Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Korrik 2015-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin iniciues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim 2021, ku ishin të pranishëm anëtarët e grupeve punuese nga të gjitha ministritë që do të punojnë në hartimin e strategjisë.
Ne jemi të përcaktuar që fokusi dhe kryefjala e kësaj Strategjisë të jetë rritja ekonomike, e cila do të mundësoj punësim më të madh, konkurrencë më të madhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, integrim më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ngritje të mirëqenies”, theksoi kreu i qeverisë kosovare.
Ai paralajmëroi se, së bashku me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim do të adoptohet edhe korniza legale e cila do të mundësojë tërheqje të investimeve të huaja dhe do ta bëjë Kosovën konkurrente në ofertën për tërheqje të këtyre investimeve.
“Strategjia Kombëtare për Zhvillim përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse në kontekstin e adresimit të sfidave më kritike të zhvillimit të Republikës së Kosovës. Kjo strategji përndryshe do të jetë një dokument planifikues që do të përmbajë një pako të prioriteteve gjatë pesë viteve të ardhshme, do të thotë nga viti 2016 deri në vitin 2021”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ai tha se Kosova ka pasur rritje të zhvillimit përgjatë dekadës së fundit. “Edhe pse kemi pasë rritje ekonomike, kjo rritje kryesisht është bazuar në investime publike dhe jo në sektorin privat të ekonomisë, prandaj rritja ka osciluar, ashtu siç kanë osciluar investimet publike. Kjo na shtyn që strategjia e ardhshme të jetë e orientuar për një rritje të qëndrueshme, një rritje propulsive, apo diversitet i cili siguron prodhim vendor, konkurrencë dhe përmirësim të bilancit tregtar”, u shpreh Mustafa.
Kryeministri kosovar tha se, Strategjia për Zhvillim Kombëtar vjen si rezultat i të kuptuarit se sfidat zhvillimore të Kosovës më së miri mund të adresohen duke zhvilluar një kornizë të prioriteteve dhe poashtu duke përkufizuar afatet dhe mekanizmat e jetësimit të këtyre prioriteteve.
Në kuadër të takimit, nga ana e zyrës për planifikim strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, u prezantua edhe procesi dhe koncepti i strategjisë kombëtare për zhvillim dhe shtyllat në të cilat do të bazohet kjo strategji. Gjatë takimit, grupet punuese u informuan për aspektet teknike dhe koordinuese që do të përcillen gjatë procesit të hartimit të strategjisë