• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AUTOCENSURA SI FORMA MË E PËRSOSUR E CENSURIMIT TË SHTYPIT

May 15, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli  /

Muajin që kaloi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, përfshirë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën.  Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, në një përmbledhje të raportit mbi Shqipërinë, njoftoi se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut në vitin 2017 në Shqipëri, ishin “Kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve shkaktuar nga interesat financiare dhe politike, dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.   Përsa i takon lirisë së shprehjes dhe të medias, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi më 20 prill se në raportin e DASH mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, thuhet se qeveria shqiptare në përgjithësi i respektoi këto të drejta, por shton se pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikimin e tyre tek media në mënyrë të papërshtatshme, duke cituar drejtë për drejtë raporin e DASH, në të cilin nënvijohet se,“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi të gjerë pikëpamjesh, megjithëse pati disa përpjekje për të ushtruar presion direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që punonin për histori investigative për krimin dhe korrupsionin”, theksohet në raport.  Po ashtu, nënvijon VOA shqip, “presioni politik, korrupsioni, mungesa e fondeve e ndrydhën median e pavarur të shkruar”, dhe problem mbeti autocensura.

Shembulli më i fundit i autocensurës nga një numër i konsiderueshëm gazetash me rëndësi dhe portalesh në Republikën e Shqipërisë, ndodhi dy ditë më parë.  Kishte të bënte me lajmin mbi deklaratën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ndërkohë që po fliste për Shqipërinë – para studentëve të huaj që studiojnë në Turqi – udhëheqsi turk u shpreh se është duke bërë përpjekje gjithnjë e më të avancuara, për të ndërhyrë në sistemin arsimor të Shqipërisë.  Deklaratën e Z. Erdogan, se “Do marrim kontrollin edhe në Shqipëri”, shumë media shqiptare me të drejtë e cilësuan, fillimisht, si një deklaratë “bombë”, sepse e tillë ishte deklarata e tij, drejtuar një vendi të pavarur e sovran, siç është Shqipëria. “Sigurisht, ne vazhdojmë bisedimet. Heret a vonë ne do ta shkatërrojmë këtë lëvizje”, duke iu referuar lëvizjes “gylen”, që mban emrin e kundërshtarit të tij. “Çdo ditë ne avancojmë. Fondacioni ynë Maarif në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore’, shtoi ai.

Se pse dy kundërshtarët politikë të Turqisë po zhvillojnë betejën e tyre, për jetë a vdekje dhe për influence, pikërisht në trojet shqiptare dhe pse lejohen të bëjnë një gjë e tillë, është përgjegjësi politike dhe kombëtare e udhëheqësve aktualë në Tiranë dhe në Prishtinë.  Pasi kishte deklaruar se Kosova është Turqi, tani Erdogani i është këthyer Shqipërisë, ku siç u shpreh ai, “Do marrim kontrollin”.

Ky është një subjekt tjetër, por ajo që desha të theksoj kësaj rradhe është mënyra se si fillimisht u njoftua lajmi që shumë media shqiptare e cilësuan si “bombë”, “tronditës” e të tjera. E lexova me shqetësim këtë lajm ashtu si edhe shumë lexues të tjerë, me disa prej të cilëve edhe komunikova.  Por, pas nja 2-3 orësh vura re se shumë gazeta dhe portale të rëndësishme shqiptare e kishin shlyer këtë lajm “bombë”, siç duket nën presion nga ente që veprojnë në interes të Turqisë dhe Z. Erdogan – ndoshta përfshirë edhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë.  Thashë me vete, ja shembulli flagrant i autocensurës nga gazetat dhe gazetarët shqiptarë, ndaj ushtrimit të “presionit direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias”, në Shqipëri, siç thuhet në raportin vjetor të DASH mbi të drejtat e njeriut në botë.

Me përjashtim të gazetës Telegraf në Tiranë e cila e botoi të hënën njoftimin si lajm kryesor në faqen e parë, asnjë prej gazetave më të mëdha në Shqipëri nuk e kishte njoftuar këtë lajm në edicionet e të hënës, ndërkohë që mediat turke e kishin njoftuar lajmin, siç duket pa asnjë problem.  Veprimi i disa prej mediave shqiptare do të quhej në anglisht, si “selfcensorship in action”.  Shembull më të mirë dhe më aktual se ky, të autocensurës në veprim, nuk ka.

