Kosovë-Korrespondenti i DIELLIT, Behlul Jashari Çmim nga Ministria e Diasporës/
-Ai, duke u falënderuar në ceremoni për vlerësimin tha se Çmimin për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare që iu dha ia dedikon VATRËS dhe gazetës organ i saj DIELLI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
-Në ceremoninë sonte në Prishtinë mori pjesë dhe u përshëndet veçantë edhe zv/kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, organ i së cilës është Gazeta DIELLI, Agim Rexhaj – Nderi i Kombit, i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë
PRISHTINË, 2 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Në Prishtinë, organizuar nga Ministria e Diasporës, në kuadër të manifestimit tradicional Dita e Diasporës, në një ceremoni sonte, ku mori pjesë dhe u përshëndet veçantë edhe Agim Rexhaj-Nderi i Kombit, i dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë,
zv/kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, organ i së cilës është Gazeta DIELLI, korrespondentit të saj në Kosovë, gazetarit shumëvjeçar Behlul Jashari, iu dha Çmimi për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare. “Duke ditur kontributin tuaj dhënë diasporës përmes shkrimeve të ndryshme për të, komisioni për ndarjen e çmimit ‘Gazetari me shkrimin/kronikën ose emisionin më të mirë për diasporën’ vendosi që çmimi për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës t’ju jepet juve, i nderuari z.Jashari”, është njoftuar nga Ministria kosovare korrespondenti i DIELLIT, gazetës më të herëshme shqiptare në gjithë botën, e themeluar nga Fan Noli e Faik Konica, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës Vatra, e cila gazetë në 15 shkurt 2016 festoi 107 vjetorin.
Gazetari Behlul Jashari duke u falënderuar në ceremoni për vlerësimin tha se çmimin që iu dha ia dedikon VATRËS dhe gazetës organ i saj DIELLI në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çmimin për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare korrespondentit në Kosovë të DIELLIT ia dorëzoi Sekretari i Përgjithshëm i Minisrisë së Diasporës, Osman Shahini.
Korrespondenti në Kosovë aktualisht i Gazetës DIELLI – korrespondenti i ATSH nga Kosova e themelues i bashkëpunimeve të para të medias Kosovë-Shqipëri prej çerek shekulli, Behlul Jashari, gazetar shumëvjeçar, ishte redaktor e kryeredaktor i gazetës tradicionale kosovare Rilindja, si dhe kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës e lëvizjes për liri e pavarësi “Bujku”, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e cila nisi të dalë në Prishtinë nga 18 janari 1991 dhe deri në lirinë e Kosovës informonte në kohën e paraluftës e luftës, është laureat i çmimit më të lartë të gazetarisë shqiptare- Çmimit Karriera të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, që iu dha në ceremonë në Prizren në 13 nëntor 2015.
Çmimi për kontribut të veçantë në promovimin e diasporës shqiptare iu dha edhe Radio-Rilindjes në Osllo të Norvegjisë.
Çmimi për emisionin më të mirë televiziv iu dha Valdete Osmanit, për reportazhin “Shemsi (Papi) Brahimi, një trajner i futbollit për fëmijë në Suedi”.
Çmimi për shkrimin më të mirë në medie/portale iu dha Alban Hamzës, nga Albinfo për reportazhin “Ardiani dhe vera e tij Norah që lindi nga dhimbja”.
Në hapje të manifestimit, ku ishte edhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i qeverisë së Shqipërisë, Blendi Klosi, ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, Valon Murati tha se, “sot diaspora nuk është sikur ajo e disa dekadave më parë. Përveç përkrahjes financiare të cilën Kosova e merr çdo vit nga ajo, diaspora sot i ofron Kosovës edhe kapacitete njerëzore, profesionale, kulturore e shkencore. Prandaj, është detyrë e jona si institucione që të vazhdojmë t’i forcojmë lidhjet me diasporën”.
Çmimi “Mërgimtari i vitit” u dha për sukseset e arritura në arsim, kulturë, sport, biznes, veprimtari humanitare, si dhe për kontribut të veçantë për shtetin e Kosovës ose për diasporën.
Çmimi për arsim iu dha Ermira Morinës, mësuese, ndër më të suksesshmet dhe shumë aktive në organizimin e mësimit plotësues të gjuhës dhe kulturës shqipe në Greqi.
Çmimi për sport iu dha Arlind Ajetit, futbollist i Kombëtares Shqiptare, i vlerësuar më i spikaturi në “Euro 2016”.
Çmimin për biznes e mori Gani Nuha, biznesmen në Gjermani, themelues dhe promotor i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, ndërsa aktualisht Sekretar. Gjatë vitit 2015 ka investuar mbi 10 milionë euro në krijimin e Hidrocentralit në Albanik – Kosovë, ku ka gjeneruar mbi 200 vende pune.
Çmimin për kulturë e mori Alketa Xhafa Mripa, artiste, e cila bëri ekspozitën me veshjet e grave të dhunuara gjatë luftës në stadiumin e Prishtinës, ekspozitë kjo që bëri bujë në të gjitha mediet botërore. Jeton në Londër.
Çmimi “Mërgimtari i vitit” iu dha Drenusha Shalës, themeluese e kompanisë “Baruti GMBH”, 26-vjeçare, e cila ka themeluar një biznes të shërbimeve në Prishtinë dhe ka punësuar brenda vitit mbi 300 punëtorë, duke u bërë kështu shembull i të rinjve shqiptarë të diasporës për sukseset në biznes dhe teknologji informative, si dhe duke kontribuar në atdhe me vende të reja pune.
Çmimi i nderit iu nda Noel Malcolm, historian, gazetar politik dhe akademik, kontribuues i madh i çështjes shqiptare dhe i bashkëpunimit me diasporën shqiptare në Angli.
Çmimi post-mortem iu nda Aleksandër Stipçeviqit, i lindur në Arbanas të Zarës – Kroaci, ilirolog dhe kontribuues i jashtëzakonshëm i hulumtimeve të prejardhjes shqiptare.
Pas ndarjes, së çmimeve mbrëmja vazhdoi me performimin e bendit të Radio Televizionit të Kosovës – RTK, të Bardh Jakova&Spartiti per Scutare nga Italia dhe të grupit “Zoria” nga Kroacia, të cilët kënduan këngë të zgjedhura shqiptare.
*Ne Foto: Agim Rexhaj, Valon Murati, Behlul Jashari- 2 gusht 2016-Prishtinë-foto Gazeta DIELLI
Te lumte Z. Behlul. Ishe dhe jeni nje njeri me kondicion te pandryshueshem ne gazetari, krijimtari dhe menaxhim.