-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001
-Legjislatura e tretë, e zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007, ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008
-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
Kosova këtë të diele të 14 Shkurtit 2021 voton në zgjedhjet parlamentare – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme.
Kosova në Vitin e Ri 2021 shkon në zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohëshme të 6 Tetorit të vitit 2019.
Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3 Shkurt u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në 3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata, i cili tashmë ndodhet në burg. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.
Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.
Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.
Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.
Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%.
Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.
Zgjedhjet e shtata parlamentare në liri, të katërta në pavarësi, u zhvilluan në 6 Tetor 2019 . Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,961,213, pjesëmarrja në zgjedhje 826,916 votuesë – 44.56%.
Për zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurt 2021 – të tetat në liri e të pestat në pavarësi numri i votuesëve të regjistruar është 1,794,862.
Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të dhunës e shtetrrethimit nga Serbia okupatore.
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.
Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.