Thuhet se disa mediave të caktuara shqiptare iu bë presion ta shlyenin lajmin nga portalet e tyre duke u premtuar atyre fonde për reklama, nëqoftse do e tërhiqnin lajmin “bombë”, mbi deklaratën e Presidentit Erdogan para studentëve të huaj në Stamboll, se do “merrte kontrollin edhe në Shqipëri”.

Nuk e di nëse gazetat dhe gazetarët shqiptarë — që me këtë rast u dorëzuan para presioneve politike ose ekonomike – por të cilët jetojnë në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe e lirë, nëse janë të vetdijshëm se një shoqëri nuk mund të ekzistojë gjatë si e tillë, pa një shtyp të lirë dhe pa ndërhyrje të influencave të mbrendëshme dhe të jashtëme.   Liria e shtypit është një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose gjysëm të lirë, siç kategorizohet Shqipëria nga orgnaizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut.   Liria e shtypit pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet dhe të mbështetet, sidomos nga ndërhyrjet e influencave të huaja, siç është rasti i ditëve të fundit me lajmin mbi deklaratën e Erdoganit.  Mbrojtja e lirisë së shtypit nuk është vetëm e drejtë dhe obligim i autoriteteve qeveritare, por është njëkohsisht edhe përgjegjësi morale e gazetarëve individë dhe detyrim kombëtar dhe profesional i gazetarisë së lirë në përgjithësi.

Por, nëqoftse roli i shtypit të lirë mbrohet ndërkombtarisht, ndër të tjera, me qëllim për të ekspozuar pa drejtësitë, krimin dhe abuzimet nga ana e qeverive dhe zyrtarëve të tyre, atëherë gazetarëve kudo – përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën — duhet tu sigurohet një mjedis pune ku të mund të veprojnë në gjëndje sigurie, në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje, pa kërcënime dhe pa fyerje nga ata që — në të vërtetë — duhet të jenë mbrojtësit më të fortë të tyre dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi e që është alfa dhe omega e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut.Autocensura e ushtruar nga disa gazeta dhe gazetarë, duke shlyer lajmin “bombë”, bazuar në deklaratën e fortë të Presidentit turk Erdogan se do “marrë kontrollin mbi Shqipërinë” — nga disa portale dhe gazeta më të njohura në vend, me disa përjashtime aty këtu — është një pikë e zezë mbi gazetarinë shqiptare dhe mbi ushtrimin e fjalës së lirë në atë vend.  Autocensura është forma më e keqe por edhe më e përsosur e censurimit të fjalës së lirë, sidomos kur ajo zbatohet nen presione politike dhe ekonomike, me urdhër të një fuqie ose autokrati të huaj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Autocensura, FrankShkreli, shtypi

Oligarkët e Tiranës që nga Çili, Lela, Shkullaku e me rradhë!

January 21, 2017 by dgreca

*Oligarkët e Tiranës nuk janë elita!/Oligarkët e Tiranës janë pseudoelita./Oligarkët e Tiranës  janë të rëndomtë/.Krenaria e tyre nuk është bagazhi kulturor/.Oligarkët e Tiranës  janë të dekulturuar.Oligarkët e Tiranës janë injorantë./

Nga Elida Buçpapaj/

1-elida-bucpapaj-300x130Për herë të parë kemi një sulm frontal midis oligarkëve të mediave. Shajnë njëri-tjetrin. Ia nxjerrin të palarat njëri-tjetrit.Deri sa ta mbledhin veten se kështu po vetëdigjen.E pastaj të pështyrat që po thonë për njëri tjetrit t’i lëpijnë.E t’i thurin njëri-tjetrit lavdata nga e para.Oligarkët e shtypit të Tiranës i kanë rrogat 10-30 herë më të mëdha se rrogat e kryeministrave të Shqipërisë.Oligarkët e shtypit të Tiranës i kanë rrogat 100-300 herë më të mëdha se e pensionistëve të Shqipërisë.Oligarkët e Tiranës, të metropolit më të varfër të Europës.Këtë e ka thënë me gojën e vetë Henri Çili.Se një oligarku minuk me emrin Alfred Lela i jepte rrogë sa 100 pensionistëve së toku!Po kush çan kryet se ekzistonte oligarku minuk Alfred Lela! Apo tjetri apo tjetri oligark!Oligarku Shkullaku i thotë  Berat Buzhalës se Edi Rama edhe i paguar si kryetar bashkie apo si ministër e kishte rrogën 10 herë më të vogël se rroga e Armand Shkullakut !Zot i madh përse është paguar me flori ky oligarku Shkullaku ? Ky Shkullaku që po akuzon kryeministrin se i ndërron kostumet  6-7 mijë euro për çdo ditë ? Shkullaku që po e quan kryeministrin të korruptuar ndërsa Shkullakun po e quan të ndershëm, po si qenka kështu ?Shkullaku që po i qan hallin Shqipërisë se është vendi më i varfër i Europës me oligarkë si puna e tij që nuk e kanë asnjë kokërr vlere dhe paguhen 10 herë më tepër se njëshi i vendit?Kush i ka majmur oligarkët minukë të Tiranës? Nga cila gropë e zezë kanë dalë milionat?Sepse oligarkët e Tiranës nuk dallohen nga intelektualiteti.

