-Në 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të votojë për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të OKB, ndërsa në fillim të nëntorit pritet që Asambleja e Përgjithshme e saj të votojë anëtarësimin përfundimtar/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Tetor 2015/ Mbi tridhjetë medie të shkruara, elektronike dhe online të Kosovës i kanë dërguar një letër drejtoreshës së përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), Irina Bokova, në mbështetje të kërkesës së Republikës së Kosovës për anëtarësim në këtë agjenci të specializuar të Kombeve të Bashkuara.
Letrën e kanë nënshkruar pronarë, kryeredaktorë apo gazetarë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Kjo mbështetje e rëndësishme e komunitetit mediatik vjen pas angazhimit të një sërë institucionesh dhe personaliteteve me famë botërore të cilët i janë bashkuar aspiratës së shtetit kosovar për anëtarësim në UNESCO”, thekson MPJ e Kosovës.
“Ne vazhdimisht e vëzhgojmë punën e qeverive tona dhe jemi zëri kryesor kritik ndaj tyre kur ato dështojnë të japin rezultatet e duhura – qoftë në luftë kundër korrupsionit, reformën e sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe arsimit, apo në rritjen ekonomike… Që Kosova vërtetë të ketë sukses në përpjekjet e saj për të ndërtuar një shoqëri të fortë, demokratike dhe të hapur, me respekt të plotë për liritë individuale dhe të drejtat e njeriut, përfshirë lirinë e patjetërsueshme të shprehjes, ne na duhen mundësi të barabarta. Dhënia e mundësive dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për të rinjtë tanë në arsim, shkencë dhe kulturë mund të jetë e dobishme për të gjithë. Kjo është arsyeja pse ne sot ju nxisim që të mbështetni kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, thuhet në letrëm e mediave.
Sopranoja Inva Mula, këngëtarja Rita Ora dhe shkencëtari Ferid Murad janë vetëm disa nga figurat eminente globale që kanë shkruar kolumne ku kanë ftuar mbarë komunitetin ndërkombëtar për të përkrahur aderimin e Kosovës në organizatën gjegjëse të Kombeve të Bashkuara.
Më 21 tetor, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s do të votojë për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të OKB, ndërsa në fillim të nëntorit pritet që Asambleja e Përgjithshme e saj të votojë anëtarësimin përfundimtar. Një javë më parë, Bordi Ekzekutiv ka aprovuar axhendën përfundimtare, ku është përfshirë edhe anëtarësimi i Kosovës në organizatë, pikë kjo e bashkësponsorizuar nga 47 shtete anëtarë të UNESCO-s.
Në 12 shtator zv/ministri i Jashtëm kosovar, Petrit Selimi, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi bënte të ditur se Kosova bëri hapin e parë drej anëtarësimit në UNESCO.
“Kërkesa për plikim është dorëzuar nga Shqipëria dhe është nënshkruar nga 44 shtete anëtare të UNESCO-s që përbën një numër rekord të bashkësponsoruesëve në historinë e re të UNESCO-s”, dekaronte zv/ministi i Jashtëm kosovar.
Ai bënte të ditur se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në UNESCO gjatë verës përmes Nju Jorkut, sipas rekomandimeve nga vet agjencia gjegjëse e Kombeve të Bashkuara. “OKB në Nju Jork ka autorizuar UNESCO-n me mekanizmat e saj t’i prijë procesit në mënyrë të pavarur”, shtonte Selimi.