Republikës së Kosovës u miratua në Kuvend në 9 prill, ndërsa hyri në fuqi në 15 qershor 2008/
Nga Behlul Jashari*/ PRISHTINË, 31 Janar 2016/ Kosova nis organizimet për festimin e 17 Shkurtit, ditës historike kur në vitin 2008 në Kuvendin e saj shpalli Pavarësinë. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundjavës, në prag të muajit të festimeve që nis nesër, themeloi Këshillin Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Së shpejti Këshilli Organizativ do vendosë dhe njoftojë axhendën e festimeve. Tradicionalisht, në Ditën e Pavarësisë, 17 Shkurt, Kuvendi i Kosovës mblidhet në një seancë solemne në orën 15:00 – orën kur është mbledhur për shpalljen e shtetit të ri evropian, ndërsa festimet që nisin ditë më parë përmbyllen me ndezjen e fishekzjarreve në mesnatë.
Organizohen edhe veprimtari të tjera në kryeqytet, Prishtinë, dhe në qytete tjera kosovare edhe me axhenda festimesh të komunave, përfshirë seancat solemne të tyre, si dhe koncertet. Në çdo 17 Shkurt njerëzit-qytetarët në festë mbushin sheshet dhe rrugët me defilime për Lirinë dhe Pavarësinë, për të shprehur edhe falënderimin e mirënjohjen e përjetëshme për të gjithë kontribuesit në botë.
Aktivitete me rastin e Ditës së Pavarësisë organizohen edhe në të gjitha ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës nën 1 theksohej: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”.
Më 17 Shkurt 2008, në ditën më të madhe shqiptare pas 28 Nëntorit 1912 të Pavarësisë së Shqipërisë, në seancën solemne u shpalos edhe Flamuri Shtetëror i Republikës së Kosovës, për herë të parë. Kuvendi miratoi njëzëri simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, që u përzgjodhën nga mëse 5.000 propozime-aplikime në konkursin e shpallur nga Ekipi i Unitetit, që bënte bashkë pozitën e opozitën në negociata për statusin e drejt shpalljes së Pavarësisë.
Himni Shtetëror i Republikës së Kosovës me shifren “Europa”, në konkurrencën e 134 propozimeve, u miratua në Kuvendin e Kosovës në 11 qershor 2008. Kushtetuta e Republikës së Kosovës u miratua në Kuvend në 9 prill, ndërsa hyri në fuqi në 15 qershor 2008. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”, përcaktohet në nenin 1 të Kushtetutës.
Kosova 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë e pret me 111 njohje nga shtetet anëtare të OKB-së, deri sot. Njohjet e para Kosovës iu bënë në orët e para – ditën e parë pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kostarika.
Nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, duke nisur nga 19 tetori 2012. Raundi i fundit ishte në 27 janar.
*Në foto: Prishtina në natën e 17 Shkurtit 2008 në festën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pamje nga shtëpia e vëllait Demë Jashari, ku, i ardhur nga Zvicëra festonte bashkë me njerëzit e familjes dhe gazetarë-reporterë specialë të ngjarjes historike të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të ardhur nga Shqipëria-Tirana – ATSH
Deda says
Per çfar festohet?