-Dy ministra të qeverisë së Kroacisë sot në Kosovë/
-Ministri i Veteranëve, Tomo Medved theksoi kontributin e çmuar të shqiptarëve në Kroaci, duke dhënë mbi 80 dëshmorë, në mesin e të cilëve edhe tre ushtarë, që sot, familjarëve të tyre ua solli dekoratat nga Kroacia, si shenjë respekti të thellë për kontributin e tyre/
-Ministri i Kulturës, Zlatko Hasanbegović u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Kroacisë është i shkëlqyer/
-Kroacia është shteti i 31-të që ka njohur Kosovën në 19 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 26 Maj 2016/ Dy ministra të qeverisë së Kroacisë, i Kulturës, Zlatko Hasanbegović dhe i Çështjeve të Veteranëve, Tomo Medved, në vizitën sot në Prishtinë po takohen me krerë institucionalë të Kosovës, ku po vlerësohen marrëdhëniet e shkëlqyera në mes dy shteteve dhe theksohet thellimi i tyre.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, priti në takim delegacionin e Republikës së Kroacisë, të cilit i printe ministri i Veteranëve të Kroacisë, Tomo Medved dhe ministri i Kulturës, Zlatko Hasanbegović, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dyja vendeve.
Kryetari Veseli, gjatë takimit, theksoi se bashkëpunimi duhet të zgjerohet në interes të qytetarëve të të dyja shteteve.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera, të krijuara në kohërat e vështira për dy vendet tona, të ngritura nëpërmjet përkushtimit për liri dhe demokraci, janë garanci se marrëdhëniet tona munden dhe duhet të thellohen, posaçërisht në ekonomi dhe në procesin euro-integrues”, theksoi kryetari Veseli, duke i falënderuar për përkrahjen e Kroacisë në këtë proces.
Ministri Medved theksoi kontributin e çmuar të shqiptarëve në Kroaci, duke dhënë mbi 80 dëshmorë, në mesin e të cilëve edhe tre ushtarë, që sot, familjarëve të tyre ua solli dekoratat nga Kroacia, si shenjë respekti të thellë për kontributin e tyre.
Ministri kroat për çështjen e veteranëve e falënderoi Kryetarin Veseli për bashkëpunimin e deritashëm, duke theksuar se ka mundësi të mira për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi, duke i parashtruar kërkesë që të vizitojë Kroacinë.
Fillimisht, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur në një takim ministrin e Kulturës të Republikës së Kroacisë, Zlatko Hasanbegović, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe atyre kroate, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Bashkëpunim Kulturor që u realizua para disa ditësh në Zagreb.
Ky takim është në vazhdën e takimit të Zagrebit, të cilin dy ministrat e vlerësuan si shumë pozitiv, meqë janë hapur rrugë që bashkëpunimi i mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë të konkretizohet me nisma dhe veprime korrekte.
Ministri Kujtim Shala e vlerësoi lartë këtë vizitë, e cila zhvillohet vetëm pak ditë pas takimit në Zagreb, dhe si e tillë është në funksion të thellimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet dy vendeve.
Shala u shpreh se marrëveshja protokollare ndërmjet dy vendeve dhe takimet e shpeshta ndërmjet institucioneve të dy shteteve, hapin rrugë për bashkëpunim në fusha specifike.
Ai më tej u shpreh se institucionet e Kosovës kanë filluar përgatitjet që bashkëpunimi të bëhet sa më konkret, sidomos në trashëgimi, në fushën e konservimeve, kinematografisë, letërsisë, përkthimeve.
Ministri i Kulturës i Kroacisë Zlatko Hasanbegović u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Kroacisë është i shkëlqyer dhe lidhet me të kaluarën, meqë bëhet fjalë për dy vende mike, dhe shtoi se ky bashkëpunim, pas nënshkrimit të marrëveshjes kulturore ka një karakter më të qartë dhe do të thellohet me nisma konkrete e në funksion të interesit të përbashkët kulturor të dyja palëve.
Ndërmjet ministrave Shala dhe Hasanbegović u bisedua edhe për mundësinë e specializimit të stafit tonë në fushën e trashëgimisë kulturore në institucionet e Kroacisë, veçmas në fushën e konservime, meqë Kroacia shquhet për një traditë në këtë fushë.
Kroacia është shteti i 31-të që ka njohur Kosovën në 19 Mars të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë.