PRISHTINË, 25 Tetor 2015/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan: Sot isha i nderuar me pjesëmarrjen inauguruese të segmentit të parë të Autostradës “Arbën Xhaferi”.
Infrastruktura rrugore është shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik përmes së cilës rritet cilësia e sistemit të transportit, mundësohet qarkullimi i njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Rrjedhimisht, investimet në infrastrukturën rrugore siç janë Rruga e kombit që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe autostrada “Arbën Xhaferi”, ndikojnë në zhvillimin ekonomik, standardin e jetës dhe konkurrencën ekonomike.
Sot u lëshua në qarkullim një segment autostrade, ndërsa pas pak ditësh, hapim zyrtarisht rrugëtimin historik të perspektivës evropiane për Kosovën duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe mëpastaj, liberalizimin e vizave. Këto janë argumente se Kosova po lëviz përpara, duke dëshmuar se është faktor stabiliteti në rajon, partner kredibil i bashkësisë ndërkombëtare dhe partner i besueshëm në marrjen e detyrimeve ndërkombëtare.
MSA-ja e rikonfirmon fuqishëm përcaktimin e qytetarëve të Kosovës dhe qasjen tonë integruese për komunitetet, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike e politike, kështu bashkërisht ta kemi vendin tonë të merituar brenda familjes evropiane.
Të gjithë atyre që do ta shfrytëzojnë këtë autostradë, ju dëshiroj rrugëtim të mbarë, të sigurt dhe me fat. Po ashtu, përgëzoj autoritetet qeveritare për investimin e tyre dhe punëkryesit e këtij segmenti të Autostradës.
Kjo Autostradë, mban me plot meritë emrin e Arbën Xhaferit, mendimtarit dhe politikanit që besonte në fuqinë e komunikimit të lirë, në rrugët që lidhin popujt dhe që thyejnë paragjykimet, që sjellin zhvillim për shtetet dhe popujt e këtij rajoni./b.j/