Opinion nga Rafael Floqi
Në një kohë kur bota gjendet në një situatë gjeopolitike të tensionuar, me konflikte që shpërthejnë në Lindjen e Mesme e me pasigurinë e një lufte të gjatë në Ukrainë, Kosova ndodhet në një bllokadë institucionale të rrezikshme. Kuvendi i Kosovës mbetet i pakonstituar, ndërsa elitat politike duket se janë më të përkushtuara për pazare pushteti sesa për fatin e vendit. Pezullimi i këtij institucioni themelor nuk është thjesht një çështje e brendshme politike, por një rrezik real për sovranitetin dhe sigurinë e shtetit.
Ky vakum institucional nxjerr në pah një problem të thellë: mungesën e përgjegjësisë kombëtare dhe strategjisë afatgjatë nga liderët politikë të Kosovës. Në vend që të ndërtojnë struktura të forta shtetërore dhe të zhvillojnë kapacitete diplomatike e ushtarake për t’u përballur me sfidat rajonale, shumë prej tyre shfaqen si oportunistë të pushtetit. Në këtë lojë, humbës është vetë shteti i Kosovës.
Në dallim nga Serbia, e cila ndonëse bart histori të rënda kriminale, vepron me një diplomaci të organizuar dhe agresive, Kosova është ende në proces ndërtimi institucional. Por në vend që kjo të shërbejë si motiv për angazhim dhe mobilizim kombëtar, duket se po shërben si justifikim për apati dhe papërgjegjshmëri. Mungesa e një strategjie të koordinuar me Shqipërinë – shtetin amë që duhej të ishte shtylla diplomatike dhe mbështetëse e saj – e bën Kosovën iu edhe më të pambrojtur ndaj ambicieve hegjemoniste të Serbisë dhe aleatëve të saj.
Kryeministri shqiptar Edi Rama shpesh perceptohet si një figurë e afërt me Beogradin zyrtar, gjë që ka krijuar ndjenja zhgënjimi dhe mosbesimi në Kosovë. Në vend që të qëndrojë krah politikave të Kosovës për konsolidimin e sovranitetit, shpesh është parë si nismëtar i qëndrimeve që dëmtojnë unitetin kombëtar. Kjo përçarje mes Tiranës dhe Prishtinës, në një kohë kur Serbia po mobilizohet në çdo plan për të minuar pavarësinë e Kosovës, është alarmante.
Pikërisht në këtë kontekst, duhet vlerësuar roli i kryeministrit Albin Kurti, i cili – pavarësisht kritikave të brendshme – ka arritur që për herë të parë pas dy dekadash të vendosë sovranitetin e Kosovës në veri të vendit. Kjo përbën një arritje historike, e cila duhej të mbështetej pa mëdyshje nga të gjitha instancat politike brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës. Por përkundrazi, përballja me mungesën e përkrahjes së Tiranës dhe presionet ndërkombëtare e ka vështirësuar më tej këtë betejë të drejtë.
Ndërkohë, situata ndërkombëtare është e mbingarkuar me tensione të tjera. Konflikti Rusi-Ukrainë, konfrontimi SHBA-Iran dhe rritja e tensioneve në Detin e Kinës Jugore e kanë zbritur çështjen e Kosovës në fund të listës së prioriteteve të fuqive të mëdha. Presidenti amerikan Donald Trump – nëse rikthehet në pushtet – pritet të fokusohet tek sfidat me Kinën, tregtinë globale dhe konflikte më të mëdha, ndërsa Kosova mund të mbetet në hije.
Kjo situatë është ideale për Serbinë, e cila ndjek një strategji të qartë të “pritjes së momentit të duhur”. Vuçiq e ka thënë qartë: nëse gjeopolitika i krijon rastin, Serbia nuk do të hezitojë të ndërmarrë veprime të ashpra, qoftë ushtarake apo politike, për të rikthyer kontrollin mbi Kosovën. Kjo mund të ndodhë përmes ndërhyrjes së drejtpërdrejtë, përmes ndarjes territoriale, apo së paku përmes imponimit të Asociacionit të komunave serbe – një projekt që rrezikon të kthehet në një “Republika Sërpska” të re.
Në këtë kontekst, pezullimi i Kuvendit të Kosovës nuk është më vetëm një problem procedural. Ai është një paralajmërim se sistemi politik po dështon ta përmbushë rolin e vet në mbrojtjen e sovranitetit dhe interesit kombëtar. Nëse institucionet nuk funksionojnë, nëse nuk ka një qëndrim të unifikuar të elitës politike, atëherë Kosova rrezikon të bëhet një vend që të tjerët e modelojnë sipas interesave të veta.
Rruga përpara është e qartë, edhe pse e vështirë. Duhet ringritje morale dhe politike. Duhet koordinim i thelluar me Shqipërinë dhe një platformë e përbashkët shqiptare në politikën ndërkombëtare. Duhet diplomaci aktive, por edhe përgatitje ushtarake dhe institucionale për çdo skenar. Mbi të gjitha, duhet lidership që nuk e sheh pushtetin si qëllim, por si mjet për të mbrojtur vendin. “Demokracia në Kosovë nuk matet vetëm me zgjedhje të lira, por me një parlament që funksionon, që mban qeverinë përgjegjëse dhe që nuk kthehet në strehë pazareve politike.”
“Një parlament joaktiv bëhet një boshllëk i rrezikshëm, i mbushur ose nga burokracia ose nga autokrati.” Ka pas shkruar një nga baballarët e Amerikës, Thomas Paine
Kosova është një ëndërr e fituar me gjak dhe sakrificë. Ajo nuk duhet dhe nuk mund të dorëzohet – as për interesa personale, as për pazare të brendshme, as për iluzione diplomatike.
Kur parlamenti hesht, flet rreziku. Dhe ky rrezik është real.