Nga ka dalë kjo pare për oligarkët ruralë?
Sepse oligarkët e Tiranës nuk janë elita!
Oligarkët e Tiranës janë pseudoelita.
Oligarkët e Tiranës  janë të rëndomtë.
Krenaria e tyre nuk është bagazhi kulturor.
Oligarkët e Tiranës  janë të dekulturuar.
Oligarkët e Tiranës janë injorantë.
Krenaria e tyre nuk është as miqësia me kryeministra.
Kryeministrat i mbajnë gatitu, u kërkojnë llogari dhe i thërrasin ku të duan si zara.
Oligarkët e Tiranës ministrat i shohin nga poshtë lartë.
Oligarkët e Tiranës deputetët nuk i begenisin fare.
Oligarkët ndihen shumë më lart se deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive, bile edhe se kryeministrat.
Oligarkët u thonë kryeministrave pa ne ju nuk jeni.
Oligarkët u thonë ministrave, jemi ne pa jeni ju.
Oligarkët janë e kundërta e përfaqësuesave të opinionit publik.
Oligarkët janë e kundërta e mbrojtjes të interesit publik.
Oligarkët janë e kundërta e interesit kombëtar.
Oligarkët janë dora vetë parja e pistë!
Oligarkët janë paraja e pistë!
Oligarkët janë arma e sistemit të kalbur!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Oligarkët e Tiranës, shtypi

DEMOKRACIA, TË DREJTAT E NJERIUT DHE ROLI I SHTYPIT TË LIRË

May 28, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të ënjtën që kaloi në Budapest të Hungarisë, Zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall mbajti një fjalim mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe mbi rolin e shtypit të lirë në mbrojtjen e këtyre të drejtave.    Diplomatja amerikane ishte ftuar në kryeqytetin hungarez nga Shoqata e Gazetarëve të Hungarisë për të marrë pjesë në festimet me rastin e 120-vjetorit të themelimit të kësaj shoqate.   Fillimisht, ajo foli për marrëdhëniet e ngushta dhe historike amerikano-hungareze të cilat, tha ajo, tejkalojnë marrëdhëniet midis dy qeverive, duke shtuar se ndonëse me kulturë dhe histori të ndryshme, këto dy kombe ndajnë një histori të bazuar në mbështetje të lirive themelore të njeriut.   “Ashtu si themeluesit e Amerikës, edhe hungarezët kanë qenë të vetdijshëm gjatë historisë se liria sigurohet me një vendosmëri të patundur për ta mbrojtur atë, jo vetëm nga kërcënimet e jashtme por edhe nga presionet e brendshme.”

Demokracia nuk është një sistem i lehtë, në të vërtetë siç ka thënë edhe Winston Çurçilli, mund të jetë sistemi më i keq i qeverisjes, me përjashtim të gjithë sistemeve të tjera që janë provuar gjatë historisë e të cilat kanë dështuar mizorisht.   Por, ndryshe nga sistemet e tjera, është provuar se demokracia është një sistem që më së miri mbron sundimin e ligjit dhe mbi të gjitha garanton mbështetjen e të drejtave themelore të individit.   Demokracia e vërtetë është një sistem që për nga natyra, jo vetëm duhet të garantojë dhe të mbështesë të drejtat bazë të njeriut për të gjithë, por është gjithashtu një sistem i cili mundëson njëkohsisht edhe zhvillimin e një ekonomie më të forte dhe më të begatë, nga e cila përfiton shumica e popullit.

