Në Kuvendin e Kosovës, amendamentet kushtetuese do të votohen para se të votohet për Gjykatën Speciale, drejt së cilës u bë edhe një hap tjetër në mbledhjen e të premtës së 19 qershorit të qeverisë me miratimin unanimisht të kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë për t’i dërguar si informatë Kuvendit Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.Duke prezantuar kërkesën, ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, theksoi se nuk bëhet fjalë për shqyrtim të miratimit të projektligjit, por është informim me përmbajtjen e tij për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ai prezantoi në detaje tërë procesin e trajtimit të Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili, sic theksoi, “është hartuar krejtësisht nga BE-ja dhe ka filluar me themelimin e grupit teknik nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar që të shqyrtohet legjislacioni i pranuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.
“Ky është draft që nuk ka më hapësirë për negocim nga ekipi i ekspertëve”, tha ministri Kuçi, duke theksuar se, “është menduar që me përmbajtjen të njoftohet qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe më pastaj me procedura të rregullta edhe kushtetuese, edhe me rregullore të Kuvendit por edhe atë të qeverisë, të merren vendimet adekuate”.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka vlerësuar me përkushtim shumë të madh punën e bërë nga ministri dhe grupi i ekspertëve, të cilët kanë qenë njerëz të përgjegjësisë së lartë për fushat që i kanë mbuluar në bisedimet me Brukselin, duke theksuar përpjekjet e tyre që maksimalisht ligji t’i përshtatet kushteve të Kosovës dhe të përmbajë të gjitha elementet të cilat është konsideruar se duhet t’i përmbajë një ligj i tillë.
“Përgjigja përfundimtare, edhe e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë se ky është teksti i fundit në të cilin nuk ka hapësirë që të bëhen ndryshime”, bëri të ditur kryeministri kosovar.
Mustafa vlerësoi se, një kontribut i madh i grupit ka qenë edhe heqja e fjalës dhe shprehjes gjenocid nga teksti i ligjit, të cilën e ka përmbajtë në versionin e mëparshëm dhe përshtatja e ligjit me ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto fusha.
“Ne kemi aprovuar në qeveri ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për këto ndryshime është dhënë mendim pozitiv edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ndryshimet kushtetuese dhe Ligji për Dhomat e Veçanta janë rrjedhojë e letërkëmbimit të Presidentes së Republikës së Kosovës me Baroneshën Ashton, që është bërë vitin e kaluar, dhe e Ligjit mbi ratifikimin e këtij letërkëmbimi që ka aprovuar Kuvendi i Kosovës me votat e mbi dy të tretat e deputetëve ”, theksoi kryeministri Mustafa.
Kryeministri po ashtu bëri të ditur se nuk ka asgjë të re në përmbajtjen e këtyre ligjeve dhe amendamenteve që nuk ka qenë pjesë e zotimit përmes Kuvendit të Republikës së Kosovës se do të përmbushen detyrimet ndaj kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për vënien e drejtësisë së plotë, duke konsideruar se edhe ky do të jetë një kontribut i Kosovës në këtë aspekt.
“Ritheksoj se as ndryshimet kushtetuese dhe as ky ligj nuk ka të bëjë fare me kontestimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne do të mundohemi dhe do të bëjmë përpjekje maksimale që të afirmojmë dhe t’i ruajmë vlerat e UÇK-së. Por, çështja është që të zbardhet drejtësia për dyshimet ndaj individëve të caktuar, për të cilët askush nga ne nuk e din se kush janë dhe kush do të jenë, sepse janë çështje që drejtësia duhet t’i zbardhë në një proces të plotë të drejtësisë. Andaj, unë propozoj që ne t’ia dërgojmë Kuvendit të Republikës së Kosovës në këtë fazë si informim, dhe në momentin kur bëhet aprovimi i ndryshimeve të Kushtetutës, me vendim të qeverisë, projektligjet marrin formën për shqyrtim dhe aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Edhe zëvendëskryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, shprehu vlerësimin më të lartë për punën që ka bërë grupi punues, në krye me ministrin e Drejtësisë, Kuçi.
“Vlerësoj se, në veçanti pas tërheqjes së çështjes apo termit gjenocid që ka qenë e përfshirë në propozimet e para, ne, si qeveri e pranojmë këtë informatë për ta dërguar edhe si ekip qeveritar. Është me interes që të pranojmë për t’ia dërguar si informatë Kuvendit të Republikës së Kosovës Projektligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, u shpreh ai.
Gjithashtu, vijoi Thaçi, duke marrë parasysh edhe kultivimin e raporteve tona me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me këtë proces ne evitojmë edhe pretendimin e kundërshtarëve të pavarësisë që kjo çështje të shkojë në Këshill të Sigurimit.
