MALISHEVË, 2 Gusht 2015/-Në qytetin kosovar të Malishevës ka filluar mbrëmë festivali i folklorit “Oda e Llapushës”, ku po marrin pjesë shoqëri, grupe dhe këngëtarë nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, si dhe nga Amerika e vende të tjera të diasporës. Ky festival garues në fushën e folklorit mbahet në kuadër të “Ditëve të Mërgatës”, organizuar nga Komuna e Malishevës.
“Kjo është hera e dytë që mbahet ky festival dhe do të jetë tradicional. Janë shumë arsye që ky festival i takon të mbahet në Malishevë, pasi kjo trevë, është më e njohura në fushën e folklorit”, u shpreh në hapje kryetari i Komunës, Ragip Begaj.
Pjesëmarrësit e festivalit paraprakisht kanë defiluar rrugëve të qytetit të Malishevës.
Festivali do të mbyllet në mbrëmjen e sotme dhe me ndarjen e çmimeve nga organizatori, sipas vlerësimeve të jurisë profesionale, të përbërë nga njohësit e fushës së folklorit dhe traditës shqiptare./b.j/