Çdo shtet demokratik madje edhe Shtetet e Bashkuara me një histori të gjatë të sistemit demokratik, janë ndeshur shpesh me sfida të mëdha të mbrendshme dhe të jashtme të cilat kanë kërcënuar zhvillimin demokratik të tyre, me një histori nganjëherë politikash të tmershme e të gabuara me të cilat, theksoi diplomatja amerikane në Budapest, si komb, “ne nuk jemi krenarë”.   Por në çdo rast, Shtetet e Bashkuara, theksoi ajo, u ballafaquan me këto forca të errëta gjatë historisë së saj dhe si përfundim, demokracia amerikane doli më e fortë dhe më e drejtë se përpara, për të gjithë.  Ndonjëherë, shumica demokratike mundë të humbë rrugën nga vlerat e saja demokratike, por duke mbrojtur të drejtat e individit, demokracitë e vërteta mbrojnë njëkohsisht të drejtat e pakicave nga abuzimi i tyre prej shumicës, u shpreh Sarah Sewall.

Dhe kur shumica shkelë të drejtat e individit, ose kur autoritetet publike nuk përfillin dhe njëherazi abuzojnë kompetencat që u kanë besuar atyre zgjedhësit, përfshirë problemet me korrupcionin, atëherë qytetarët natyrisht kanë nevojë për gjykata të pavarura ku të kërkojnë drejtësi.   Por diplomatja amerikane nënvijoi në Budapest, me rastin e 120-vjetorit të themelimit të Shoqatës së Gazetarëve të Hungarisë se qytetarët, që të mund të mbrojnë të  drejtat e tyre si individë dhe si grup dhe që të mund të mbajnë përgjegjës udhëheqsit e tyre politikë, nbi të gjitha ata kanë nevojë gjithashtu për një media të lirë, sy patrembur dhe të pavarur.

“Shtypi i lirë” theksoi diplomatja amerikane Sewall para gazetarve hungarezë, “është një mburojë e fortë dhe jetike kundër abuzimit të pushtetit” nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore, prandaj liria e shtypit dhe pavarësia e tij janë shpeshëherë në shënjestër të forcave dhe aktorëve anti-demokratikë të cilat dëshirojnë të konsolidojnë pushtetin e tyre dhe të evitojnë llogari-dhënjen para qytetarëve. Ajo shtoi se sfidat dhe problemet me të cilat përballet liria e shtypit, janë në të vërtetë sfida ndaj vet demokracisë dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.

Zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall i siguroi gazetarët hungarezë se edhe për amerikanët mbrojtja e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të tjera bazë të njeriut është gjithmonë një luftë e vazhdueshme, por janë përpjekje që ia vlejnë, nënvijoi ajo, pasi më në fund ato na bëjnë të vetdijshëm ndaj përfitimeve që vijnë nga sigurimi i vlerave demokratike dhe nga institucionet politike të bazuara në këto vlera, përfshirë edhe dinamizmin e zhvillimeve ekonomike dhe stabilitetin politik në vend.   Janë sistemet demokratike, shtoi ajo, ato që sigurojnë se stabiliteti dhe begatia e një vendi i kanë rrënjët në respektimin e të drejtave bazë të njeriut dhe në aspiratat e popujve për liri.   “Kjo është arsyeja”, komentoi diplomatja amerikane, “që institucione ndërkombëtare siç janë Bashkimi Europian dhe Aleanca NATO pohojnë se fuqia jonë i ka rrënjët jo vetëm në interesat tona të përbashkëta, por edhe në vlerat tona të përbashkëta që mishëron demokracia liberale.”

Në fjalimin e saj para gazetarve hungarezë, Sarah Sewall përmendi ish-kongresmenin amerikan me origjinë hungareze, Tom Lantos i cili tërë jetën e tij ia kushtoi luftës në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe të lirive të tjerëve, përfshirë edhe të drejtat e shqiptarëve kudo.   Ajo citoi ish-kongresmenin Lantos të ketë thënë se, “Ne jemi mbrojtësit e këtij qytetërimi në të cilin jetojmë dhe se nga ky angazhim nuk mund të heqim kurrë dorë.”    Diplomatja amerikane Sarah Sewall përfundoi fjalën e saj duke u thënë gazetarve hungarezë se sfidat me të cilat është përballur ish-kongresmeni Lantos dhe gjenerata e tij gjatë nacizmit dhe komunizmit, as që kanë krahasim me sfidat me të cilat përballemi ne sot.   Por ajo u tha gazetarëve hungarezë se si qytetarë, është përgjegjësia e të gjithë neve — pikërisht e kësaj gjenerate — të ritheksojmë vendosmërinë tonë në mbështetje të lirisë në këtë periudhë që jetojmë, cilat do qofshin sfidat me të cilat përballemi.  Ajo citoi Presidentin Obama të ketë thënë se, “Bekimet e lirisë duhet të sigurohen, të mbrohen dhe të ripërtriten nga çdo gjeneratë.”

