-Mustafa: Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për Gjykatën Speciale e ruan sovranitetin e Kosovës/
-Thaçi: Që të kemi një mbështetje çfarë e meritojmë, duhet natyrisht që edhe ne të prodhojmë argumente/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 1 Gusht 2015/ Gjykata Speciale rikthehet në 3 gusht në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku në 26 qershor për miratim mungonin 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e 120 deputetëve.
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare të hënën, në 3 gusht, në orën 10:00, me një pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të riproceduar në Kuvend nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Ky ishte vendimi i djeshëm i Kryesisë së Kuvendit, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, kryesuar nga kryetari Kadri Veseli, e cila u mbajt ndonjë orë pas mbledhjes së qeverisë së Republikës së Kosovës.
Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për Gjykatën Speciale e ruan sovranitetin e Kosovës, është shprehur kryeministri kosovar Isa Mustafa në mbledhjen e qeverisë ku u miratua unanimisht propozimi për riprocedimin e amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, ai përkujtoi se, Kuvendi kosovar e ka shqyrtuar në 26 qershor amendamentin numër 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i cili është proceduar nga qeveria pas aprovimit në 7 mars 2015.
“Amendamenti është përkrahur nga 75 deputetë, por nuk i ka arritur votat e mjaftueshme prej dy të tretave, përkatësisht të 80 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në takimin e qeverisë të datës 27 qershor kemi shprehur përcaktimin tonë që pas konsultimeve të nevojshme me deputetë të riprocedojmë në Kuvend të njëjtin amendament kushtetues”, tha ai.
Kryeministri Mustafa tha se, ndërkohë janë zhvilluar takime me deputetë dhe me grupe parlamentare në të cilat është biseduar lidhur me nevojën e aprovimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të mundësojnë themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Specializuar.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, konsideroj që ne nuk e kemi asnjë pengesë kushtetuese që amendamentet të cilat janë aprovuar njëherë në qeveri të riprocedohen në Kuvend me kërkesë që t’i shqyrtojë edhe njëherë dhe të marrë vendim për aprovimin e tyre, duke pasur parasysh rëndësinë shumë të madhe që ka për vendin aprovimi i këtyre amendamenteve”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ai tha se, arsyeja e riprocedimit të amendamenteve ndërlidhet veçmas me përmbushjen e obligimeve të cilat i ka marrë Kosova në Ligjin për ratifikimin e letrës së Presidentes së Kosovës me Baroneshën Ashton të aprovuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 2014.
“Prandaj, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet të cilat i aprovon Kuvendi, ndërsa Kosova duhet të tregojë se është përgjegjëse dhe se është e zonja që të përmbushë zotimet e saj para komunitetit ndërkombëtar, zotime të cilat janë ratifikuar me ligj. Kosova përmes aprovimit të këtyre amendamenteve demonstron në mënyrë të qartë përcaktimin e qeverisë së saj për rend dhe ligj dhe për arritjen e standardeve të larta perëndimore të drejtësisë, por njëherit poashtu shprehë bindjen se votimi i tyre në Kuvend është në dobi afatgjate të Kosovës”, tha Mustafa.
Kryeministri i Kosovës theksoi se, themelimi i Dhomave të Veçanta sipas këtyre amendamenteve është kërkesë eksplicite e partnerëve tanë strategjikë, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
“Gjatë riprocedimit kemi pas parasysh poashtu edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit dhe e ka konfirmuar se amendamenti numër 24 nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me kapitullin 2 dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës”, vijoi Mustafa.
Ai u shprehu besimin se aprovimi i këtij amendamenti është në dobi të shtetit të Kosovës dhe të zotërimit të drejtësisë mbi çdo dyshim të mundshëm.
“Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për këto amendamente kushtetuese e ruan sovranitetin e Kosovës, sepse institucionet e Republikës së Kosovës janë ato që marrin rolin dhe përgjegjësinë për një vendim të tillë. Për neve do të jetë e dëmshme dhe e papranueshme që për këtë çështje të vendoset mbi bazën e Rezolutës 1244, pasi që rikthimi dhe fuqizimi i kësaj rezolute sjell në pikëpyetje sovranitetin e vendit dhe vlerat e ndërtuara që nga periudha e shpalljes së pavarësisë”, theksoi kryeministri Mustafa.
Unë, vijoi kreu i qeverisë, pres që vendimi për ndryshimet kushtetuese të përkrahet nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të pozitës dhe opozitës.
“Kjo është një çështje që i takon tërë vendit, ashtu siç është partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë ndihmuar vendin tonë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe partneriteti me BE-në. Janë në interes të pozitës dhe të opozitës dhe të gjithë qytetarëve të Republikë së Kosovës. Ne poashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë vend të izoluar nga vendet mike. Na nevojitet përkrahja e tyre për integrimet në BE, për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për investime dhe zhvillim ekonomik dhe për forcimin e shtetit ligjor. Këtë duhet ta bëjmë së bashku me partnerët strategjikë në rrugën e integrimeve tona euroatlantike”, theksoi kryeministri Mustafa.
Prandaj, përfundoi kryeministri kosovar, duke pas parasysh rëndësinë e themelimit të Dhomave të Veçanta, unë ju ftoj që ta përkrahni riprocedimin e këtij amendamenti, përkatësisht amendamenteve kushtetuese, dhe poashtu Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më shpejtë ta thërrasë seancën dhe të aprovojë këto amendamente.
Edhe zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi se është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për qeverinë dhe të gjitha institucionet e vendit që të riprocedohet për këtë çështje të rëndësishme të themelimit të Gjykatës Speciale.
“Vlerësoj se është e rëndësishme edhe për të kaluarën, për të sotmen dhe mbi të gjitha për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ne kemi marrë obligimet si institucione para bashkësisë ndërkombëtare, në një proces të një bashkëpunimi të ngushtë, të një transparence të plotë, por edhe të një bashkëpërgjegjësie mund të themi lirisht”, u shpreh ai.
Prandaj, vijoi shefi i diplomacisë kosovare, edhe letërkëmbimet që kanë ndodhur duke u bazuar në vendimet e Kuvendit në mes të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Bashkimit Evropian janë edhe një përgjegjësi e re që del para institucioneve tona.
“Mendoj se kjo çështje është ajo që duhet të largoj ndasitë politike, përkundrazi është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore dhe duhet të shndërrohet në një rrethanë të favorshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, që të vazhdohet menjëherë me çështjen e Stabilizim-Asociimit, pastaj me rekomandimin për liberalizimin e vizave, me anëtarësimin e Kosovës edhe në UNESCO, edhe në Interpol edhe me aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Gjithashtu, vlerësoj se është një standard të cilin Kosova e plotëson më mirë se të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe që do të mirëpritet prej të gjithë partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë dhe që do të kemi një mbështetje të fuqishme, gjithashtu edhe në të ardhmen”, theksoi Thaçi.
Pra, vijoi ai, ky votim apo ky kalim në Kuvendin e Kosovës në ditët e ardhshme do të mund t’i hap Kosovës një kapitull të ri, kapitullin e fuqizimit të integrimeve euroatlantike për Kosovën, por edhe ruajtjes, kultivimit dhe thellimit të partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Dhe, pastaj ne të procedojmë axhendën tonë shtetërore, në mënyrë që të kemi një mbështetje edhe më të fuqishme ndërkombëtare. Por, që të kemi një mbështetje çfarë e meritojmë, duhet natyrisht që edhe ne të prodhojmë argumente sikur sot që po prodhojmë si qeveri e Kosovës dhe në ditët e ardhshme edhe si Kuvend i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.
Ai përfundoi se, mbetet me shpresë, optimizëm dhe besim të plotë që edhe deputetët kësaj radhe do të votojnë pa ndonjë hezitim në drejtim të asaj që të përmbyllet edhe kjo sfidë apo bashkëpërgjegjësi e politikës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Një ditë pas mosarritjes së numrit të nevojshëm të votave në Kuvend, qeveria në 27 qershor, në një mbledhje konsultative paralajmëronte riprocedim i Gjykatës Speciale dhe për këtë edhe bashkërendësim e bisedime edhe me opozitën. Por, tre partitë opozitare, VV, AAK e Nisma në një deklaratë të përbashkët që pasoi shprehën dhe vazhdojnë të mbajë qëndrimin se, “vendimi i 26 qershorit i Kuvendit të Kosovës për refuzimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale është përfundimtar dhe i pakthyeshëm”. Në vazhdimësi të këtij qëndrimi, tre partitë opozitare, me gjithësej 31 deputetë, edhe në deklarata të veçanta, edhe ditëve të fundit, u rishprehën kundër riprocedimit në Kuvend të Gjykatës Speciale. Opozita shprehu kundërshtime edhe me largim nga mbledhja e djeshme e Kryesisë së Kuvendit duke kërkuar të mos procedohen ndryshimet kushtetuese për Specialen.
Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, një debat të gjerë ngjalli edhe propozimi për mocion procedural i grupeve parlamentare opozitare lidhur me procedimin në seancën plenare të radhës të Projektrezolutës lidhur me krimet e kryera nga Serbia gjatë viteve 1998-1999. Propozimi u përkrah edhe nga përfaqësues të grupeve parlamentare në pozitë, mirëpo u kontestua në kuptimin procedural. Rrjedhimisht, nuk mori përkrahjen e shumicës së anëtarëve të Kryesisë për të hyrë si pikë e rendit të ditës në seancën e radhës.