-Gjatë një konference për shtyp u publikua edhe raporti final i Misionit mbi zgjedhjet parlamentare. Misioni i ri do të përfshijë shumë anëtarë nga ekipi i kaluar dhe do të përcjellë formatin dhe metodologjinë e njejtë/
PRISHTINË, 15 Shtator 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Shefi i Misionit të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë nga Bashkimi Evropian (EU EOM) dhe anëtari i Parlamentit Evropian nga Sllovenia, Alojz Peterle, zyrtarisht lançoi Misionin e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit në Kosovë.
Gjatë një konference për shtyp, ku u publikua raporti final i misionit mbi zgjedhjet parlamentare, Shefi i Misionit Alojz Peterle u shpreh se, është i kënaqur të vazhdoj në rolin e Shefit të Misionit për misionin e ri të vëzhgimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë nga Bashkimi Evropian, i cili zyrtarisht fillon punën sot. “Misioni i ri do të përfshijë shumë anëtarë nga ekipi i misionit të kaluar dhe do të përcjellë formatin dhe metodologjinë e njejtë”, theksoi ai.Ekipi kryesor prej tetë analistëve të zgjedhjeve nga BE do të qëndrojë në Kosovë deri në përfundim të procesit zgjedhor për të kryer një vlerësim të hollësishëm gjithëpërfshirës.
Mandati i Misionit është të vëzhgojë të gjitha aspektet e procesit zgjedhor dhe të vlerësojë shkallën në të cilën zgjedhjet përputhen me legjislacionin vendas, si dhe me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për zgjedhjet.Në javën e 18 shtatorit, ekipit kryesor do t’i bashkangjiten edhe 20 vëzhgues afatgjatë, që do të vendosen nëpër Kosovë në ekipe prej dy personash.
Me afrimin e ditës së zgjedhjeve do të bashkangjiten edhe 42 vëzhgues afatshkurtër si dhe vëzhgues afatshkurtër të rekrutuar në nivel lokal nga shtete të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian bashkë me Norvegjinë dhe Zvicrën, duke e ngritur numrin në rreth 100.Të gjithë vëzhguesit e EU EOM janë të lidhur nga një kod sjelljeje që kërkon neutralitet strikt dhe paanësi.
Paralajmërohet se, “shumë shpejt pas ditës së zgjedhjeve, Misioni do të lëshojë një deklaratë preliminare me të gjetura në një konferencë për media në Prishtinë. Raporti Final, duke përfshirë rekomandimet për proceset e ardhshme zgjedhore do të prezentohet më vonë pas finalizimit të procesit zgjedhor”.
EU EOM dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë operojnë si të pavarur nën mandate specifike.