Këshilla të mira këto për çdo shoqëri e sidomos për shoqëritë post-komuniste — përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën – përfaqsuesit e të cilave – para popullit të vet dhe të huajve — shpeshëherë pohojnë një gjë e veprojnë krejt ndryshe.  Megjithë pretendimet e disa prej tyre se ata besojnë në vlerat e përbashkëta demokratike me vendet perëndimore të cilave deklarojnë se duan tu baskohen, historia e këtyre 25-viteve të fundit ka treguar, jo vetëm një mospërfillje të vlerave të përbashkëta demokratike perëndimore, por në shumë raste është venë re një shkelje flagrante e këtyre vlerave. Historikisht këto vlera janë kërcënuar dhe po kërcënohen vazhdimisht nga aktorë të mbrendshëm dhe të jashtëm.    Është detyra e shtypit të lirë e të pavarur që t’i identifikojë dhe t’i luftojë në opinionin publik aktorët e mbrendshëm dhe të jashtëm të cilët me veprimet e tyre, minojnë vlerat demokratike, të drejtat e njeriut dhe institucionet që janë krijuar për t’i mbrojtur ato të drejta dhe vlera të përbashkëta me botën përëndimore.  Ky është roli që duhet të luaj media dhe shtypi i lirë në një vend që pretendon të jetë demokratik.  Një media që nuk demaskon këta aktorë, të mbrendshëm dhe të jashtëm, të cilët rregullisht minojnë vlerat dhe institucionet demokratike dhe si rrjedhim pengojnë zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike – ajo media nuk meriton ta quaj veten as të lirë dhe as të pavarur.

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Frank shkreli, shtypi, te drejtat e nejriut

Thirrja e seancës, ftesë për kaos

October 26, 2015 by dgreca

Kosovë-shtypi: Përfaqësuesit e Quint-it, takime me qeverinë për zgjidhje/
-Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”./
PRISHTINË, 26 Tetor 2015/ “Përfaqësuesit e Quint-it, takime me qeverinë për zgjidhje”, paralajmëron sot në një kryetitull shtypi në Prishtinë për zhvillimet e fundit në Kuvend dhe jashtë tij, me bllokadë dhe protesta nga opozita, në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Pas skenave të dhunshme brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit fundjavën e kaluar, mes të cilave shumica parlamentare megjithatë ia doli ta miratojë ligjin për shëndetin mendor, kuvendi do të pushojë për disa ditë, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo do të bëhet me qëllim që të reflektohet mbi situatën dhe provohet gjetja e një zgjidhje. Mbajtja e seancave nën masa policore dhe jashtë sallës së seancave plenare nuk po shihen si zgjidhje, as nga ndërkombëtarët, të cilat mund t’i kontribuojnë funksionimit normal të institucioneve.
Gazeta merr vesh se qysh këtë fillim javë përfaqësues të vendeve të Quint-it do të zhvillojnë takime me kryeministrin Isa Mustafa për të parë nëse Qeveria ka ndonjë plan në lidhje me kërkesat e opozitës. Të dielën, gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, në lidhje me këtë çështje dhe nëse do të ketë ndonjë iniciativë nga Qeveria për të diskutuar rreth kërkesave të opozitës. Deri më tani, përveç mungesës së propozimeve, kryeministri Isa Mustafa e zëvendësi i tij Hashim Thaçi edhe kanë mohuar se vendi gjendet në krizë institucionale, shkruan gazeta.
“Thirrja e seancës, ftesë për kaos”, është kryetitulli i gazetës Zëri, e cila paralajmëron se partitë në koalicion prapë do të thërrasin seancë javën që vjen, se opozita këmbëngul në bllokadë dhe se pritet sërish tensionim i situates.
Gazeta shkruan se, dy blloqet e barrikaduara, pushteti dhe opozita, e kanë ndarë mendjen. Ato nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre, seanca sërish thirret për javën tjetër edhe pse paralajmërohet se do të ketë sërish bllokadë. Kjo situatë shihet si ftesë për kaos nga të dyja anët. Analistët thonë se Kuvendi i Kosovës nuk guxon edhe këtë javë të luajë me “zjarrin”, duke thirrur seancë të re për aq sa kohë palët (mazhoranca dhe opozita) vazhdojnë të jenë fortifikuara në “istikamet e tyre”. Sipas tyre, në këtë situatë dramatike në të cilën është futur legjislativi duhet dhënë mundësinë presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, që të vazhdojë më dialogun e nisur me palët me qëllim që të gjetjes së një zgjidhjeje për tejkalimin e kizës. Analistët politikë konsiderojnë se vetëm përmes një dialogu mund të zhbllokohet Parlamenti. Në anën tjetër, partitë e koalicionit janë të vendosura që t’i mbajnë seancat plenare, qoftë edhe në katin e katërt të Kuvendit, në salla të improvizuara, sikurse ndodhi javën e kaluar, siç thonë ata vetëm për të mos bllokuar proceset e Kosovës. Partitë në pushtet thonë se puna e legjislativit nuk mund të mbahet peng nga një grusht deputetësh, që dëshirojnë të vijnë dhunshëm në pushtet, shkruan gazeta.
Seanca parlamentare e ftuar vetëm nga përfaqësuesit e pozitës për pasditën e 23 tetorit u pamundësua nga opozita edhe duke hedhur gaz lotsjellës, disa herë, deri në mesnatë, e pas mesnatës në orët e para të 24 tetorit u mbajt një seancë në rrethana të jashtëzakonshme jo në sallën plenare, në të cilën qëndronte vetëm opozita e “përjashtuar”.
Kuvendi i Kosovës, kishte më shumë se një muaj nga fillimi i sesionit vjeshtor, nuk kishte arritur të përfundojë asnjë nga seancat plenare të ndërprera nga opozita edhe me hedhje gazi lotsjellës, të vezëve e shisheve të ujit, me “rrethime” të foltores e kryesuesit, mes fërshëllimash e fjalorit të ashpërsuar gjithnjë e më shumë, madje deri në banalitet, derisa jashtë Kuvendit në shesh kishte edhe protesta.
Para seancës së javës së kaluar të Kuvendit, Presidentja e Republikës i kishte ftuar “për dialog politik partitë parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend”, kishte takuar ndaras liderët e pozitës dhe opozitës dhe kishte përpjekje që t’i takojë “përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët”, por kjo nuk ndodhi./b.j/
Ne foto: Pamje nga seanca e Kuvendit te Kosoves jashte salles plenare ne 24 tetor 2015 pas mesnate pa opoziten

