Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 3 Gusht 2015/-Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot edhe në seancë të jashtëzakonshme për dy ligje të proceduara po sot nga qeveria, nëse në seancën plenare të nisur sot paradite e që po vazhdon do të votohen me dy të tretat – së paku 80 vota pro ndryshimet kushtetuese drejt krijimit të Gjyakëtës Speciale.
Shqyrtimi i propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i riproceduar të premtën në Kuvend nga qeveria e Republikës së Kosovës, është pikë e vetme e axhendës së seancës plenare të Kuvendit që po zhvillohet me debate pro dhe kundër.
“Menjëherë pas aprovimit të amendamenteve kushtetueese qeveria do të mblidhet për ta shqyrtuar Projektligjin për Dhomaat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara. Qeveria menjëherë pas kësaj do të kërkojë që sot të mbahet seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për të trajtuar edhe këto dy ligje”, tha kryeministri Isa Mustafa në debatin në Kuvend.
Opozita edhe në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës u deklarua në “mbrojtje të demokracisë” dhe kërkoi mosriprocedum dhe “të mos shkelet Kushtetuta me riprocedim të Gjykatës Speciale pa respektuar procedurat”.
Por, nga koalicioni qeverisës u deklarua se, “Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk e kufizojnë mundësinë që qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. Nga Lista Serbe dhe komunitetet tjera pakicë të grupit Gjashtë Plus nuk pati deklarime grupesh parlamentare.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, të nisur paradite, nuk kaloi mocioni i opozitës lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë i nënshkruar nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
dhe Nisma për Kosovën, që të hyjë si pikë e parë e rendit të ditës para Gjyakëtës Speciale që ishte dhe mbeti pikë e vetme axhendës. Mocioni u rrëzua me shumicë votash, 55 kundër, 42 pro e 5 abstenime.
Gjatë debatit në seancën që po vazhdon nuk ka shumë prani të deputetëve në sallë, si vërejnë edhe disa nga diskutuesit, por pritet numër i mjaftueshëm në momentin kur do votohet. Pak më parë, derisa diskutonte, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, i cili u rideklaru kundër Speciales dhe bëri thirrje të mos votohet, prezantoi në foltoren e Kuvendit edhe fotografi të krimeve të shumta të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë. Pas këtij diskutimi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dha një orë pauzë, për të vazhduar seanca me debate pasdite.
Gjykata Speciale u rikthe në axhendën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku në 26 qershor për miratim munguan 5 vota për të arritur numrin e nevojshëm 80 – dy të tretat e 120 deputetëve, përfshirë ato të 20 përfaqësuesëve të komuniteteve pakicë, 10 prej tyre serbë. Në procesin e votimit opozita nuk mori pjesë, ndërsa nga pozita, subjekti politik më i madh i koalicionit qeverisës PDK, 7 deputetë ishin kundër, 2 abstenuan e 4 mungonin. Para mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës Thaçi ritakoi grupin parlamentar të partisë së tij.