Sa më shumë që Serbia po përqëndrohet jo me paqë por me konflikte në Kosovë, mediat ndërkombëtare dhe ekspertët e ndryshëm kanë shtuar kritikat në adresë të Brukselit, sidomos po kritikohet hapur qëndrimi i BE-së kundrejt rolit destabilizues të Serbisë në Kosovë. Madje tensionet e fundit u bënë shkak që shumë studiues e analistë perendimor gjatë trajtimit të ngjarjeve në veri të Kosovës, të flasin pa dorashka, duke drejtuar gishtin e kritikës ndaj segmenteve të caktuara të diplomacisë evropiane.
Shkruan Mehmet PRISHTINA
Krizat e njëpasnjëshme në veri të Kosovës, të shkaktuara nga Serbia, përpos pasojave negative që reflektohen në stabilitetin e vendit, ato e kanë edhe një anë të mirë: përmes këtyre krizave gjithnjë e më tepër po zbulohet dhe del në pah fytyra e vërtetë e një politike hegjemoniste serbe e cila Kosovën po vazhdon ta përdorë si laborator i projekteve të të ashtuquajturës “bota serbe”. Pra sa më shumë që Serbia po përqëndrohet jo me paqë por me konflikte në Kosovë, mediat ndërkombëtare dhe ekspertët e ndryshëm kanë shtuar kritikat në adresë të Brukselit, sidomos po kritikohet hapur qëndrimi i BE-së kundrejt rolit destabilizues të Serbisë në Kosovë. Madje tensionet e fundit u bënë shkak që shumë studiues e analistë perendimor gjatë trajtimit të ngjarjeve në veri të Kosovës, të flasin pa dorashka, duke drejtuar gishtin e kritikës ndaj segmenteve të caktuara të diplomacisë evropiane.
Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, i cili është një njohës i shkëlqyer i historisë së Ballkanit, ka kritikuar BE-në për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet faktor negativ dhe destruktiv. Sipas Schmitt, kryeministri Albin Kurti dallon nga paraardhësit e tij ndaj të cilëve BE-ja mund të ushtronte lehtë presion ngase ishin të diskredituar nga aktivitetet me gjasë kriminale.
Në një intervistë dhënë gazetës austriake “Der Standard”, historiani i njohur Oliver Schmitt ka akuzuar Serbinë për eskalim të situatës në Kosovë. Ai theksoi se kriza në veri të Kosovës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të sulmit rus në Ukrainë.
Në po të njejtat valë është edhe eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore, Konrad Clewing, i cili duke komentuar incidentet e fundit në veri të Kosovës, përfshirë barrikadat dhe plagosjen e dy të rinjëve serbë afër Shtërpcës, në një prononcim për gazetën gjermane Bild, ka kondstuatuar se ato mund të mos jenë të fundit.
Clewing është shprehur se “konfliktet e dhunshme lokale në veri të Kosovës janë veçanërisht të pritshme”, ndërsa ka shtuar se “zhvillimet janë ‘krejtësisht të hapura’ dhe përveç luftës dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ‘pothuajse gjithçka është e mundshme’”.
Jo pak media serioze ndërkombëtare me të drejtë kanë vërejtur se veprimet destruktive të Beogradit nuk do të kishin mundur të kenë shtrirje në Kosovë, nëse diplomacia ndërkomnbëtare do të tregohej më rigoroze ndaj Vuçiqit. Për rrjedhojë edhe media prestigjioze amerikan, Bloomberg, në një analizë kushtuar zhvillimeve të fundit në Kosovë, ndër të tjera shkruan se SHBA dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi të dyja palët për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe për të shmangur një luftë tjetër ballkanike përpara se ajo të fillojë
“Më shumë se dy dekada që kur NATO hyri në luftë për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, rajoni i Ballkanit sërish është në rrezik. Përshkallëzimi i tensioneve midis qeverisë së Kosovës dhe pakicës etnike serbe të vendit kanë ngritur perspektivën e ripërtëritjes së luftës që mund të tërheq Serbinë fqinje dhe të rrezikojnë 3,700 trupat e NATO-s të stacionuara ende në Kosovë”, shkruan bloomberg.