“Prandaj, mendoj se tërheqja e termit gjenocid, domosdoshmëria e themelimit të kësaj gjykate, obligimet që dalin nga letërkëmbimi i Presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton, të vitit të kaluar, gjithashtu përgjegjësitë tona që kemi karshi bashkësisë ndërkombëtare dhe obligimeve ndërkombëtare dhe duke u nisur edhe prej vizionit për të ardhmen evropiane dhe perëndimore të Republikës së Kosovës, mendoj se tani ky Projektligj, e lehtëson orientimin, përcaktimin dhe votimin edhe të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për votim pro”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.
Po ashtu, vijoi ai, shprehu besimin që edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të ndërtohet një konsensus sa më i gjerë politik, në kuptimin e dërgimit të mesazhit të konsensusit qytetar, në të njëjtën kohë.
“Prandaj, vlerësoj se do të ishte mirë dhe me interes që gjithë kabineti qeveritar në mënyrë unike, t’i japë këtë mbështetje punës së grupit punues dhe natyrisht jo vetëm si partnerë të koalicionit, por shpresoj që në një bazë edhe më të gjerë politike do të kemi një mbështetje edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Tërë ky proces ka kaluar nëpër një proces të një pune të përbashkët të të gjithëve, gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, të luftës së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe të ruajtjes dhe kultivimit të plotë të partneritetit strategjik të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian”, theksoi zëvendëskryeministri Thaçi.
Sipas shtypit të sotëm kosovar, qeveria dhe Kuvendi kanë gjetur një zgjidhje kompromisi për mënyrën se si të zhbllokohet procesi i vendimmarrjes për amendamentet kushtetuese, të cilat krijojnë bazë për themelimin e Gjykatës Speciale.
Kuvendi është informuar me Projektligjin për këtë gjykatë, por pa të drejtën për ta vënë në votim përnjëherë me amendamente.
Rreth një muaj më parë, me propozim të subjekteve në pushtet, është shtyrë seanca për amendamentet, me arsyetimin se deputetët nuk e posedonin para vetes edhe Projektligjin për Specialen.
Ishte arsyetim formal, ngaqë shtyrja qe bërë në mungesë votash. Megjithëkëtë, Kuvendi i qëndroi pas arsyetimit dhe ishte përcaktuar që, kurdo që t’i verë amendamentet në rend dite, ta qesë para deputetëve për votim edhe Projektligjin. Qeveria nuk e ka përfillur këtë kërkesë, pasi ka vlerësuar se pa u bërë ndryshimet kushtetuese ligjërisht nuk mund ta procedojë për votim Projektligjin.
Kësisoj, të premten Projektligji nuk është proceduar për t’u votuar, por vetëm që deputetët të informohen me përmbajtjen e tij, përfundon shtypi në Prishtinë.
Axhenda e seancës vijuese plenare të Kuvendit të Kosovës vendoset nga Kryesia, mbledhja e së cilës me shefat e grupeve parlamentare nuk është ftuar ende.
Drejt projektligjit për Gjykatën Speciale, “shqyrtimi i propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga qeveria e Republikës së Kosovës”, ishte pika e vetme e rendit të ditës në seancën e 29 majit, por u shty (me 78 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenime) me propozimin e koalicionit qeverisës. “Në mungesë të materialeve nuk ofrohet mundësia për deputetët për të parë se çfarë do të votojnë dhe meqë draftligji pritet të kthehet nga Brukseli, ne propozojmë që të shtyhet mbledhja, derisa të kemi materialet e nevojshme për analizim për këtë çështje”, u tha me atë rast nga pozita.
Ndërsa, opozita tha se kishte “vetëm dy alternativa të mundshme: Gjykata Speciale ose nuk duhet të vijë fare në Kuvendin e Republikës së Kosovës ose do të duhej të shtyhej deri në pafundësi”.
Duke nisur nga ora kur ishte ftuar seanca plenare, e edhe në 17 qershor, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, me mbështetje edhe nga opozita, zhvilluan protesa kundër miratimit të Gjykatës Speciale, para ndërtesës së Kuvendit dhe të qeverisë së Kosovës.
Për miratimin e propozim-amendamentit duheshin dy të tretat e votave të Kuvendit 120 anëtarësh, përfshirë ato të komuniteteve pakicë që përfaqësohen me 20 deputetë.
Në mbledhjen e caktimit të axhendës, Kryesia e Kuvendit kishte kërkuar nga qeveria e Kosovës që për seancën e 29 majit të procedojë në Kuvend edhe Projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Gjykatës Speciale.
Në 7 mars qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Propozimin për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Me atë rast u tha se me këtë amendamentim po përmbusheshin obligimet që ka marrë qeveria nga Kuvendi i Kosovës vitin e kaluar, për themelimin e Gjykatës Speciale.
This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy
Privacy Overview
This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.