-Shoqata gjermane “Lions Club”, dëshiron t`i ruajë edhe më tutje kontaktet me njerëzit në Kosovë-/
Shoqata gjermane “Lions Club” nga Hockenheimi i Gjermanisë, këtyre ditëve ka realizuar një ekskursion në Kosovë dhe Shqipëri. Ato janë edhe më tej ndër destinacionet më ekzotike për vetëm dy orë distancë me fluturim me avion nga Gjermania. Por, kjo nuk do të ngelë gjithnjë kështu, mendoi anëtari i “Lions Club”, Werner Krauss, i cili deri më tani ka organizuar shumë udhëtime për këtë klub. Me çiftin shqiptar Halit Berisha dhe Shqipe Gara-Berisha, ai nuk ka mundur të gjejë ekspertë më të mirë për ta shoqëruar gjatë udhëtimit. Që të dy jetojnë që 25 vite në Gjermani, mirëpo ende kanë kontakte shumë të mira me vendlindjen.
Në kryeqytetin e Kosovës në program ishin vizitat në Ministrinë e Diasporës dhe një vizitë në Kuvendin e Kosovës, që u themelua në vitin 2008, shkruan “Schwetzinger Zeitung”, përcjell Albinfo.ch.
Kosova ka dy milionë banorë, ndërsa tre milionë të tjerë me prejardhje nga Kosova jetojnë të shpërndarë. Misioni i Ministrisë së Diasporës është që të kultivojë kontaktet me kosovarët jashtë vendit, të cilët, duke iu falënderuar transferimeve të tyre të të hollave në vendlindje, po luajnë një rol të rëndësishëm në ngritjen e ekonomisë kosovare.
Gjatë pritjes nga deputetja e Kosovës, Ganimete Musliu, kontaktet u bënë edhe më të afërta. Gjatë luftës së Kosovës nga fundi i vitit 1990, ajo kishte gjetur strehim si refugjate në Gjermani. Në ndërkohë, ajo është tashmë një kohë të gjatë deputete në Kuvendin e Kosovës: “Kemi ende shumë për të bërë, por po punojmë që sa më shpejt të anëtarësohemi në BE”, e ka përshkruar ajo motivimin dhe optimizmin e saj, edhe përkundër të gjithë problemeve aktuale.” Dhe natyrisht se marrëdhëniet tona reciproke personale e ekonomike me Gjermaninë duam edhe më tej t’i intensifikojmë.
Në Komunën e Fushë Kosovës, zëvendës kryebashkiaku i ka pranuar mysafirët, ndërsa kryetari i “Lions Club”, Harald Süss dhe pasuesi i tij Ralph Schlusche e kanë falënderuar pa masë. Një kënaqësi e vërtetë muzikore ka qenë performanca e nxënësve dhe trupit shkollor të Gjimnazit “Prenk Jakova” të cilët krijuan një atmosferë të hareshme me zhanre të ndryshme të muzikës, përcjell tutje albinfo.ch.
Delegacioni e vizitoi edhe Katedralen e Nënë Terezës, që iu la mbresa të veçanta me dritaret e saj me ngjyra të gjalla. Edhe pse llogaritet se 90 për qind e popullsisë kosovare i takon besimit islam, nëna e shenjtë me prejardhje shqiptare që veproi në Indi, nderohet për së tepërmi.
Vargu i mbresave pozitive vazhdoi edhe më tej: Hotelet mesatarisht ishin të nivele me katër apo pesë yje dhe ushqimi kosovar ishte i shkëlqyeshëm.
Kulminacioni turistik ishte vizita e Prizrenit historik, qyteti i dytë më i madh në Kosovë. Mëkat i madh që kaq pak njihet ky potencial turistik, i vendosur rrëzë Malit Sharr. Në një hapësirë të ngushtë janë të ndërtuara xhami të vjetra, kisha ortodokse e katolike.
Në Prizren gjithashtu ndodhi ritakimi me konsullin kosovar nga Shtutgarti, Besnik Miftaraj, i cili në nëntor të vitit të kaluar ishte mysafir në Neulussheim. Një ftesë e përzemërt erdhi edhe nga Imer Meta, i cili gjatë luftës së Kosovës kishte kërkuar strehim në Gjermani. Këtu punoi si murator në sipërmarrjen e Werner Krauss, transmeton albinfo.ch.
Pas kthimit në Kosovë, ai e kishte themeluar një sipërmarrje ndërtimi, duke i punësuar rreth 20 bashkëpunëtorë: “Po bëj të njëjtën gjë, ashtu siç e bënte shefi im i atëhershëm Werner”, ka rrëfyer Imeri për suksesin e tij. Të gjithë mysafirët ai i ftoi në një ushqim tradicional në një restorant shumë të frekuentuar për vendasit.
Luftën e Kosovës e përkujton lapidari i familjes së Adem Jasharit në Prekaz, rreth 30 kilometra në perëndim të kryeqytetit. Në këtë vend jetoi luftëtari i paepur i lirisë, Adem Jashari, i cili në vitet e nëntëdhjeta, edhe me mjete luftarake luftoi kundër okupatorit serb të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviqi. Rrethimi i shtëpisë së tij nga regjimi i Millosheviqit në mars të vitit 1998, përfundoi me vrasjen e tij dhe të 58 anëtarëve të tjerë të familjes, në mesin e të cilëve shumë fëmijë e pleq. Kjo masakër kulmoi me shkaktimin e luftës së Kosovës, e cila dhjetë vite më vonë përfundimisht solli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Shqipëria ka peizazhe të shkëlqyeshme dhe është shumë e bukur, mirëpo në aspektin ekonomik nuk është e zhvilluar sikurse Kosova. Aspiratat për progres ekonomik janë të mëdha, që dëshmohet në kryeqytetin e Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës kishte paralajmëruar se qytetin do ta bëjë më të pastërtinë në Ballkan. Çifti bashkëshortor Berisha kishte organizuar një vizitë në shkollën private “Elina”, shkruan më tej Albinfo.ch.
Me këtë rast, nxënësit kishin përgatitur një pasqyrë të vendlindjes së tyre përmes performancave folklorike dhe ushqime vendore.
Me këtë rast, Ralph Schlusche u falënderua me një dhuratë modeste. Në përfundim të udhëtimit, u vizitua edhe një bio fermë shumë e njohur në Shkodër, në kufirin me Malin e Zi, “Mrizi i Zanave”. Shoqata gjermane “Lions Club”, dëshiron t`i ruajë edhe më tutje kontaktet me njerëzit në Kosovë.