-Shtypi në Prishtinë: Nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët/
PRISHTINË, 21 Tetor2015/Përfaqësuesit e vendeve të Quint-it në Prishtinë nuk do të ndërhyjnë për zgjidhjen e krizës politike në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se pozita dhe opozita nuk po arrijnë pajtim për vazhdimin e seancave, shkruan sot shtypi në Prishtinë. Legjislativi ka më shumë se një muaj që është bllokuar nga deputetët e opozitës, madje këta të fundit kanë hedhur gaz lotsjellës në dy seancat e fundit, duke e pamundësuar mbajtjen e seancave plenare pa tërheqjen e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Edhe presidentja Atifete Jahjaga gjatë dy ditëve të fundit ka takuar drejtuesit e partive parlamentare, në përpjekje për ta zhbllokuar punën e Kuvendit, mirëpo asnjëra nga palët nuk po lëshon pe në kërkesat e tyre. Opozita po kërkon tërheqjen e marrëveshjeve, gjë të cilën nuk po e pranojnë partnerët e koalicionit qeverisës. Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se qytetarët e Kosovës kanë shumë probleme tjera dhe ky fakt, sipas saj, do të duhej të ishte argument i mjaftueshëm që përfaqësuesit e popullit ta tejkalojnë këtë situatë. “Shumë njerëz këtu janë të detyruar që çdo ditë të konfrontohen me probleme krejt tjera. Kjo do të duhej të ishte përgjegjësi dhe obligim i mjaftueshëm për përfaqësuesit e zgjedhur të popullit”, ka deklaruar Viets për gazetën “Zëri”. Ambasadorja gjermane e ka mbështetur ndërhyrjen e presidentes Atifete Jahjaga për gjetjen e një zgjidhjeje, që do të mundësonte tejkalimin e kësaj situate./b.j/