Përmirësohet edhe pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni/
-Ali Ahmeti takson: Presidentin Thaçi, Kryeministrin Haradinaj dhe Kryeparlamentarin Veseli/
I-Presidenti Thaçi priti liderin e BDI-së, Ali Ahmetin/
Prishtinë, 29 Maj 2018-Gazeta DIELLI/
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, Ali Ahmetin.Presidenti Thaçi dhe kryetari Ahmeti kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës e Maqedonisë dhe rëndësinë e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona.
“Është shumë e rëndësishme që të ecim përpara si rajon, sepse vetëm kështu e forcojmë paqen dhe stabilitetin në tërë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova i përkrah përpjekjet për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë.
“Zgjidhja e kontestit të emrit e rrjedhimisht edhe hyrja e Maqedonisë në NATO është në interes të paqes në tërë rajonin tonë”, pohoi presidenti Thaçi.
Ndërsa, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se bashkëpunimi i afërt i lidershipit shqiptar ka bërë që të përmirësohet edhe pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni.
Presidenti Thaçi dhe kryetari Ahmeti kanë folur edhe për rëndësinë e autoudhës Prishtinë-Shkup, e cila do t’i afrojë edhe më shumë qytetarët tanë me njëri-tjetrin.
***
-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pret në takim liderin e BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmetin/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, me të cilin ka biseduar për temat më të rëndësishme për Kosovën dhe Maqedoninë. Kryeministri Haradinaj vlerësoi rolin konstruktiv të kryetarit Ahmeti dhe të shqiptarëve në Maqedoni, për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, Maqedonia por edhe rajoni.Kryeministri e njoftoi për progresin që ka arritur Kosova dhe hapat që është duke ndërmarrë Qeveria e Kosovës në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e perspektives për të rinjtë.“U dakorduam që të angazhohemi bashkërisht që t’u gjejmë zgjidhje shumë çështjeve të rëndësishme, të cilat presin prej kohësh”, tha kryeministri Haradinaj duke vlerësuar raportet e mira ndërfqinjësore të cilat janë në funksion të paqes dhe zhvillimeve demokratike në rajon.Edhe kryetari Ahmeti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të dyja vendeve dhe mundësinë e thellimit të raporteve bilaterale, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët për popujt e të dyja vendeve.
Kryeparlamentari Veseli takoi kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni, Ali Ahmeti, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë e Maqedoni, si dhe për mënyrat e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan lart raportet ndërfqinjësore dhe theksuan nevojën e kultivimit të mëtejmë të tyre e të bashkëpunimit me interes reciprok, si në fushën e ekonomisë, ashtu edhe të arsimit e të kulturës.Veseli e Ahmeti konsideruan se Kosova dhe Maqedonia, si dy faktorë të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon, tashmë kanë hyrë në rrugën e pandalshme të integrimit euro-atlantik, si perspektivë e vetme për të ardhmen e të dyja vendeve.Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si në ruajtjen e stabilitetit të brendshëm, ashtu edhe në orientimin euro-atlantik të Maqedonisë.Nga ana e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerësoi lart hapat që ka bërë Kosova në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe rritjen e përfaqësimit e të njohjes ndërkombëtare të saj.