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kaos, shtypi, third per seance

Kosovë-Kriza politike në Kuvend

October 21, 2015 by dgreca

-Shtypi në Prishtinë: Nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët/
PRISHTINË, 21 Tetor2015/Përfaqësuesit e vendeve të Quint-it në Prishtinë nuk do të ndërhyjnë për zgjidhjen e krizës politike në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht se pozita dhe opozita nuk po arrijnë pajtim për vazhdimin e seancave, shkruan sot shtypi në Prishtinë. Legjislativi ka më shumë se një muaj që është bllokuar nga deputetët e opozitës, madje këta të fundit kanë hedhur gaz lotsjellës në dy seancat e fundit, duke e pamundësuar mbajtjen e seancave plenare pa tërheqjen e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Edhe presidentja Atifete Jahjaga gjatë dy ditëve të fundit ka takuar drejtuesit e partive parlamentare, në përpjekje për ta zhbllokuar punën e Kuvendit, mirëpo asnjëra nga palët nuk po lëshon pe në kërkesat e tyre. Opozita po kërkon tërheqjen e marrëveshjeve, gjë të cilën nuk po e pranojnë partnerët e koalicionit qeverisës. Ambasadorja gjermane në Prishtinë, Angelika Viets, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se qytetarët e Kosovës kanë shumë probleme tjera dhe ky fakt, sipas saj, do të duhej të ishte argument i mjaftueshëm që përfaqësuesit e popullit ta tejkalojnë këtë situatë. “Shumë njerëz këtu janë të detyruar që çdo ditë të konfrontohen me probleme krejt tjera. Kjo do të duhej të ishte përgjegjësi dhe obligim i mjaftueshëm për përfaqësuesit e zgjedhur të popullit”, ka deklaruar Viets për gazetën “Zëri”. Ambasadorja gjermane e ka mbështetur ndërhyrjen e presidentes Atifete Jahjaga për gjetjen e një zgjidhjeje, që do të mundësonte tejkalimin e kësaj situate./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Kosovë-Kriza politike, ne Kuvend, shtypi

Artikujt e fundit

  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”
  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT