-“Në robëri pritet veç festa e lirisë” dhe “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” ishin raportimet që bëja nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës…/
-Presidenti Thaçi: 2019-ta, viti i hapjes së kufirit Kosovë – Shqipëri/
– Kryeministri Haradinaj: Falënderim të posaçëm për ushtarët dhe ushtaret që bëjnë sonte roje/
– Kryeparlamentari Veseli bëri nderime te obelisku i të pagjeturve/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINE, 1 Janar 2019/ Në Kosovë, edhe me koncerte në sheshe e plot njerëz në festë, u prit gëzuar 2019-ta e jubileut të 20 vjetorit të lirisë nga 12 qeshori 1999 i hyrjes së forcave paqeruajtëse shpëtimtare të NATO-s e të përvjetorit të 11-të të pavarësisë së shpallur në 17 shkurtin historik 2008.
Në kryeqytet, Prishtinë, festa “PRite n’shesh” me shumë urime e nën shkëlqimin e fishekzjarreve ka vazhduar edhe pas mesnatës, në orët e para të ditës së sotme.Ngjarja e vitit 2018 e Kosovës vlerësohet se ishte pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë – Ushtri, e miratuar me unanimitet nga Kuvendi në 14 dhjetor, ndërsa ngjarja më e rëndësishme e 2019-tës pritet të jetë liberalizimi i vizave për kosovarët.
Në vitin 2019, vajzë lindi fëmija i parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.Sipas Statistikave të Lindjeve, të publikuara në verën 2018 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, brenda një viti – në 2017-tën në Kosovë ishin 23 402, kurse jashtë vendit 6 712. Binjakë u lindën 654 foshnje, ndërsa trenjakë e më shumë u lindën 21 foshnje. Emrat më të shpeshtë, të rekordit, për fëmijtë e lindur në vitin 2017, për vajza ishte Sara me 148 pagëzime dhe Jara me 141, ndërsa për djemtë Ajan me246 dhe Noar me 226 pagëzime.
Pritja në sheshe e ndërrimit të moteve është tradicionale që nga viiti i madh i lirisë së Kosovës, 1999, kur në mbrëmjen e 31 dhjetorit qinda mija njerëz për herë të parë të lirë ishin në sheshet kryesore të Prishtinës e të qyteteve tjera kosovare në pritjen e Vitit të Ri 2000.
“Afro 100 000 qytetarë e pritën Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës”, ishte titulli i raportimit që kam bërë për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë në 1 janar 2000, ku theksoja se, “Kryeqyteti i Kosovës, që festoi Vitin e Ri për herë të parë në liri,
ishte një nga pesë qytetet e botës prej nga qendrat më të mëdha televizive
bënë transmetime të drejtpërdrejta”.
Ndërsa “Në robëri pritet veç festa e lirisë” dhe “Shpresë se s’ndërrojnë veç vitet” ishin raportimet që bëja nga Kosova në fundvitet e para 1999-ës, në vitet e shtetrrethimeve ushtarako-policore, luftës, masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve.
PRESIDENTI THAÇI: 2019-ta, VITI I HAPJES SË KUFIRIT KOSOVË-SHQIPËRI
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në postimin e parë në Vitin e Ri 2019 shkruan:
Mirëmëngjesi miq,
Përderisa viti 2018 ishte viti i Ushtrisë së Kosovës, viti që sapo filluam do të jetë viti i hapjes së kufirit Kosovë – Shqipëri dhe i arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi. HTH.
KRYEMINISTRI HARADINAJ: FALËNDERIM TË POSAÇËM PËR USHTARËT DHE USHTARET QË BËJNË SONTE ROJE
Prishtinë, 31 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e përfundoi ciklin e vizitave të sotme, duke vizituar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe vendqëndrimin e rojeve kujdestare. Kryeministri Haradinaj, i shoqëruar edhe nga ministri i FSK-së, Rrustem Berisha si dhe gjenerali Rrahman Rama, tha se kjo vizitë për të është shumë domëthënëse.
“Jam sot këtu për t’i takuar ushtarët e Kosovës, ata që bëjnë roje sonte. Më vjen mirë për pritjen që ma bënë gjenerali Rama dhe Ministri Berisha, pra e ndjejë situatën nëpër të cilën kalon secili ushtar dhe ushtare sot, në këtë të ftohtë në të gjitha qendrat”, theksoi kryeministri Haradinaj.
Dhe për këtë, kryeministri Haradinaj tha se shpreh falënderimin për shërbimin e tyre që të jenë në gjendje gatishmërie e nevoje për t’iu përgjigjur kërkesave tjera nëse ka nevojë.
Ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, e falënderoi kryeministrin për vizitën në Ministri dhe vendqëndrimin e rojeve kujdestare si dhe për mbështetjen në vazhdimësi, duke thënë se në fund të këti viti u hap një kapitull i ri për FSK-në dhe se viti që vjen është mjfat sfidues.
Gjenerali i FSK-së, Rrahman Rama, tha se është nder dhe privilegj vizita e sotme e kryeministrit Haradinaj dhe se urimi për këta ushtarë e ushtare që shërbejnë sot është i veçantë.
KRYEPARLAMENTARI VESELI BËRI NDERIME TE OBELISKU I TË PAGJETURVE
Prishtinë, 31 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në prag të Festës së Vitit të Ri, i shoqëruar nga familjarë të të pagjeturve, bëri nderime dhe vendosi lule pranë obeliskut të të pagjeturve, në oborrin e Kuvendit.Kryeparlamentari Veseli tha se fati i kombit tonë ka qenë i tillë që edhe tani pas 19 vjetëve, për shumë nga familjarët tanë të mos dimë asgjë. Veseli tha se mallkimi mbi Serbinë do të vijë pikërisht nga fëmijët tanë, vëllezërit dhe motrat tona, nënat e baballarët, të cilët ende nuk janë gjetur.Kreu i Kuvendit shtoi se tashmë është e qartë se Kosova, si shtet i pavarur dhe sovran, shkon në dialog për ta njohur Serbia dhe se alternativë tjetër nuk do të ketë.
“Ne jemi krenarë për të kaluarën tonë dhe nuk do të ndalemi në rrugën tonë të zhvillimit. Kemi partnerë të fuqishëm, SHBA-të dhe vendet perëndimore. Si shtet dhe si institucione, nuk do të ndalemi. Familjet duhet të jenë të forta dhe krenare. E di që kanë të drejtë të jenë të pakënaqur edhe me ne, por të gjithë duhet ta dimë se Serbia është ajo e cila ia ka shkaktuar këto dëme Kosovës dhe për këtë ajo duhet të paguaj”, tha kryeparlamentari Veseli.
Më pas kryeparlamentari Veseli priti në hollin e Kuvendit familjarët e të pagjeturve me të cilët ka bashkbiseduar dhe i ka siguruar se në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi, delegacioni kosovar do ta ketë në prioritet diskutimin për të pagjeturit, pasi sipas Veselit, Serbia e din për fatim e tyre dhe ka obligim të tregojë dhe të përgjigjet për këtë plagë të madhe që kanë familjarët e të pagjeturve tash e dy dekada.