Më tej në analizë thuhet se “me qeveritë perëndimore të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si një shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim fatal”.
Emërues i përbashkët i analizave dhe studimeve që po bëhen kohët e fundit mbi raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht mbi rolin aspak konstruktiv të Beogradit në kontekst të tejkalimit të problemeve, është gjithsesi një qasje pak a shumë më objektive që jo me çdo kusht vendos simetri të fajit dhe përgjegjësisë, siç ishte vërejtur në të kaluarën kur Kosova fajësohej njësoj si Serbia për eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës. Madje Greg Delawie, ish-ambasador i SHBA-ve në Kosovë në një prononcim për mediat tha shprehimisht se BE duhet të heqë dorë nga barazimi i fajit, në rastet kur Serbia ka më shumë faj
“BE-ja mund ta zgjidhë problemin, por ajo duhet të heqë dorë nga zakoni i saj i ‘bothsides-ism’ që i trajton masat serbe si grumbullimi i forcave ushtarake përgjatë kufirit të Kosovës në të njëjtën kategori si Kosova që kërkon targa të ligjshme për makinat brenda territorit të saj”.
Sigurisht që këto qëndrime ndërkombëtare nuk kanë mbetur pa u reflektuar edhe në Beograd, ku mediat e atjeshme po transmetojnë deklarata të ndryshme në të cilat del në sipërfaqe njëfarë zhgënjimi nga politikat e Vuçiqit ndaj Kosovës.
Nëse presidenti, Aleksandër Vuçiç, nuk e pranon planin evropian, franko-gjerman për Kosovën, të mbështetur nga SHBA-ja, nuk do të kalojë pa pasoja të rënda për qytetarët e Serbisë. Sipas Sreçko Gjukiq, një ish-diplomat, disa skenarë janë në lojë. – Njëri, më i favorshmi, të ofrohet sa më parë një plan tjetër që nuk do të përmbajë dispozitën e kontestuar për anëtarësimin e Kosovës në OKB. “Megjithatë, kjo është me të vërtetë e pamundur sepse gjithçka që po bëhet po bëhet për të legjitimuar Kosovën në organizatën botërore dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, pa njohje formale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë Gjukiç. Së dyti, shton ai, në rast se negociatat dështojnë, padyshim se do të ishte sërish faji i Beogradit, do të fajësohet se nuk është bashkëpunues, historia nga Rambujeja po përsëritet.
Nga ana tjetër Goran Miletiç, drejtor programi i Civil Rights Defenders, thotë për gazetën e pavarur “Danas” se është e pamundur që Serbia ta refuzojë planin dhe gjithçka të mbetet e njëjtë, pa asnjë pasojë negative.
Kur jemi te pasojat, tani në Beograd mediat e pavarura haptazi shkruajnë se Serbia ndodhet në një pozicion shumë të vështirë. Duhet të zgjedhë mes Rusisë, ose Perëndimit. Nëse nuk e zgjedh anën e duhur , Brukseli mund të pezullojë dhënien e ndihmës financiare, e cila do të ishte fundi i investimeve të ardhshme dhe të mëparshme. Dhe mund të jetë shumë më keq: fundi i udhëtimit pa viza në BE, i cili është i mundur që nga viti 2009, dhe mund të ketë një pezullim të asistencës së madhe para anëtarësimit të BE-së nga fondet IPA, si dhe heqjen të statusit kandidat.
Për rrjedhojë, destabilizimi i Kosovës nga Serbia e ka edhe një anë të mirë dhe kjo e mirë është në duart e vet kosovarëve, nëse dijnë ta kanalizojnë drejt diskursin publik që do ta nxirte Serbinë lakuriq para syve të botës me veprimet e saj destruktive kundrejt shtetit tonë.
Prishtinë, 16.01.2023