-Nga kjo marrëveshje me KfW (Banka Gjermane për Zhvillim) do të përfitojnë qytetarët e komunave e Gjilanit, Gjakovës, Prishtinës dhe Ferizajt/
PRISHTINË, 22 Janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës dhe KfW (Banka Gjermane për Zhvillim) nënshkruan sot Marrëveshjen për masat e Efiçiencës në Energji për nivelin Komunal.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti dhe Drejtori i KfW-së për Evropën Juglindore e Turqinë, Christoph Tiskens, ndërsa pjesëmarrës ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, si dhe kryetarët e komunave përfituese, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, si dhe kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Sfarqa.
Ministri i Financave Avdullah Hoti, duke falënderuar qeverinë gjermane, BE-në dhe KfW për bashkëpunimin e shkëlqyer të ofruar gjatë të gjitha këtyre proceseve, bëri të ditur se nga kjo marrëveshje do të përfitojnë qytetarët e komunave e Gjilanit, Gjakovës, Prishtinës dhe Ferizajt.
“Kjo marrëveshje vije në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi me Gjermaninë dhe BE-në. Marrëveshja për këtë projekt kap vlerën prej 7.5 milionë euro, ku 5 milionë euro janë grant, 2.5 nga qeveria gjermane dhe 2.5 nga WBIF. Pjesa e kredisë përfshinë vlerën prej 2.5 milionë euro nga KfW-ja me një grejs periudhe 3 vjeçare dhe me afat amortizimi deri në vitin 2028, me këste që paguhen dy herë brenda vitit”, tha ministri Hoti.
Ai vijoi se, marrëveshja për këtë projekt edhe më tutje konfirmon përpjekjet e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikë së Kosovës, pasi që nga ky projekt direkt do të përfitojnë institucionet më të rëndësishme të këtyre qyteteve, siç janë shkollat fillore dhe të mesme dhe shëndetësia primare.
“Kjo marrëveshje vije pas nënshkrimi të marrëveshjes me Bankën Botërore për të njëjtin qëllim për nivelin qendror, i cili njëherit paraqet edhe synimin e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe miqve ndërkombëtarë drejt përmirësimit të sistemi të energjisë, si një sektor kyç për zhvillimin e vendit dhe inkuadrimin e mëtutjeshëm në strukturat ndërkombëtare”, theksoi ministri Hoti.
Ndërsa, drejtori i KfW-së për Evropën Juglindore e Turqinë,. Christoph Tiskens, tha se “qëllimi i këtij programi është përmirësimi i kushteve të jetesës për banorët e komunave të Prishtinës, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt dhe është i bazuar në studimin e fizibilitetit, i përfunduar në vitin 2012 dhe i financuar nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, ku janë identifikuar 30 ndërtesa në komuna të ndryshme që kanë nevojë për rehabilitimin e masave të efiçiencës energjetike, në ndërrim të dritareve, izolim, sisteme të ngrohjes, të shkollave, kopshteve të fëmijëve, spitaleve dhe qendrave mjekësore. Kostoja e zbatimit është rreth 7.5 Milionë Euro”./b.j/