-Në Vjenë, kryeministri Isa Mustafa takon presidentin e BERZH-it, Suma Chakrabarti-/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Gusht 2015/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar të mërkurën në Vjenë presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti.
Gjatë këtij takimi, i zhvilluar një ditë para fillimit sot të Samitit të Ballkanit Perëndimor 2015, ku po merr pjesë, kryeministri Mustafa dhe presidenti Chakrabarti kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it, projektet konkrete të cilat do të mbështeten nga BERZH-i në Kosovë si dhe rëndësinë që ka për Kosovën ky bashkëpunim në fazat e mëtejshme.
Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë si dhe për prioritetet e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe avancimin e gjithëmbarshëm të proceseve në Kosovë.
Kryeministri Mustafa vlerësoi kontributin e BERZH-it në shumë projekte të deritashme për Kosovën. Ai po ashtu theksoi rëndësinë që ka për Kosovën mbështetja e mëtejshme financiare nga ana e institucioneve ndërkombëtare financiare, duke veçuar rolin që BERZH-i mund të ketë në mbështetjen e projekteve konkrete të cilat do të ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabarti, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë në shumë aspekte. Presidenti Chakrabarti po ashtu theksoi përkrahjen e mëtutjeshme për Kosovën dhe mbështetjen e BERZH-it për projektet konkrete në Kosovë.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa dhe presidenti Chakrabarti kanë biseduar edhe për disa projekte konkrete të cilat mund të përkrahen nga BERZH-i, duke përshirë linjën hekurudhore Hani i Elezit (kufiri jugor me Maqedoninë)- Leshak (kufiri verior me Serbinë), trafikun urban në Prishtinë, rrugën Kievë-Zahaq, zgjerimin e hyrjeve në Gjilan, Ferizaj, Podujevë dhe Suharekë si dhe mundësinë e përfshirjes në ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës kosovare nga Besia në Merdare (kufiri me Serbinë te Podujeva), pjesa e cila nuk mbulohet nga donacioni i Komisionit Evropian, si dhe autostradës Lipjan-Gjilan.
Kryeministri Mustafa në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2015, në Vjenë, do të prezantojë progresin që po arrihet në Kosovë në shumë fusha dhe hapat e mëtejshëm në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë. Mustafa po ashtu do të ketë takime të nivelit të lartë dhe do të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të këtij samiti.