-Në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës raport për shënjimin e kufirit me Malin e Zi/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 13 Korrik 2015-Kuvendi kosovar mblidhet të enjten në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 dhe çështje tjera në axhendë. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.
Votimi i Projektligjit u bë javën e kaluar, në 10 korrik, në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës pas debatit të një dite më parë. Pas votimit me shumicë e miratimit në parim u kërkua nga Komisioni Funksional dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime për seancën plenare që do mbahet në 16 korrik.
Kuvendi i Kosovës fillimisht votoi për shmanige nga rregullorja – shqyrtim të parë dhe të dytë me procedurë të përshpejtuar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2015.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi e veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë të enjte do të shqyrtojë disa projektligje dhe pritet të zgjedh Auditorin e Përgjithshëm.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, ndërsa do të shqyrtojë për herë të parë Projektligjin për Sigurimet.
Në lexim të dytë do të shqyrtohen edhe tre projektligje që kanë të bëjnë me çështje financiare: Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Në fund, Kuvendi pritet të debatojë lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së deputetes Albulena Haxhiu, e mbështetur nga pesë deputetë nënshkrues.
RAPORTON KOMISIONI SHTETËROR PËR SHËNJIMIN E KUFIRIT ME MALIN E ZI
Sot u mbajt edhe mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, ku ka raportuar Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.
Në hapje të debatit, kryetari i komisionit Hoxhaj, vuri në pah se deri më tani nuk ka marrëveshje të nënshkruar që përcakton kufirin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa nga anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit kërkoi të studiohen me kujdes dhe profesionalizëm të lartë dokumentet që ata posedojnë.
Në vijim raportoi kryetari i Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.
Ai i siguroi se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ndërshtetëror prej atyre të vitit 1974. Meha tha se dokumentet, të cilat ata posedojnë dhe shërbehen me to janë të vitit 1974. “Posedojmë edhe dokumente të para këtij viti, e që përputhen me ato të ‘74-ës. Me të njëjtat dokumente shërbehet edhe Komisioni i Malit të Zi, ndërsa janë dokumente të pranueshme për të dyja palët”, theksoi Meha.
Lidhur me pakënaqësitë dhe dyshimet e shprehura nga qytetarët lidhur me këtë çështje, Meha sqaroi se ato vijnë më shumë nga frika se sa nga rreziku real që mund të ekzistojë, dhe shtoi se prona nuk i rrezikohet askujt përgjatë vijës kufitare me Malin e Zi. Duke iu referuar fakteve që ata posedojnë, ai kujtoi kur banorë të asaj ane shfrytëzonin prona të shumta për kullosa dhe tatimin e paguanin në Rozhajë. Është dashur që atje të paguhet tatimi, sqaroi ai, sepse, prona ka qenë në atë anë të kufirit të atëhershëm dhe kjo praktikë është zhvilluar në rrethana të ndryshme prej atyre që janë sot. Meha ka dhënë sqarime sa u përket edhe dy pikave të tjera kontestuese, në Çakor dhe Kullë.
Sqarimet dhe dokumentet e ofruara nga Komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, u kontestuan me këmbëngulje nga deputeti i AAK-së, njëherësh lider i këtij subjekti, Ramush Haradinaj. Ai i vlerësoi të pasakta deklarimet e anëtarëve të Komisionit shtetëror, ndërsa në shenjë mospajtimi me ta braktisi mbledhjen e komisionit.
Anëtarët e komisionit premtuan mbështetje për komisionin shtetëror, kërkuan kujdes gjatë punës së tyre dhe përkujtuan se asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk mund të jetësohet pa miratimin e saj nga Kuvendi.