-Kryetari Veseli priti ambasadoren e re të Kroacisë, Marija Kapitanoviç/
PRISHTINË, 26 Janar 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadoren e re të Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviç, me të cilën bisedoi për zhvillimet në vend e rajon, bashkëpunimin midis dy shteteve dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejmë të tij.
Kreu i Kuvendit të Kosovës vlerësoi lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Kroacisë, por konsideroi, gjithashtu, se ka ende hapësira për rritjen e këtij bashkëpunimi, të cilat duhet të shfrytëzohen në të ardhmen.
Lidhur me marrëdhëniet midis dy parlamenteve, ishte dakordim i përbashkët se ekziston një bashkëpunim tashmë i konsoliduar, i cili është shprehur edhe nëpërmjet takimeve të ndryshme të komisioneve simotra, por u konstatua gjithashtu, se gjithëherë gjenden mundësi të reja për kultivimin dhe begatimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.
Kryetari i Kuvendit, Veseli, e vlerësoi si shumë të rëndësishme përvojën kroate në rrugën e integrimeve evropiane, e cila, siç tha ai, mund të shfrytëzohet nga Kosova në këtë proces. Kreu i Kuvendit kërkoi nga ambasadorja kroate që Zagrebi zyrtar të vazhdojë të jetë, sikur deri më tani, një zë përkrahës i Kosovës në institucioneve ndërkombëtare, në të cilat aspiron të anëtarësohet.
Krahas fushës politike, kryetari Veseli e konsideroi mjaft të rëndësishme për Kosovën zgjerimin e bashkëpunimin në rrafshin ekonomik, duke parë te Kroacia një model të suksesshëm zhvillimi e bashkëpunimi.
Ambasadorja kroate, Kapitanoviq, nga ana e saj, shprehu gatishmërinë e shtetit që ajo përfaqëson, për t’i ofruar Kosovës përvojën në rrugën e integrimit dhe veçanërisht në përshtatjen e legjislacionit vendor me atë evropian. Ajo garantoi mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë, duke i dhënë një shtytje të fuqishme iniciativave të cilat e forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës./b.j/