-Kuvendi i Kosovës në seancë me 23 pika në axhendë, tre për raportet e bashkëpunimet me Shqipërinë/
-Nuk kalon vendimi i President të Kosovës për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 17 Maj 2018/ Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në një seancë plenare me 23 pika në axhendë, mes të cilave tre për për raportet e bashkëpunimet me Shqipërinë – dy propozim-rezoluta dhe një debat parlamentar.
“Propozim-rezoluta për heqjen e Romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë” dhe “Propozim-rezoluta për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë”, janë pikat 18 dhe 19.
Ndërsa, nën 21 është “Debati parlamentar në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore ndërmjet tyre, sipas kërkesë së deputetit Visar Ymeri, mbështetur edhe nga 11 deputetë”.
Pjesë e axhendës është edhe “Shqyrtimi i Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, në pikën e 10-të.
Seanca nisi me Koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe Koha për pyetje parlamentare për të vijuar me shqyrtimin e Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare. Ky vendim i Presidentit nuk kaloi, pasi nuk mori votat e nevojshme, nga Kuvendi 120 anëtarësh 28 votuan pro, 32 kundër e 7 abstenuan, derisa në sallë ishin 83 deputetë, por votuan jo të gjithë – vetëm 67.
“Për miratim kërkohen së paku 61 vota pro”, siç u theksua para votimit nga kryesuesi, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, i cili citoi edhe Kushtetutën në Nenin 80, ku thuhet: “Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur”.
Në 4 prill 2018 bëhej e ditur se, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 80 dhe nenit 84 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka marrë vendim për kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, të miratuar më 15 mars 2018 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ligji për Shoqëritë Tregtare ishte miratuar në Kuvend bashkë me me amendamentin e 12 që përcakton pjesëmarrja e grave në borde me dyzet për qind.
“Për shoqëritë tregtare duhet gjetur forma të arritjes së mundësive të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën ekonomike, duke krijuar lehtësira për arritjen e barazisë gjinore dhe me këtë edhe në raste të caktuara arritjen e kuotës gjinore, por jo duke ndërhyrë në lirinë e aktivitetit ekonomik të shoqërive tregtare, mirëpo duke i stimuluar ato”, thuhej në njoftimin nga Presidenca për mosdekretimin Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe kthimin në Kuvend për rishqyrtim.
Në axhendën e seancës së Kuvendit, në punimet e pasditës pas pushimit që u dha, sot janë edhe gjashtë projektligje, mes të cilëve shqyrtimi i parë i Projektligjit për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, si dhe Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën.
Gjatë punimeve të seancës së nisur sot Kuvendi shqyrton edhe Strategjinë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036, Planin e veprimit për biodiversitetin 2016-2020, si dhe raporteve për vitin 2017 të Zyrës së Rregullatorit për Energji, të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe të Agjencisë për ndihmë juridike falas.
Seanca e Kuvendit të Kosovës e nisur sot pritet të zgjasë më shumë se një ditë. Ndërsa të mërkurën e ardhshme, në 23 maj, Kuvendi do të mblidhet në vazhdim seancash me pikat e papërfunduara në 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill, si dhe në 3 maj 2018.Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 është konstituuar pas gati tre muajsh – në 7 shtator, kur u zhvillua vazhdimi i shtatë i seancës konstituive të nisur në 3 gusht.Dita e 7 shtatorit 2017 ishte dita e 27 vjetorit të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, me të cilën Kuvendi në seancën në Kaçanik shpallte Kosovën Republikë në vijimësi të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut.