– Drejt faljes së borxheve publike rreth 680 milionë euro-Priten edhe ndryshimet kushtetuese drejt Forcës së Armatosur të Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Korrik 2015-Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë plenare në 9 korrik, vendosi sot në mbledhjen pëgatitore Kryesia bashkë me shefat e grupeve parlamentare, kryesuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.
Pas miratimit nga qeveria në 26 qershor, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, do të jetë një nga rreth 10 pikat e seancës së ardhëshme plenare të Kuvendit.
Pas shqyrtimit dhe miratimit në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin, do t’i hapet rruga rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Në axhendën e seancës vijuese plenare të Kuvendit pritet të jenë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Faljen e Borxheve Publike, si dhe i Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe i Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2014.
Në 3 qershor 2015, qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi Projektligjin për Faljen e Borxheve Publike, ndërsa sipas Ministrisë së Financave shuma e borxhit që do të falet vlerësohet të jetë rreth 680 milionë euro. Rreth 148 milionë borxh ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, rreth 6 milionë borxh ndaj Doganës së Kosovës, rreth 57 milionë borxh ndaj tatimit në pronë dhe rreth 465 milionë borxh ndaj ndërmarrjeve publike.
Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se, sipas vlerësimeve të institucioneve që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij ligji, kryesisht do të përfitojnë personat fizikë të cilët kanë paqëndrueshmëri në mirëqenën e tyre sociale.
“Kjo do t’i shërbejë prioriteteve të qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e mirëqenies sociale. Në anën tjetër, falja e borxheve sipas këtij ligji do të krijojë një momentum të ri që do të shërbejë për ngritjen e disiplinës së përgjithshme të personave fizikë dhe juridikë në Kosovë karshi obligimeve të tyre publike”, tha ministri Hoti .
Shtypi i sotëm kosovar paralajmëron edhe ardhjen në rend dite të propozimeve për ndryshimet kushtetuese, që i hapin rrugën transformimit të FSK-së në Forcën e Armatosur të Kosovës, të cilat do t’i dorëzohen Kryesisë e Kuvendit, menjëherë pas shqyrtimit të hënën e ardhëshme në Komisionit parlamentar për legjislacion.